Ajo që për shumëkënd mbetet një ëndërr, për Monica Brzoska dhe Jorel Conley është kthyer në realitet të përditshëm. Dy ish-mësues nga Tenesi vendosën të lënë pas jetën tradicionale dhe të jetojnë vazhdimisht në anije turistike, duke e kthyer detin në shtëpinë e tyre të përhershme.
Çifti hoqi dorë nga karriera në arsim dhe ndërmori një plan të mirëorganizuar: shitën shumicën e sendeve personale dhe dhanë me qira shtëpinë, duke siguruar një burim të qëndrueshëm të ardhurash. Në të njëjtën kohë, ata shfrytëzuan zbritjet dhe programet e besnikërisë nga kompanitë e kroçerave për të ulur kostot.
Duke zgjedhur kabina ekonomike, ata arritën të jetojnë me shpenzime shumë më të ulëta sesa në tokë. Sipas tyre, tetë muajt e parë në bord kushtuan më pak se 10 mijë dollarë, rreth 1,250 dollarë në muaj.
Një nga avantazhet kryesore të këtij stili jetese është se shumë shpenzime bazë përfshihen në çmim: akomodimi, ushqimi dhe argëtimi. Kjo, sipas çiftit, redukton ndjeshëm stresin financiar dhe eliminon detyrimet e zakonshme të përditshme.
Që nga viti 2023, ata kanë udhëtuar në mbi 100 kroçera dhe kanë vizituar më shumë se 45 vende, përfshirë Japonia, Greqia dhe Islanda.
Megjithatë, kjo mënyrë jetese nuk është pa sfida. Planifikimi i itinerareve dhe lëvizja mes porteve kërkon organizim të vazhdueshëm dhe ndonjëherë shpenzime shtesë. Për çiftin, vendimi nuk ishte vetëm ekonomik, por edhe personal. Pas një përvoje të vështirë familjare, ata vendosën të mos e shtyjnë më jetën që dëshironin të jetonin, duke zgjedhur lirinë dhe përvojat mbi rutinën.

