Sfidat e qeverisjes së ardhshme më tepër do të lidhen me marrëdhëniet ndërkombëtare se sa me problemet e brendshme.
Dy nga temat që Qeveria e re do të përballet është rifillimi i dialogut me Serbinë si dhe mundësia e negocimit të taksës ndaj mallrave serbe.
Jeta Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, shprehet se përderisa jemi para një procesi të rifillimit të dialogut, çështja e taksës duhet të negociohet për hatër të shkrirjes së këtij procesi. Ajo në një intervistë për Ekonomia Online, shprehet se Qeveria e ardhshme duhet të përqendrohet në caktimin e pozitës unike të shtetit dhe ndërtimit të një konsensusi më të mirë politik.
“Kushdo që do jetë në qeveri, çështjen e dialogut duhet ta ketë një çështje në tavolinë dhe që duhet ta diskutojë, taksa do jetë ndër ato çështjet e cila patjetër që do duhet të adresohet nga qeveria e ardhshme, ne kemi parë nga subjektet politike dhe koalicionet garuese që ata kanë shpalosur versionet e tyre apo platformat e tyre se si të trajtojnë çështjen e taksës, qoftë me atë që do të mbetet në fuqi deri në njohje apo që të hiqet dhe të ketë reciprocitet, por gjithsesi është një çështje që ne do ta shohim qeverinë e ardhshme që do të merret me të”, ka thënë Krasniqi.
“Jemi para një procesi ku ne duam ta përmbyllim procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe duhet të shohim se si ta negociojmë çështjen e taksës, gjithmonë duke parë interesin e shtetit të Kosovës dhe atë çka ne na shkon në benefit, si shtet dhe si shoqëri. Nuk duhet të kemi një përshpejtim në atë drejtim që vetëm të kemi një marrëveshje do si do por qëllimi i gjithë këtij angazhimi të shoqërisë së ardhshme ku procesi i dialogut duhet të udhëhiqet nga kryeministri apo kryeministrja e vendit, duhet të jetë përqendrimi në caktimin e pozitës unike të shtetit të Kosovës, një strategjie të mirëfilltë dhe ndërtimit të një koncensuesi më të gjerë politik, pavarësisht kushdo të jetë në qeveri, ata duhet ta mbështesin këtë proces. Qeveria e ardhshme duhet të krijojë një qëndrim unik të shtetit, gjë që nuk e kemi parë deri më tani”, tha Krasniqi.
Krasniqi shprehet se një pozicion tjetër i duhur për Kosovën, do të ishte uniteti i palës kosovare, sipas saj në tavolinë me Serbinë duhet të shkohet me një zë pasi në të kundërtën sipas saj, do të jemi një partner i dobët për Serbinë.
“Nëse ne si shtet shkojmë, nëse përfaqësuesit e shtetit tonë shkojnë me qëndrime të ndryshme, ajo e dëmton drejtpërdrejtë shtetin e Kosovës, pasi procesi edhe i dialogut Kosovë-Serbi, ka të bëjë më diplomacinë, ka të bëjë edhe me betejë. Kur kemi parë që presidenti Thaçi ka shkuar me çështjen e korrigjimit të kufijve, ndërkohë kryeministri në dorëheqje e ka kundërshtuar këtë ide, duket krijon perceptimin se kemi të bëjmë me dy përfaqësuese të dy shteteve të ndryshme jo të të njëjtit shtet dhe kjo e dëmton vetë pozitën e Kosovës, pasi je duke lobuar për dy çështje të ndryshme dhe je më i dobët edhe ndaj partnerit tënd, kjo nuk duhet të ndodhë pasi një shtet serioz është një shtet që flet në një zë të vetëm”.
Krasniqi shprehet optimiste se Kosova do të t’i përmbyllë të gjitha proceset e hapura me Serbinë.
“Qeveria e Kosovës nuk e ka vendosur taksën si një mjet kundër dialogut Kosovë-Serbi dhe kjo ka qenë më se e qartë pasi shteti i Kosovës në vazhdimësi ka shprehur gatishmërinë e saj për të shkuar dhe për të pasur bisedime me Serbinë, në asnjë moment nuk ka pasur kushtëzime nga ana e Kosovës, ato kanë ardhur nga ana e Serbisë, derisa Serbia është në një proces normalizimi me Kosovën, atëherë edhe sjelljet e saj priten të jenë më konstruktive, nuk mund të kesh një proces normalizim me Kosovën dhe të njëjtën kohë të kesh edhe fushatë kundër shtetit të Kosovës, në të ardhmen presim nga të gjitha akterët të ndryshojnë qasjen e tyre. Nuk mund të jetë Kosova ajo e cila gjithmonë bën kompromise ndërkohë që Serbia gjithmonë është ajo e cila sillet në mënyrë destruktive apo nuk e ka qasjen e duhur për normalizmin të marrëdhënieve”.
“Kosova e ka shpreh qartazi që është për proces të dialogut, ky proces na dërgon drejtë rrugëtimin tonë evropian, ne duhet të jemi të përkushtuar në këtë rrugëtim. Vlerësoj që Kosova do të përmbyllë çdo gjë që ka me Serbinë ende të hapur në kuadër të çështjeve që ne i konsiderojmë të hapura, derisa është Serbia penguese ne duhet të ecim përpara dhe të shohim se si ta përmbyllim këtë proces. Dy vite jemi marrë me vete se kush duhet ta udhëheqë dialogun dhe duke shkuar në botë me teza të ndryshme, tani është koha që të tregojmë seriozitet të mirëfilltë si shtet”.
Për profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Ibrahim Gashin, vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi, ia pamundëson kësaj të fundit që të ulet në tavolinë me palën kosovare dhe të lobojë kundër Kosovës.
“Vazhdimi i dialogut ia pamundëson Serbisë që edhe me u ulë në dialog e edhe me punuar kundër Kosovës. Presioni i bashkësisë ndërkombëtare do të jetë mbi qeverinë e re që edhe ta pezullojë taksën, vetëm për t’i rikthyer palët në tavolinë, nuk jam shumë optimist që do ta kemi shpejtë marrëveshjen përfundimtare ose pala serbe do të lëvizë drejtë normailzimit dhe njohjes së Kosovës”, tha Gashi.
Tutje Gashi shprehet se Kosova duhet të bëj kujdes se me çfarë kërkesa mendon të ulet para Serbisë, pasi sipas tij, edhe pas taksës, presioni mbi Kosovën nga bashkësia ndërkombëtare është rritur shumë dhe se qeverinë e ardhshme do ta pres një sfidë e re dhe e madhe mbi këtë proces.
“Kemi gati dy vite që procesi është ndërprerë për shkak të një mase që ka vendosë Kosova, që ka të bëjë më mundësinë e eksporteve të mallrave serbe në Kosovë dhe kjo masë nuk është bërë me pengu dialogun, por me iu kundërpërgjigj një fushate agresive diplomacisë serbe për me minuar procesin e pavarësisë së Kosovës në planin ndërkombëtarë deri në shkallën e bindjes së shteteve për tërheqjen e njohjeve, mendoj që kjo masë madje ka qenë e pamjaftueshme, është dashur të shkohet edhe një hap më tutje dhe me pas masë reciprociteti për të gjitha çështjet, që Serbia me filluar me u sjellë ndaj Kosovës sikur ndaj secilit shtet të pavarur”.
“Serbia e ka shfrytëzuar vendosjen e taksës si pretekst me ndërpre dialogun, por jo pse taksa ka qenë masë e tillë, Serbia ka qenë e interesuar ta prolongojë dialogun, sepse e ka ditë që në fund të ditës do të përballet me një marrëveshje në tavolinë që duhet ta nënshkruajë. Serbia po gjen arsye mos me u ulë me bisedu me Kosovën. Presioni i bashkësisë ndërkombëtare është rritë shumë mbi Kosovën dhe më pak për Serbinë për vazhdimin e dialogut. Qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, do ta ketë të shkruar presionin ndërkombëtarë për të gjetur një zgjidhje për vazhdimin e dialogut”.
Gashi thotë se pala kosovare duhet të tregojë interesim për ta vazhduar dialogun pasi sipas tij pozicioni aktual i shtetit nuk është në favorin tonë.
“Besoj që bashkësia ndërkombëtare ka qenë e paanshme dhe fer me të dyja palët, ka përdorë edhe presionin edhe joshjen për të dy palët që të lëvizin drejtë një marrëveshje, ky presion ndërkombëtare do të jetë edhe më i madh kur të rifillojë dialogu. Pala kosovare duhet të tregojë interesim për ta vazhduar dialogun sepse ne nuk na konvenon ky pozicion, për faktin se ne jemi goxha në pozicion jo të mirë, nuk ka lëvizje drejtë liberalizmit, nuk ka investime”.
“Kushdo qoftë në qeveri unë besoj që do ta bëjë shpejtë datën e rifillimit. Çështja qysh dialogojmë me Serbinë është e ndjeshme dhe e rëndësishme dhe mendoj që ka tepër nevojë për një konsensus të brendshëm dhe ndërpartiak dhe mendoj që në të ardhmen duhet me u rritë roli i parlamentit në këtë proces negociator. Konsensusi i brendshëm për përmbajtjen e dialogut, është tepër i rëndësishëm dhe nuk guxojmë me vazhdu si deri më tani që të kemi pozicione të ndryshme, duhet të ketë një gjithëpërfshierje në fazat e dialogut”.