Erion Veliajn e ndjekin paradokset si Akili breshkën. Zenoni plak do mahnitej prej tij.
Dy vjet më parë, pas largimit të opozitës nga zgjedhjet ai do të mbronte idene se që të kemi zgjedhje, nuk ka nevojë të kemi alternativa. Vullneti i lirë ushtrohet më mirë pa opsione.
U përpoqa atëherë të reflektoja mbi këtë dhe arrita në perfundimin se, nga një perspektivë dialektike, mosqenia e qenies është qenie, e se bashku me qenien pa mosqenie, bëhen dy lloj qeniesh. Zgjedhësit kanë mundësi të zgjedhin qenien e mosqenies ose mosqenien e qenies. Shumësia ka unitet dhe uniteti shumësi. Për pasojë një kandidat mjafton për të pasur zgjedhje sepse ai mund të jetë njëkohësisht edhe oponenca e vetvetes, apo edhe e kundërta e saj. Madje mund të kemi zgjedhje edhe pa asnjë kandidat, çfarë do të thotë, zgjedhje të përkryera pasi alternativat e asgjësë janë infinit.
Kësaj radhe, pasi Gjykata Kushtetuese tha se procedura për Teatrin e ri ka qenë antikushtetuese, ai doli me një prononcim ku pohoi se gjykata kish konfirmuar se shembja ishte në rregull dhe se mund të vazhdojmë me fillimin e menjëhershëm të punimeve. Në fakt, Gjykata shprehu (me pakicë votash, gjithsesi) moskompetencë për të gjykuar vendimin e shembjes në vetvete, por akti i kalimit të pronësisë së Teatrit në bashki është shkelje e Kushtetutës. Pra, Veliaj po thotë se trualli nuk i takon bashkisë, por shkatërrimi dhe ndërtimi mbi një pronë që s’është e jotja, nuk është diçka e paligjshme! Procedura është e gjitha antikushtetuese, por zbatimi i saj nga Bashkia është kushtetues! Ndeshja anulohet, por jo golat e shenuar.
Ligji dhe shkelja e ligjit janë e njëjta gjë. Të shkelësh kushtetutën është një e drejtë kushtetuese. Kushtetuta në vetvete nuk zbatohet dot pa shkelësit e saj dhe shkelja e kushtetutës nuk realizohet dot pa ndalimin e shkeljes.
Sido që të jetë, Akili nuk do ta kapë dot kurrë breshkën, ndërsa breshka nuk e kap dot Erionin!