Deklaratat e kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez gjatë një takimi elektoral të PSOE në Gibraleón, në Andaluzi, kanë shkaktuar reagim të menjëhershëm nga Izraeli.
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, përmes një mesazhi në rrjetin social X, e akuzoi Sánchez për “hipokrizi” dhe për qëndrime armiqësore ndaj shtetit hebre.
“Nuk do të pranojmë një qasje hipokrite nga dikush që mban marrëdhënie me regjime totalitare që shkelin të drejtat e njeriut, si Turqia e Recep Tayyip Erdoğan dhe Venezuela e Nicolás Maduro”, shkroi Saar.
Ai shtoi se një qeveri që merr falënderime nga regjimi i Iranit dhe organizata terroriste, sipas tij, është angazhuar në përhapjen e antisemitizmit.
Ministri izraelit theksoi gjithashtu se Izraeli nuk ka asgjë kundër qytetarëve spanjollë, por kundërshton atë që e cilësoi si “standard i dyfishtë” të qeverisë së Pedro Sánchez.

