“Racizmi nuk është çrrënjosur, fatkeqësisht, por si pjesëtarë të racës njerëzore jemi përgjegjës për njëri-tjetrin”, thekson Anita Lasker-Wallfisch. “Askush nuk erdhi në botë i veshur me petkun e ‘supernjeriut’ ose ‘subnjeriut”. Ne jemi ata që i kemi sajuar këto etiketime”.
E mbijetuara e Holokaustit është nderuar gjatë javës me Çmimin Kombëtar Gjerman, një shpërblim që ka vlerën e tridhjetë mijë eurove, për përkushtimin e saj ndaj vlerave njerëzore dhe tolerancës. Duke iu referuar numrit në ngritje të incidenteve antisemite në Gjermani viteve të fundit, Lasker-Wallfisch megjithatë e ka pranuar se është paksa pesimiste: “Kur lufton kundër antisemitizmit, ndiheni si një milingonë që dëshiron të ngjitet në malin Everest – thjesht e pafuqishme”, ka deklaruar ajo gjatë ceremonisë së pranimit të shpërblimit.
Ajo ishte kthyer në një avokate të zëshme të paqes në vitet e fundit. Më 2018, mbajti një fjalim përkujtimor në Parlamentin gjerman për të shënuar 73-vjetorin e çlirimit të Auschwitzit. Për dekada me radhë kishte refuzuar të fliste për fëmijërinë e saj në Gjermani ose për vitet e saj në kampet e Auschwitzit dhe Bergen-Belsenit. Pastaj në fillim të viteve nëntëdhjetë shkroi kujtimet e saj “Inherit the Truth”, dhe nisi ta vizitonte rregullisht Gjermaninë, një vend në të cilin kaherë kishte refuzuar të shkelte, shpesh duke e treguar historinë e saj nëpër shkolla.
Është një histori me fluturime, burgosje, punë të detyruar, bërje e muzikës në rrethana të jashtëzakonshme, emigrim, dhe në fund karrierën e saj në muzikë.