Albania
Dinamo fiton Superkupën e Shqipërisë
Dinamo ka fituar Superkupën e Shqipërisë, pasi mundi 3-1 Egnatian në finalen e luajtur në “Air Albania”. Rrogozhinasit e nisën shumë mirë takimin, duke gjetur golin e avantazhit që në minutën e 9-të me anë të Flamur Ruçit, i cili duke përfituar nga një moskuptim mes tyre i mbrojtësve të Dinamos, mposht Aldo Teqja dhe dërgon topin në rrjetë.
“Blutë” reagojnë direkt dhe i afrohen shumë golit të barazimit në minutën e 11-të, por goditja e Karamba Gassama ndalet nga shtylla. Në minutën e 15-të, Dinamo pretendon për penallti, pasi topi i goditur nga Gassama preket me dorë nga Fernando, por për arbitrin kryesor të finales, Enea Jorgji ishte çdo gjë “ok” dhe loja vijoi normalisht.
Në minutat në vijim, të dyja ekipet patën mundësitë e tyre, por pjesa e parë mbyllet 1-0 për Egnatian.
Pjesa e dytë foli e gjitha për Dinamon. “Blutë” përmbysën shifrat për 5 minuta. Fillimisht, Dejvi Bregu duke përfituar nga një top i kthyer mbrpasht gabim nga Eljon Sota, e dërgoi atë në rrjetë.
Në minutën e 59-të, Nani shënoi golin e përmbysjes për Dinamon, pasi u tregua i vëmendshëm në zonë, ku dërgoi në rrjetë topin e kthyer mbrapsht nga pritja e Dajsinanit pas goditjes së Bernard Berishës. Pavarësisht zëvendësimeve të kryera nga Edlir Tetova, rrogozhinasit nuk arritën dot të barazonin shifrat. Goli i tretë për “Blutë” që vulosi përfundimisht fitoren erdhi në minutën e fundit shtesë nga Klevi Qefalija.