Europa po zgjohet ndaj nevojës së re për të mbrojtur veten, pas luftës së pamëshirshme që Rusia nisi në Ukrainën fqinje më 24 shkurt të vitit 2022. Teksa fëmijët në Lituani u rikthyen në klasa këtë vjeshtë, disa prej shkollave të tyre ishin shënjuar me ngjitëse të reja; qindra prej tyre ishin caktuar si vendstrehime për bomba.
Në Finlandë, forcat e mbrojtjes u praktikuan për të ulur avionët në autostrada. Planifikues nga vendet Baltike në veri te Rumania në jug, po shqyrtojnë me imtësi itineraret e mundshme nga ku do të kalojnë përforcimet ushtarake.
Ka plane për përforcimin e urave dhe shtimin e funksioneve ushtarake të transportit në aeroportet civile. Situata gjeopolitike në Europë ka ndryshuar drastikisht që prej zgjerimit të NATO-s në Lindje pas rënies së Perdes së Hekurt. Territori i NATO-s është zgjeruar në mënyrë drastike, çka nënkupton më shumë hapësirë për sulme të mundshme ruse e distancë më e madhe për t’u mbuluar me përforcime ushtarake.
Pas 25 vitesh me konflikte ushtarake të luftuara jashtë, aleanca papritur duhet t’i tregojë armikut se mund t’i përgjigjet kërcënimit kudo, përgjatë kufijve të saj. Nëse përforcime të mëdha do të vinin nga Atlantiku, me nevojën për t’u zhvendosur me shpejtësi drejt lindjes, pengesat që do të paraqiteshin do të ishin të shumta e do të përfshinin: mungesën e kapaciteteve hekurudhore, rrugë që janë shumë të ngushta ose të rrëpira; informacione të pamjaftueshme mbi rrugët dhe urat; hekurudha të papërshtatshme dhe burokraci paralizuese.
Ne nuk kemi kapacitete të mjaftueshme transporti ose në infrastrukturë që të mundësojë lëvizjen e shpejtë të forcave të NATO-s rreth Europës. “Deutsche Bahn”, nga e cila varemi shumica prej nesh, ka mjaftueshëm hekurudha për të zhvendosur një brigadë e gjysmë në të njëjtën kohë”, thotë Ben Hodges Gjeneral, ish-komandant i ushtrisë amerikanë në Europë.
Ka sfida në kapacitete, ligjore e diplomatike që duhen luftuar para se të arrijmë nivelin e lëvizshmërisë që do të kërkonin komandantët dhe liderët tanë politikë. Finlanda, të cilën Bashkimi Sovjetik u përpoq të pushtonte gjatë Luftës së Dytë Botërore, po vë mënjanë një shumë fillestare prej 145 milionë urosh për të blinduar pjesë kritike të kufirit me Rusinë, që deri më tani ishte thjeshtë një vijë konceptuale në një pyll masiv.
Forcat ajrore të Finlandës, që kanë urdhëruar një flotë të re të bombarduesve F-35 për 9,4 miliardë dollarë dhjetorin e kaluar, praktikoi ulje dhe ngritje të avionëve në dhjetëra autostradat rezervë të vendit. Forcat ajrore kanë si strategji shpërndarjen dhe fshehjen e tyre në rastin e një kërcënimit. “Ajo që mësuam nga lufta ruse kundër Ukrainës është se lufta është një test vullneti dhe logjistike”, thotë Hodges.
Imazhet e njerëzve që fshihen për t’u shpëtuar bombave në Ukrainë ndryshuan fokusin në kryeqytetin e Lituanisë, dikur i udhëhequr nga Moska por tani pjesë e BE dhe NATO-s, mbi nevojat e veta për strehim… Qyteti i ka rizhvilluar bunkerët e kohës sovjetike dhe asgjë nuk është bërë për ti zëvendësuar ato. Bodrumi i Jeruzales, një shkollë në një rrugë të qetë të Vilniusit, që funksionon si gardërobe për veshjet e fëmijëve, është një prej 370 zonave që qyteti ka caktuar si vendstrehime. Së bashku ato mund të strehojnë deri në 210 mijë njerëz, një e treta e popullsisë.
“Njerëzit e panë se çfarë ndodhi në Ukrainë dhe tani të flasësh me entitete private, me kopshtet, mësuesit e të tjerë është më e lehtë. Edhe pse jetojmë në kohë paqeje reagimi mund të jetë i ndryshëm. Tani të gjithë e dinë se çfarë duhet të bëjnë për të qenë më të sigurt. Fizikisht zhvendosja e tankeve, kamionëve dhe ushtarëve për të përforcuar një front lufte më në lindje është një sfidë e madhe”, thotë Adomas Buzinskas, thotë zyrtar në Bashkinë e Vilnius.
Në një mëngjes të mjegullt tetori, një tren i ushtrisë çeke me 18 vagonë, i ngarkuar me tanke, kamionë dhe personel prej 730 personash, ndaloi për më shumë se 18 orë në stacionin e vogël rural të Sestokai në Lituani, pranë kufirit polak, në rrugën e tij drejt një stërvitje ushtarake. Ndalesa ishte e nevojshme për të kaluar pajisjet dhe personalin në një tren tjetër, pasi shinat e hekurudhave në vendet baltike janë shtruar nga Rusia dhe janë 8,5 cm më të gjera se sa ato standard në pjesën më të madhe të Europës kontinentale.
Një vinç u përdor për të transferuar tanket dhe kamionët në një tren të afërt, dhe u deshën mbi 10 punonjës të hekurudhës e më shumë se 2 orë për të vendosur siç duhet pajisjet në vagonët e tjerë. Një hekurudhë e shpejtësisë së lartë prej 5,8 miliardë eurosh, e financuar nga Bashkimi Europian, RailBaltica, pritet të lidhë Varshavën me kryeqytetet e vendeve Baltike, Vilnius, Riga dhe Talinn, deri në 2020-tën.
Por deri më tani janë dhënë vetëm 1,2 milionë euro. “Është e mirëdokumentuar në fakt, se kur shkon nga Polonia në Lituani, të duhet të ndryshosh disa trena pasi Lituania, Letonia dhe Estonia janë ende në hekurudhën e vjetër ruse ashtu si Ukraina dhe Gjeorgjia”, thotë Hodges. “Çdo përpjekje për të ndihmuar në përshpejtimin e dërgimit të trupave drejt lindjes nuk do t’i pengonte ata të ngecnin në kilometrat e fundit, në rrugët me gropa të Rumanisë”.
Autostradat përbejnë vetëm 5,3 për qind të rrjetit rrugor rumun. Vetëm 11 për qind e rrugëve kanë 4 korsi. Zhavorri dhe rrugët e pista përbëjnë 28 për qind të rrugëve, sipas të dhënave të Bordit Komëbtar të Statistikave. Në qytetin qendror të Brasov në Rumani, ku është krijuar një batalion i ri i NATO-s i kryesuar nga trupat franceze, aksesi vështirësohet nga një urë drejt prishjes. Ura Voila e cila është gati 7 dekada e vjetër, nuk përballon dot një trafik të lehtë e jo më ngarkesat e rënda të tankeve dhe mjeteve të blinduara. E gjithë lëvizja është pezulluar, sipas kryebashkiakut atje, dhe një urë e re nuk pritet të përfundojë deri vitin e ardhshëm. “Sa më në lindje të shkosh, aq më e vështirë bëhet, pasi infrastruktura nuk është e mirë. Urat atje nuk mund të mbajnë peshën e tankeve moderne Abram, Leopard ose britanikun Challenger”, thotë Hodges.
Bashkimi Europian thotë se lufta ruse në Ukrainë ka shtuar urgjencën për ta bërë infrastrukturën e përshtatshme për përdorim të dyfishtë, civil dhe mbrojtës, dhe po përshpejton financimet për projekte që mbështesin lëvizshmërinë ushtarake. Brukseli ka alokuar 1,6 miliardë euro për projekte të lëvizshmërisë ushtarake në bllok për periudhën 2021-2027, pjesë e një buxheti më të gjerë prej 33,7 miliardë eurosh, i njohur si Connecting Europe Facility. Projekti koordinohet nga Holanda.
Hodges vlerëson se shuma e ofruar nuk është e përshtatshme dhe thotë se nuk është NATO që merret me rrugët, por Bashkimi Europian, si i vetmi institucion që ka resurset dhe autoritetin për të ndryshuar rregullat. “Në fillim, më shumë se 6 miliardë euro u ndanë për përmirësimin e lëvizshmërisë ushtarake, për të përmirësuar cilësinë e rrugëve, për të zgjeruar tunelet dhe për forcimin e urave. Dhe tani buxheti është reduktuar në më pak se 2 miliardë. Fatkeqësisht, këto para nuk janë të mjaftueshme dhe kjo nuk është diçka që e bën NATO. NATO nuk ndërton rrugë, është përgjegjësi e BE”, thotë Hodges.
Në hartën e autostradave të Europës, zona perëndimore që mbulon Gjermaninë dhe Holandën është mbushur me rrugë. Në ish-kufirin mes Gjermanisë lindore dhe perëndimore ato tkurren në 3 ose 4 autostrada, dhe ka vetëm një që shkon në Baltik. Kjo lidhje mes vendeve Baltike dhe pjesës tjetër të Europës është një vijë e gjatë prej 100 km përgjatë kufirit polako-lituanez i njohur si Korridori Suwalki.
Zona me popullsi të rrallë, e mbuluar nga toka bujqësore dhe kodra të ulëta është një vend strategjik në rastin e një lufte. Si ndarëse e enklavës ruse të Kaliningradit nga Bjellorusia miqësore me Rusinë, nëse pushtohet nga Rusia do të izolonte shtetet baltike nga pjesa tjetër e NATO-s.
Edhe pse kanë kaluar muaj nga nisja e fushatës agresive në Ukrainë, zona ku takohen kufijtë e Rusisë, Lituanisë dhe Polonisë, është ene e qetë, dhe rrallë e frekuentuar edhe nga rojet kufitare.
“Jemi të përgatitur dhe nuk kemi frikë nga Rusia. Nuk kemi frikë nga asnjë sulm. Historia ka treguar se ne polakët, jemi në gjendje të mbrojmë vendin tonë. Qoftë korridori Suvalki, apo çfarëdo kufiri tjetër, nuk është problem”, thotë Jacekjusz Kiewicz, zyrtar i qytetit të Suvalki. .
Lidhja me vendet baltike do të jetë pjesë e një përpjekje prej35 miliardë eurosh për të përmirësuar lëvizshmërinë ushtarake rreth Europës qendrore e njohur si Nyja e Transportit të Solidaritetit. Ajo do të përfshijë një aeroport të ri Solidariteti me një bazë ushtarake ne gjendje për të menaxhuar 40 milionë pasagjerë në vit, një hekurudhë të integruar dhe një sistem rrugor që do të shkurtojë kohën e transferimit mes Varshavës dhe qyteteve më të mëdha polake me më pak se 2.5 orë.
Nëse gjithçka do të shkojë sipas planit, investimet do të përfundojnë në 2028. Si pjesë e programit, nga viti 2034Polonia do të ndërtojë 2 mijë km hekurudha, qindra km autostrada të shpejta dhe ura që do ta bëjnë sistemin e transportit më rezistente ndaj sulmeve. “Mendoj se ka një ndjesi urgjence pasi të gjithë jemi zgjuar tashmë nga kërcënimi i asaj që Rusia po bën. Dhe kjo nuk është diçka akademike, nuk është thjesht një çështje debati, është diçka reale. Kështu jam optimist, por do të doja të kishim vepruar me shpejt…”, thotë Hodges.