Ushtarët amerikanë mbeten pa bukë, familjarët ngrenë alarmin për kushtet në luftëanijet e vendosura në Lindjen e Mesme

albnews
By
3 Min Read

Një krizë për ushqim duket se ka prekur anijet luftarake amerikane të vendosura në Lindjen e Mesme, pasi anëtarët e shërbimit raportojnë porcione të kufizuara dhe cilësi në rënie të vakteve që ju shërbehen.

Një baba i shqetësuar, i identifikuar nga media amerikane USA Today si Dan F, vajza e të cilit është një marinse e stacionuar në luftëanijen USS Tripoli, tha se u alarmua pasi pa një foto të vaktit të së bijës.

“Një tabaka dreke, dy të tretat bosh, mbante një copë të vogël mishi të grirë dhe një tortilje të vetme të palosur”, u citua të thoshte ai për USA Today.

Një imazh tjetër nga aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln tregonte “një grusht të vogël karrotash të ziera, një qofte mishi të thatë dhe një copë gri mishi të përpunuar” në tabakanë e një marinsi.

Familjet thonë se ka nisur racionimi i ushqimit për trupat amerikane të vendosura në vijën e parë të konfliktit, ndërsa furnizimet po pakësohen.

Vajza e Danit i tha atij se prodhimet e freskëta nuk janë më të disponueshme dhe furnizimet po mbarojnë. “Ne kemi ushtrinë më të fortë në botë. Nuk duhet të mbarojë ushqimi. E vetmja gjë që kishim ndaj kundërshtarëve tanë ishte se i ushqenim njerëzit tanë”, tha ai i shqetësuar.

Përpjekjet e familjeve për të dërguar ushqim dhe furnizime bazë janë ndërprerë nga një pezullim i shërbimeve postare ushtarake. Shërbimi Postar i SHBA-së ka ndaluar dërgesat në 27 kode postare ushtarake në rajon, duke përmendur “mbylljen e hapësirës ajrore dhe ndikime të tjera logjistike nga konflikti i vazhdueshëm”, sipas zëdhënësit të Ushtrisë, Major Travis Shaw.

Paketat e dërguara tashmë, duke përfshirë ushqime të lehta, produkte higjienike dhe sende thelbësore, aktualisht janë vonuar.

“Asnjë dërgesë ushtarake nuk po i kthehet dërguesit… ato mbahen derisa të mund të dorëzohen”, tha zëdhënësi i USPS, David Coleman.

Ndërkohë, komunitetet në të gjithë Shtetet e Bashkuara janë mobilizuar për të mbështetur trupat e dislokuara, por shumë pako kujdesi ende nuk kanë mbërritur.

“Ushqimi është pa shije dhe nuk ka mjaftueshëm, dhe ata janë të uritur gjatë gjithë kohës”, tha Karen Erskine-Valentine, një pastore e Virxhinias Perëndimore që ndihmon familjet e marinarëve. “Kjo të thyen zemrën”, nënvizoi ajo.

Pa një afat kohor të qartë për rivendosjen e shpërndarjes së postës dhe për vazhdimin e vendosjes së trupave në det, familjet thonë se pasiguria po thellohet si për furnizimet me ushqim ashtu edhe për mirëqenien e të dashurve të tyre.

Share This Article