Komandanti i Komandës Evropiane të SHBA-së, Tod Walters, në nisje të stërvitjes më të madhe ushtarake të NATO-s, ka theksuar se “Defender Europe 21”, ka 28 mijë trupa në marinë, nga 25 vende, dhe qëllimi është të demonstrimi i aftësitë kolektive të aleatëve të NATO-së dhe partnerëve të saj. Krahas Shqipërisë dhe 26 shteteve, në këtë operacion është angazhuar edhe FSK-ja, ndërkohë që Kosova do të jetë edhe në mesin e 16 vendeve pritëse.
Në Durrës nisi të martën stërvitja “Defender Europe 21“, me pjesëmarrjen e rreth 28 mijë trupave shumëkombëshe, nga 27 shtete, përshirë edhe Kosovën. Përveç përfshirjes së FSK-së, Kosova do të jetë gjithashtu në mesin e 16 vendeve pritëse. Trupat e ushtrive të shteteve anëtare të NATOS, sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes do të zbarkojnë në Kosovë, në mesin e tyre ushtarakë të ushtrisë amerikane, pjesëtarë të forcave nga Komanda Evropiane e SHBA-së, si dhe Komanda Supreme Operacionale e NATO-s. Komanda e Lartë (HICON) dhe Audienca Sekondare, sipas Ministrisë do të jenë të vendosur në Aeroportin e Gjakovës, kurse ushtrimi fushor do të realizohet në Zonën e Trajnimit në “Baba i Bokës” në komunën e Gjakovës.
“Kjo është stërvitje vjetore e përmasave të mëdha ushtarake amerikane në Evropë dhe Afrikë, e përbashkët, shumëkombëshe, e dizajnuar për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprimin ndërmjet ushtrisë amerikane, NATO-s dhe partnerëve të tjerë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes. “Ushtarët e FSK-së radhiten përkrah ushtrive të shteteve anëtare të NATO-s nën udhëheqjen e partnerit strategjik Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Stërvitja “Defender Europe 21“, përfshin aktivitete në më shumë se 30 zona stërvitjeje, në 12 vende dhe 30 zona trajnimi që shtrihen që nga Baltiku në Afrikë dhe që nga Deti i Zi në rajonin e Ballkanit.
Në ceremoninë e fillimit të stërvitjes kanë marrë pjesë zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar si presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, gjenerali amerikan dhe komandant i Komandës Evropiane të SHBA-së, Tod Walters si dhe ushtarakë të lartë të NATO-s dhe ushtrisë shqiptare e forcave të tjera aleate.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Bajram Begaj, mbajti fjalën e tij në nisje të stërvitjes më të madhe ushtarake të NATO “Defender Europe 21”, në Portin e Durrësit. Begaj vlerësoi zhvillimin e kësaj stërvitjeje të trupave të NATO-s në Shqipëri, ku tha se është e një rëndësie të lartë jo vetëm për përmasat, por edhe për mesazhet që përcjell.
“Rreth 23 mijë trupa do zhvillojnë njëherazi manovra. Kështu synohet rritja e gatishmërisë dhe ndërveprueshmërisë së aleatëve të NATO dhe vendeve partnere, edhe në kohë të pasigurta, sikundër është pandemia. Kjo stërvitje përbën thelbin e mbrojtjes kolektive. Shqipëria dhe Forcat e Armatosura të saj kanë nderin dhe përgjegjësinë të ofrojnë mikpritjen për këtë stërvitje. Përzgjedhja e Shqipërisë vë në dukje strategjinë e saj, për të testuar të gjitha kapacitetet tona. Ky angazhim i yni është shprehje e besimit të SHBA për Shqipërinë dhe NATO. Ajo provon se ne jemi të përgatitur për t’u mbrojtur e krijuar stabilitet. Prezenca e gjeneralëve të nderuar amerikanë është dëshmi e qartë e mbështetjes së SHBA-së për Forcat tona të Armatosura dhe Shqipërinë”, ka thënë gjeneral Begaj.
Gjenerali amerikan dhe Komandant i Komandës Evropiane të SHBA, Tod Walters, e vlerësoi Shqipërinë si një komb që ka luajtur rol të madh në paqen në rajon, teksa ka kërkuar që pandemia të mos materializohet në krizë sigurie. Ai tha se me anë të stërvitjes ‘’Defender Europe 21’’, vendet aleate të NATO-s përfshirë Shqipërinë do të forcojnë “muskujt” dhe do të përmirësojnë gatishmërinë në të gjitha aspektet.
“Dua t’ju falënderoj këtë komb kaq të bekuar për atë që ka bërë dhe vijon të bëjë për paqen në rajon. Më lejoni të shpreh ngushëllimet e mia për ata që kanë humbur personat e dashur për COVID-19. Por edhe për vigjilencën që kjo pandemi të mos materializohet në krizë sigurie. Kemi rrugë shumë të gjatë përpara, por nëse keni të dëshmuar përballë kësaj pandemie do të jemi të suksesshëm, sepse kjo pandemi nuk do na çojë në krizë sigurie”, ka thënë gjenerali Walters, për të dhënë më shumë hollësi mbi aspektet e stërvitjes.
“E gjithë logjistika e anijeve është e përbashkët. Stërvitja është shumë e komplikuar dhe e bëjmë në mënyrë tipike të NATO-s, me forca të armatosura të shëndosha, me marinsa, forca tokësore, detare, për të provuar e dëshmuar se kjo stërvitje do të jetë më shumë përgjegjësi dhe do të reagojmë më mirë. “Defender Europe 21” ka 28 mijë trupa në marinë, gjitha kombet, nga 25 vende, dhe qëllimi është të demonstrojmë aftësitë tona kolektive. Dhe nëpërmjet kësaj, do të bëjmë stërvitje të përbashkët nga shumë agjenci, forca shumëkombëshe, nga të gjitha degët kundër një rivali të stimuluar. Do të përmirësojmë muskujt tonë, dhe të përmirësojmë gatishmërinë tonë në të gjitha aspektet”, ka theksuar gjenerali amerikan Walters.
Edhe Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ka dhënë mesazhin e saj në nisjen e stërvitjes “Defender Europe 21”, në Portin e Durrësit. Teksa e ka cilësuar këtë stërvitje si historike, ambasadorja Kim është shprehur se nuk është rastësi që ajo po zhvillohet në Shqipëri. Sipas kryediplomates amerikane, roli i Shqipërisë është më i rëndësishëm se kurrë, pasi shqiptarët kanë ndihmuar SHBA në stërvitje rreth e përqark globit.
“Çfarë ditë të lavdishme kemi përpara nesh. Dua t’i uroj mirëseardhjen gjeneralit Walters në Shqipëri, është një rast i rrallë. Jemi të nderuar që bashkohemi me ju në këtë aktivitet për nisjen e stërvitjes “Defender Europe 21”. Roli i Shqipërisë në aleancë vetëm rritet. Po të shohësh aktivitetet, vihet re se Shqipëria është pjesëmarrëse më shumë se çdo vend në rajon. Mendoni se është rastësore, por nuk është. Roli i Shqipërisë është më i rëndësishëm se kurrë. Shqiptarët kanë ndihmuar rreth e qark globit. Kurrë nuk do t’i harrojmë sakrificat tuaja. Shqipëria gjithmonë është krah nesh. E njohim trimërinë tuaj dhe jemi të nderuar t’iu quajmë aleatët tanë. Shqipëria është edhe një vend strategjik, ofron një bazë të rëndësishme për t’iu përgjigjur emergjencave shpejt. Përgëzojmë vullnetin e Shqipërisë për të marrë përgjegjësi. Keni qenë të zëshëm, nuk keni hezituar kurrë të dërgoni trupat tuaja, apo të prisni aleatët në vendin tuaj. Jemi kaq mirënjohës për mikpritjen, partneritetin e kurajën tuaj. Kjo stërvitje në Shqipëri është historike. Do të stërvitemi së bashku më shpesh, do të punojmë së bashku më gjerë. Mbetemi me ju, krah për krah, sot, nesër e gjithmonë”, ka deklaruar ambasadorja Kim. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në fjalën e tij në pritjen që iu zhvillua forcave të NATO-s në Portin e Durrësit, shprehu falënderimin që aleanca zgjodhi Shqipërinë për të zhvilluar stërvitjen e titulluar “Defender Europe 21”. Ai tha se Shqipëria është e aftë për të përballuar me rigorozitet të plotë të gjitha sfidat që do t’i ofrojë stërvitja shumëkombëshe dhe tregoi se është angazhuar që të plotësohen të gjitha kushtet e sigurisë, sa u përket sëmundjeve infektive si COVID-19.
Ndërsa, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama theksoi se kjo stërvitje është unikale, pasi shënon një ngjitje të marrëdhënieve të Shqipërisë me SHBA dhe NATO. Kryeministri Rama garantoi SHBA-në dhe NATO-n se Shqipëria pavarësisht se në forca numerike nuk i ofron shumë aleancës, qëndron besnikërisht krah tyre.
“Kam bindjen se kjo stërvitje është shumë më tepër sesa një moment i rëndësishëm i punës së përbashkët. Është pikë e rëndësishme në ngjitjen e mëtejshme të marrëdhënieve tona në pikën më të lartë. I vlerësojmë marrëdhëniet e shkëlqyera, fakti është se mund të jenë edhe më të shkëlqyera falë një besimi të madh, ndërveprimi reciprok”, tha kryeministri Rama.