Bota

Shpërthimi më i fuqishëm deri tani, aktivizohet sërish vullkani i Islandës, lava i afrohet qytetit

Published

on

Një gjendje e jashtëzakonshme është shpallur sërish në Islandën jugore për shkak të një tjetër shpërthimi vullkanik në Gadishullin Reykjanes – i katërti që nga dhjetori. Mendohet se ky është shpërthimi më i fuqishëm deri tani, ndërkohë që lava ka arritur në mbrojtjen lindore rreth qytetit të evakuuar të Grindavik. Hapësira ajrore e Islandës mbetet e hapur, ndërsa aeroporti Ndërkombëtar Keflavik dhe aeroportet e tjera rajonale nuk janë prekur nga shpërthimi.

Gjeofizikanti Magnus Tumi Gudmundsson, i cili ishte ndër ata që fluturuan mbi zonat e prekura me një helikopter, tha për mediat lokale se shpërthimi i së shtunës ishte më i fuqishmi deri më tani. Gudmundsson tha se ishte e mundur që llava të mund të derdhej në det, por kjo mund të mos ndodhë nëse aktiviteti vullkanik lehtësohet. Einar Bessi Gestsson, një ekspert i fatkeqësive natyrore në Agjencinë Meteorologjike Norvegjeze, i ka thënë transmetuesit publik të Islandës RUV se gaze të rrezikshme dhe shpërthime të vogla mund të ndodhin nëse llava bie në kontakt me ujin e detit.

Ndërkohë, llava që lëviz në perëndim thuhet se ka arritur në rrugën Grindavikurveg që çon në Grindavik, duke u nisur në drejtim të Lagunës Blu dhe termocentralit gjeotermik Svartsengi, i cili siguron ujë të nxehtë për pjesën më të madhe të gadishullit Reykjanes. Ka shqetësime se kabllot me fibra optike në rrugë mund të dëmtohen – duke shkaktuar ndërprerje në shërbimet telefonike dhe të internetit. Rreth 4,000 banorët e qytetit u lejuan të kthehen në shtëpitë e tyre vetëm rreth një muaj më parë pasi një shpërthim në janar solli përhapjen e lavës deri në qytet duke shkatërruar tre shtëpi.

Islanda ka 33 sisteme vullkanike aktive dhe ndodhet mbi atë që njihet si Kreshta e Mesme të Atlantikut, kufiri midis dy prej pllakave tektonike më të mëdha në planet. Hera e fundit që Gadishulli Reykjanes pati një periudhë aktiviteti vullkanik ishte 800 vjet më parë dhe shpërthimet vazhduan për dekada. Ky është tani shpërthimi i shtatë që nga viti 2021 dhe shkencëtarët besojnë se zona po hyn në një epokë të re vullkanike që mund të zgjasë për dekada apo edhe shekuj.

Advertisement

Trending

Exit mobile version