Zënka me Hegseth, ikën kreu i marinës, Trump flet për luftën pa fund me Iranin, por më 1 maj…

albnews
By
3 Min Read

Nuk ka “asnjë afat kohor” për përfundimin e luftës me Iranin.  Kështu deklaroi presidenti amerikan, Donald Trump, duke shtuar se nuk e ka me nxitim për ta mbyllur atë. Komentet u bënë në një intervistë për Fox News. Trump kishte deklaruar më herët se lufta do të zgjaste katër deri në gjashtë javë. Por tani ajo ka hyrë në javën e shtatë.

Trump gjithashtu hodhi poshtë sugjerimet se konsideratat politike po ndikojnë në qasjen e tij. Ai tha se zgjedhjet e ndërmjetme nuk janë një motiv shtytës për t’i dhënë fund luftës… siç kanë pretenduar disa. Presidenti shtoi se nuk ka “presion kohor” për armëpushimin që ai zgjati të martën pasdite… apo për zhvillimin e bisedimeve të reja për paqe. Shtëpia e Bardhë njofton se kërkon një përgjigje të unifikuar lidhur me negociatat.

“Ne padyshim e dimë me kë po negociojmë, sepse ekipi ynë negociator është ulur me këta individë personalisht. Por padyshim, ka shumë përçarje dhe ndarje të brendshme, të cilat, përsëri, vërtetojnë efektivitetin e Operacionit që në fillim”, deklaroi Karoline Leavitt, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

Megjithatë, ka një datë që mund të shqetësojë presidentin. Afati i 1 majit mund të rrisë presionin mbi Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Iran. Më 1 maj, konflikti do të hyjë në ditën e tij të 60-të dhe ligji kërkon që presidenti të kërkojë autorizim nga Kongresi për të vazhduar, raporton Neë York Times.

Deri më tani, republikanët e kanë lejuar atë të lëvizë lirisht, madje duke bllokuar të gjitha rezolutat për kufizimin e fuqive të luftës të paraqitura nga demokratët. Por 1 maji është një afat që shumë republikanë nuk kanë ndërmend ta injorojnë.

Edhe pse lufta kundër Iranit filloi në fund të shkurtit, Trump njoftoi zyrtarisht Kongresin për operacionin më 2 mars, duke shkaktuar numërimin mbrapsht 60-ditor që bie më 1 maj. Trump më pas do të kishte tre mundësi: t’i kërkonte Kongresit të vazhdonte, të fillonte të zvogëlonte përfshirjen amerikane ose t’i jepte vetes një zgjatje 30 ditore.

Sekretari i Marinës Amerikane, John Phelan, ka dhënë dorëheqjen, me efekt të menjëhershëm. Pentagoni njoftoi lajmin pa dhënë ndonjë shpjegim të mëtejshëm. Phelan është civili me gradën më të lartë në Marinë dhe largimi i tij vjen mes bllokadës në Ngushticën e Hormuzit.

Sipas disa mediave amerikane, Phelan u shkarkua nga shefi i Pentagonit, Pete Hegseth, pasi kishin muaj tensioni dhe përplasje. Ndërkohë, Centcom raportoi në X se ushtria amerikane ka urdhëruar 31 anije të kthehen në port si pjesë e bllokadës detare të imponuar nga SHBA-të ndaj Iranit.

Share This Article