Nuk ka paqe për Chelsea që pas humbjes në fushën e Brightonit me rezultatin 3-0, Blutë zbresin në vendin e 7 në klasifikimin e Premier League duke mbetur në kuotën e 48 pikëve.
Për skuadrën londineze duket se venitet përfundimisht ëndrra për të luajtur në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm me Liverpoolin që është në vendin e pestë i shkëputur me 7 pikë nga Chelsea.
Për më tepër humbja e pësuar ndaj Brightonit është e 5 radhazi për londinezët që përbën një rekord të trishtë për ta; për të gjetur një seri me 5 humbje radhazi pa shënuar qoftë edhe një gol të Chelsea duhet kthyer në kohë deri në 1912. Ato që rëndojnë më shumë ambientin e Bluve janë fjalët e trajnerit, Liam Rosenior që duken si një shenjë dorëzimi ose të një krisje të pariparueshme.
‘Një paraqitje e papranueshme, që nuk mund të mbrohet. Diçka duhet të ndryshojë menjëherë, nuk mund të vij këtu e të shfaqem për atë që kam parë sot-ishin fjalët e Liam Rosenior që e mori drejtimin e Chelsea në janar për të zëvendësuar Enzo Marescan.
Në fillim u duk se trajneri anglez i rigjallëroi shpirtrat te Chelsea që dukej i përçarë, por iluzioni zgjati pak. Nga muaji mars e deri tani skuadra filloi të shuhej dalëngadalë duke fituar vetëm një ndeshje në 9 të fundit.
Dhe tani sezoni, nëse nuk do të ketë ndonjë surprizë të madhe në fund, ka një perspektivë negative; te tifozët e Chelsea ka nga ata që po ndjejnë mungesën e Maresca me të cilin Chelsea në korrikun e vitit të kaluar fitoi Botërorin e Klubeve.
Largimi i trajnerit italian solli një pasiguri të madhe me klubin londinez që do të nisë kërkimet për trajnerin e ardhshëm për sezonin e ardhshëm. Ka nga ata që do të donin që drejtimin e Chelsea ta marrë Cesc Fabregas, por është edhe Amorim që ka mbetur pa skuadër pas aventurës zhgënjyese me Manchester United.

