Marina iraniane thuhet se ka vendosur mina të reja nënujore në Ngushticën e Hormuzit këtë javë, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë dërguar një aeroplanmbajtëse të tretë në rajon, raportojnë mediat e huaja.
Në lajm, ku citohet një zyrtar amerikan dhe një burim tjetër i njohur me çështjen, thuhet se forcat amerikane e kanë zbuluar operacionin dhe po e ndjekin nga afër. Zyrtarët kanë thënë se e dinë numrin e saktë të minave të vendosura, por nuk kanë pranuar ta bëjnë publik shifrën.
Pas informimeve mbi zhvillimet e reja, presidenti Donald Trump urdhëroi Marinën amerikane përmes një postimi në Truth Social që të qëllojë çdo anije iraniane që kapet duke vendosur mina, “pa hezitim”.
Lëvizja e anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit është ndërprerë rëndë që nga fillimi i luftës SHBA–Izrael kundër Iranit më 28 shkurt, ndërsa një bllokadë detare amerikane u shpall më 13 prill.
Rreth 20 për qind e furnizimit global me naftë kalon çdo ditë përmes ngushticës, ndërsa pasiguria e shtuar ka rritur çmimet e naftës, si dhe kostot e transportit dhe sigurimeve.

