“Një enklavë prej një kilometri katror, e mbushur me shtylla telefonike dhe monumente të dëshmorëve, është shtëpia në Shqipëri e rreth 2 mijë e 800 militantëve të mërguar të muxhahedinëve të Popullit, ose MEK-u, grupi më i madh i opozitës iraniane”.
Kështu e nis rrëfimin gazetari britanik i “The Sunday Times”, John Beck (i pari që do të lejohej të hynte në kampin e muxhahedinëve në Shqipëri).
Për të, ardhja e muxhahedinëve në vendin tonë, është një “përrallë e intrigave globale”.
Nga vizita brenda dhe jashtë tij, ai shkruan se nuk i pëlqen referimi si kamp. Për atë, është një mini-metropol, pra një qytezë në qytetin bregdetar të Durrësit.
Më tej, gazetari britanik sjell dëshmi të ndryshme nga takimi me personat në kamp.
Në këtë mënyrë, ai bën një paralelizëm me disa prej tyre, të cilët i kishte takuar edhe në Londër.
Beck përshkruan me detaje hapësirën jashtë kampit, ku syri i tij rrok portrete gjigante të heronjve të rezistencës iraniane, përfshirë Massoud Rajavi.
Ky i fundit u bë udhëheqës i MEK-ut në 1979, së bashku me Maryam, gruaja e tij e tretë, e cila ka qenë në komandë pasi Masoud u zhduk në mënyrë misterioze nga baza e mëparshme e grupit në Irak gjatë pushtimit amerikan në vitin 2003.
Njerëzit që ai takon aty, njëzëri shprehen që nuk e besojnë se Massoud ka vdekur.
Policia lokale i ka konfirmuar gazetarit që shpesh ka parandaluar sulme të ndodhura brenda kampit nga agjentët e regjimit.
“Dhoma të mëdha, televizorë gjigantë dhe fasada të madhërishme”, janë elementët që e bëjnë gazetarin të pyesë se nga kush financohet ky grup.
Në kamp ai ka marrë përgjigjen se financimi vjen vetëm nga diaspora iraniane.
Muxhahedinët iranianë, të quajtur ndryshe “opozita iraniane” ndodhen prej kohësh në emigrim.
Grupimi u krijua në 1965 nga Lëvizja Çlirimtare e Iranit, me themelues Mohammad Mossadegh, kryeministri i rrëzuar në një grusht shteti të vitit 1953 të orkestruar nga Britania dhe SHBA-të.
Lëvizja bëri thirrje për sovranitet kombëtar, liri të veprimtarisë politike dhe ndarjen e xhamisë nga shteti.
Që në fillimet e tyre e deri në vitin 1970, ata kanë qenë në opozitë me ish-liderin e Iranit, Mohammad Reza Shah.
Pas përmbysjes së regjimit të tij dhe triumfit të revolucionit islamik, kjo organizatë sërish mbeti në opozitë, pasi ishte kundër organizimit shtetëror që bëri lideri Ajetullahu Ruhollah Homeini.
Ata u shpallën të padëshiruar në vendin e tyre dhe u larguan nga Irani.
Muxhahedinët u krijuan në Irak në kulmin e luftës me Iranin, duke luftuar përkrah trupave të Sadam Huseinit.
Pas rrëzimit të Sadamit në 2003, muxhahedinët u çarmatosën zyrtarisht dhe u rigrupuan në një kamp në Ashraf, pranë kufirit iranian me Irakun. Ajo u bë baza më e madhe e tyre, ku strehohen 3 mijë e 500 mbështetës të grupit.