Albania
Berisha: Nuk ka forcë në botë që e mban në pushtet Edi Ramën në qoftë se ne i pushtojmë sheshin. Kjo është rruga!
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se kjo parti është “në betejën finale dhe kjo betejë finale është largimi i këtij regjimi”.
“Ne sot jemi të qartë dhe duhet të qartësojmë çdo demokrate e demokrat, të përkushtohemi në projektin e opozitës për largimin e Edi Ramës nga pushteti dhe krijimin e qeverisë teknike si kusht i të gjitha kushteve që shqiptarët të votojnë të lirë.
Nuk ka një parti me eksperiencën tonë. Ne erdhëm në vitet ’90 si i vetmi vend dhe e vetmja shoqëri me 4 kulte, kulti i Enver Hoxhës, Stalinit, Leninit, Marksit, etj. Ndërkohë vendet e tjera ish-komuniste nga viti 1956 ishin çliruar nga kultet.
Ju e keni të vështirë ta mendoni se çfarë tmerri dhe sa të tmerrshëm ishin kultet. Por ne i shembëm ato me guxim.
I shembëm pa konflikt civil. Tanket i nisën drejt nesh, ne i bllokuam ato me barrikada, por vetë nuk rrëmbyem armë, as RPG, armë antitanke. Na rrethuan tek selia, po me tanke. Ne nuk u mposhtëm, por përsëri qëndruam, u vetëpërmbajtëm.
Na vranë, u përzunë nga selia e kryeministrisë. Të gjitha këto eksperienca, pse unë po i citoj sot dhe do i citoj, i citoj dhe do i citoj sepse ne jemi ne forcë demokratike që drejtohemi vetëm nga parime demokratike. Ne nuk bëhemi parti dhune sepse ne besojmë se paqja është një forcë e jashtëzakonshme. Në besojmë se Edi Rama, ky regjim i kalbur, largohet vetëm kur opozitarët të lënë mënjanë lodhjen e tyre, të lënë mënjanë dëshpërimin e tyre, rraskapitjen e tyre dhe të dalin në shesh çdo ditë. Nuk ka forcë në botë që e mban në pushtet Edi Ramën në qoftë se ne i pushtojmë sheshin. Kjo është rruga”, tha Berisha.
“Këtë nuk e kemi bërë ndonjëherë. Kjo na ka munguar. E kemi bërë, por me qëllime jo kaq sa këto. Se ne kemi bërë edhe në vitin 1998, me radhë. Por sot jemi para këtij momenti. Ne, në kushte kur ky regjim, Edi Rama, pasi është dokumentuar jo tashmë vetëm nga opozita, por edhe nga hetimi i prokurorisë se kanë abuzuar miliona dhe miliarda para të taksapaguesve dhe jka hequr çdo maskë në mbrojtje të flaktë në mbrojtje të abuzimeve të tmerrshme me paratë e shqiptarëve sepse është vetë direkt i implikuar”, shtoi kreu i PD-së.