Albania

PD përshëndet vendimin e Kushtetueses, Berisha: Jemi të gatshëm të vazhdojmë garën në 5 bashkitë e tjera

Published

on

Kryedemokrati Sali Berisha e përshëndeti vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e dekretit presidencial mbi zgjedhjet e pjesshme në Tiranë, duke e cilësuar si një akt me rëndësi të madhe për mbrojtjen e rendit kushtetues.

Ai e quajti vendimin një shërbim ndaj shtetit dhe një vulë turpi për ata që, sipas tij, tentuan ta anashkalonin Kushtetutën, duke e drejtuar akuzën nga presidenti Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama.

Unë jam para jush sot, dhe jam personi që tre ditë para se Edi Rama të shpaloste skenarin e tij, ju paralajmërova se do të veprojnë në këtë mënyrë dhe se do të anashkalojnë Gjykatën Kushtetuese me pretendimin e turpshëm, banal, vulgar se Këshilli i Ministrave qenka noteri i Këshillit Bashkiak. Që të paraqesësh para kombit qeverinë, ekzekutivin e vendit si noter këtë mund ta bësh vetëm atëherë kur nuk ke ligj, as moral, as respektin më minimal për shtetin, por vërsulesh i papërmbajtur ndaj Kushtetutës, Gjykatës Kushtetuese. Ndaj besoj se me këtë vendim i bënë një shërbim vendit, rendit kushtetues, dhe u dhanë vulën e turpit. Por nuk kanë turp, se po të kishin turp nuk mund të vepronin kurrë, atyre që shkelmuan kushtetutën, Edi Ramës, presidentit të tij kukull dhe të gjithë atyre që u implikuan në këtë akt madhor antikushtetues,” u shpreh z. Berisha për gazetarët nga jashtë selisë blu.

Kryetari i demokratëve shtoi se vendimi i fundit e ka goditur në dinjitet presidentin Begaj.

Advertisement

Ne kemi paraqitur për ‘impeachment’. Begaj është i padenjë, jo për postin e presidentit, por me dosjet që i rëndojnë është skllav i veprave të tij, i akteve të tij kriminale, në plaçkitjen e pronave të Ushtrisë me Edi Ramën. Prandaj dhe ai i lejoi vetes të firmosë një vendim që kurrë nuk mund ta firmoste. Sepse çfarë po ndodh në këtë mes? Është një betejë për jetë a vdekje e Edi Ramës, është frika dhe tmerri i Edi Ramës nga Erion Veliaj,” tha kryedemokrati.

Kur procesi për Bashkinë e kryeqytetit të ketë dalë nga hullitë ligjore, z. Berisha përsëriti mbështetjen për kandidatin e pavarur për Tiranën, Florjan Binaj. Ndërkohë, për sa i përket pesë bashkive të tjera që do të jenë në garën e parakohshme, kreu i Partisë Demokratike sqaroi se është gati me kandidatët e tij për përballjen e 9 nëntorit.

Me të gjitha bashkitë e tjera ne jemi të gatshëm. Kandidatët janë shpallur. Janë kandidatura intelektualësh, biznesmenësh, mjekë, të pavarura, por që do të kenë mbështetjen e plotë të PD dhe koalicionit tonë,” shtoi z. Berisha.

Advertisement

Trending

Exit mobile version