Shtëpia e Bardhë po shqyrton ndryshime serioze në protokollin e sigurisë së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump pas tre atentateve ndaj tij në një hark kohor prej rreth dy vitesh.
Midis masave në tryezë është edhe përdorimi i një jeleku antiplumb nga Trump në paraqitjet publike, sipas informacionit të raportuar nga Fox News. Siç raportohet nga gazetari i rrjetit, Peter Doocy, po zhvillohen diskutime “në nivelet më të larta” nëse Trump duhet të miratojë mbrojtje shtesë personale në ngjarjet me publikun.
Ky diskutim u intensifikua pas incidentit të së shtunës në mbrëmje në Uashington, gjatë Darkës vjetore të Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në Hotelin Washington Hilton.
Një person i armatosur, i identifikuar si Cole Thomas Allen, u përpoq të shkelte një pikë kontrolli sigurie dhe shkëmbeu armë zjarri me agjentët e Shërbimit Sekret, njëri prej të cilëve u plagos, por shpëtoi falë jelekut antiplumb që mbante veshur.
Autori i krimit u arrestua në vend, ndërsa pak minuta para sulmit ai i kishte dërguar një manifest familjes së tij, në të cilin deklaronte se objektivi i tij ishte Trump dhe zyrtarët qeveritarë.
Incidenti i shtohet një serie kërcënimesh serioze kundër jetës së Trump. Përpjekja e parë e regjistruar ndodhi në korrik 2024, gjatë nje tubimi zgjedhor në Butler të Pensilvanisë, kur personi i armatosur Thomas Crooks hapi zjarr nga çatia e një ndërtese. Trump u plagos lehtë në vesh, dhe pati viktima civile. Personi i armatosur u neutralizua nga forcat e sigurisë.
Disa muaj më vonë, një person i dytë i armatosur, Ryan Ruth, u pa në një pozicion snajperi pranë një fushe golfi në Florida ku po qëndronte kandidati i atëhershëm presidencial. Ai u arrestua dhe u dënua me burgim të përjetshëm.
Incidentet e përsëritura që synojnë Trumpin kanë shkaktuar shqetësim të madh midis shërbimeve të sigurisë, të cilave po u kërkohet të përshtaten me një mjedis me kërcënime të shtuara.
Një shqetësim i veçantë është fakti që autori i sulmit të fundit thuhet se lëvizte relativisht lehtë brenda hotelit, pasi kishte kaluar tashmë procesin e regjistrimit. Në manifestin e tij, ai thuhet se kritikoi masat e sigurisë, duke pretenduar se vëmendja ishte përqendruar kryesisht te kërcënimet e jashtme dhe jo te rreziqet e mundshme nga individët brenda ambienteve.
Ky element përforcon shqetësimet në lidhje me “pikat e verbëra” në sigurinë e ngjarjeve të nivelit të lartë edhe kur ato mbrohen nga agjencitë federale.
Kalimi në masa më të rrepta
Përdorimi i mundshëm i një jeleku antiplumb nga Trump shihet si një shenjë e seriozitetit të situatës. Ndërsa masa të tilla nuk janë të paprecedentë për udhëheqësit në kohë rreziku të lartë, zbatimi i tyre sistematik në paraqitjet publike do të shënonte një fazë të re për sigurinë presidenciale në Shtetet e Bashkuara.
Në të njëjtën kohë, po merren në konsideratë edhe ndryshime më të gjera, të tilla si kontrolle më të rrepta në vendet e ngjarjeve, përmirësimi i protokolleve të Shërbimit Sekret dhe kufizimi i kontaktit të drejtpërdrejtë me publikun.

