Turi ballkanik i kancelarit gjerman Olaf Scholz shënon një përpjekje të re të Europës për të parë me prioritet rajonin tonë dhe sigurmin e një perspektive europiane për të. Scholz ka ndaluar në Beograd, Prishtinë dhe do të jetë në Selanik, ku mbahet një samit për bashkëpunimin në Europën Juglindore. Greqia është destinacion i shtuar në itinerarin ballkanik të Gjermanisë që simbolikisht përfaqëson një zgjerim të hartës politike dhe riaktualizon një fuqi rajonale si Athina.
Scholz ka shmangur Tiranën dhe këmbëngulja e tij në Beograd për njohjen reciproke të Kosovës përfaqëson një moment të ri që i mbivendoset politikës së mirëkuptimit që Serbia ka gjetur në rajon me Open Balkan. Në takimin mes kancelarit gjerman dhe presidenti Vuçiç termi Open Balkan u shmang duke lënë kështu shkas për të interpretuar se nisma në fjalë thjesht po injorohet.
Vuçiç megjithë pakënaqësinë për Kosovën, nuk rreshti së kujtuari se Gjermania është një vend i madh, biznesi i së cilës punëson 77 mijë njerëz në Serbi. Është e qartë se Beogradi nuk do sakrifikojë raportet e veta me Berlinin, tek i cili ka një partner të arsyeshëm. Që këtej do kuptuar edhe taktika e promovimit të Open Balkan në rajon dhe jo jashtë tij, çka nënkupton se si e tillë, Tirana e ka të qartë se me të Kosovës i lihet pak hapësirë.
Ajo që duket se ka zhbërë llogaritë bizantine të kësaj loje është fakti se diplomacia e një vendi si Gjermani por edhe lëvizja nga vendi e Greqisë kanë ajrosur ajrin e rëndë të raporteve mes vendeve, pasi sinjalizohet se bashkëpunimi në rajon është në axhendë ndërkombëtare dhe madje ai tenton të ridimensionohet me riintegrimin në lojë të Greqisë.
Sigurisht që Open Balkan mund të vijojë si i tillë; efekti kryesor i tij është kultivimi i një mirëkuptimi të qëndrueshëm mes Tiranës dhe Beogradit, por tashmë ai nuk mund të promovohet as të pretendojë se është modeli ekskluziv i bashkëpunimit, as formati i vetëm, pjesëmarrja në të cilin njëfarësoj përcakton edhe nëse je për të ardhmen apo je peng i së shkuarës. Në këtë kuptim Open Balkan, si aksion propagandistik nuk bën do të më viktima dhe për më tepër, ai nuk e viktimizohet Kosovën dhe Albin Kurtin, që kaq pak durohet dhe honepset dhe elita publicitare e Tiranës. Ne mund të pyesim: nëse Serbia detyrohet të rinisë dialogun për një kompromis real, cilat janë arsyet e Kosovës që të pranojë të aderojë në Open Balkan, merita e të cilit nuk do të ishte më as ky pajtim i madh? /Respublica