Shumë herë është përdorur si kërcënim, por të hënën ndodhi.
Deputetët e Listës Serbe dorëzuan mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës për së pari herë.
Kjo situatë erdhi pas gjendjes së krijuar në veri të vendit, në lidhje me targat dhe suspendimin e Drejtorit Rajonal të Policisë në Mitrovicë të Veriut, Nenad Gjuriq, i cili kishte thënë se nuk do t’i ‘qortojë’ qytetarët e komunitetit serbë, të cilët drejtojnë vetura që nuk janë në RKS, njofton KlanKosova.tv.
Ishte ministri për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq, i cili është kryetar i Listës Serbe, që gjatë së shtunës mbajti konferencë pas një takimi në Zveçan me te gjithë përfaqësuesit politikë serbë të Kosovës. Aty ai dha kumtin për dorëheqjen e tij, të deputetëve, katër kryetarëve të komuanve në veri, por edhe polici, gjyqësor, administratë…
Të dielën pasoi një protestë e vogël në Mitrovicë të Veriut. Arsyeja ishte kundërshtimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës.
Por çfarë thotë e kaluara për veprimet e Listës Serbe?
Rakiq si ministër, si dhe dhjetë deputetët serbë në prill të 2022-ës ngrin pozitat e tyre, si kundërshtim për vendimin për suspendimin e gjykatëses serbe, Liljana Stevanoviq që kishte marrë pjesë në një mbledhje në Beograd të thirrur nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.
Njëlloj, deputetët e Listës Serbe kishin vepruar edhe gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj – në vitin 2018.
Ata ishin larguar nga koalicioni, mirëpo që nuk i kishin dorëzuar mandatet.
Përveç deputetëve, dorëheqje kanë dhënë edhe kryetarët e katër komunave veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan. Për ta nuk është hera e parë që dorëhiqen.
Ata një gjë të tillë e kishin bërë edhe në dhjetor të vitit 2018, si reagim ndaj taksës së vendosur nga Qeveria e Kosovës për mallrat nga Serbia.
Pas këtij veprimi në atë kohë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kishte shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në katër komunat veriore, të cilat ishin caktuar të mbahen më 19 maj 2019.
Subjekti politik serb kishte vendosur të tërhiqej nga Qeveria e Kosovës – jo nga institucionet tjera – në fund të marsit 2018, pas arrestimit të drejtorit të Zyrës koordinuese për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Gjuriq ishte ndaluar dhe më pas dëbuar, ngase kishte hyrë në Mitrovicë për të realizuar vizitën, pa lejen e institucioneve të Kosovës.
Pas dorëheqjeve të herë pas hershme nga një institucion tek tjetr ndër vite, tash dorëheqjet janë shumë më të mëdha. Vetëm në Policinë e Kosovës janë 578 punonjës që kanë paraqitur dorëheqjet. Njësoj kanë vepruar pothuajse pjesa më e madhe e komunitetit serbë që punojnë në sektorin publik, në veri./KlanKosova.tv.