Mundësi i Shqipërisë, Islam Dudaev nuk ia ka dalë që t’i japë vendit një medalje të artë duke u mposhtur në finalen e Evropianit të Mundjes që po zhvillohet në Tiranë.
Ruso-shqiptari duhet të mjaftohet me medaljen e argjendtë, pasi në finalen e peshës deri në 65 kilogramë të stilit të lirë u mposht sot nga rusi Bashir Magomedov me rezultatin 10-0 me pikë.
Magomedov dominoi ndeshjen duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi sportistit kuqezi.
Me arritjen si nënkampion i Evropës, Dudaev ka siguruar 4 milionë lekë të rinj shpërblim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Performanca e Dudaev në këtë event
Ruso-shqiptari kaloi pa shumë vështirësi turkun Ahmet Duman në fazën kualifikuese, duke e mposhtur 6-1. Në fazën çerekfinale Dudaev u përball kundër gjeorgjianit Nika Zakashvili, duke fituar 3-1 në një përballje që tregoi gjithë cilësitë dhe teknikën e mundësit tonë.
Në fazën gjysmëfinale Dudaev mposhti pastër 4-0 me pikë rusin Islam Guseinov, i cili garon nën ombrellën e Federatës Botërore të Mundjes, për shkak se Rusia nuk është e mirëpritur në këto aktivitete pas sulmit mbi Ukrainë.
Edhe fituesi i medaljes së artë, Bashir Magomedov, garoi me flamurin e Federatës Botërore të Mundjes.
Zelimkhan Abakarov – Sportisti tjetër kuqezi, Zelimkhan Abakarov, ia doli të sigurojë sot finalen për disiplinën e stilit të lirë deri në 61 kilogramë dhe për rrjedhojë e ka ‘në xhep’ medaljen e argjendtë. Finalja mes Zelimkhan Abakarov dhe Zavur Uguev do të zhvillohet të dielën në orën 17:10, në ditën përmbyllëse të këtij eventi.

