Gent Cakaj, ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, në Rubikon të KTV-së, ka treguar se si ka ardhur deri në këtë post.
Ai i ka hedhur poshtë deklaratat e përfolura në publik se ka qenë Baton Haxhiu ai që e ka bërë ministër atë në kabinetin e Edi Ramës.
“Mua më ka njoftuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, shefja aktuale e kabinetit të kryeministrit. Kam pasur disa takime paraprake me të, kam pasur komunikim aktiv me kabinetin e kryeministrit. Në momentin që e kam marrë shtetësinë shqiptare, kam punuar aktivisht me zyrën e kryeministrit. Rama më ka emëruar Koordinator kombëtar për skrining, dhe kam qenë zv/ministër përgjegjës për Integrimin. Bazuar në performancën time, kryeministri Rama ka vendosur të ma besojë detyrën e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme. Asnjëherë s’ka qenë në pyetje çështja e Kosovës për mua, e as për largimin e ministrit paraprak. Në intervistën e dhënë më 2018, ku unë supozohet se kam mbështetur idenë e shkëmbimit të territoreve, unë aty them se nëse një marrëveshje e tillë është precendet për të gjitha të arriturat e Ballkanit Perëndimor, atëherë nuk duhet të ndodhë”, ka thënë Cakaj.
Ai sqaron më tej deklaratat e tij në këtë intervistë, ku thekson se ka hedhur poshtë idenë e ndryshimit të kufijve të Kosovës.
“Unë them më pas se ndryshimet e kufijve në rajon duhet të përjashtohen kategorikisht. Më pas them se shfrytëzoj rastin të jem kritik për idenë e ndryshimit të kufijve, dhe nuk do të mbështes një marrëveshje të tillë. Kam përmendur Rumaninë dhe vende tjera. Deklarata ime e parë publike në jetë ka qenë te Blendi Fevziu, në shkurt më 2018, unë kam qenë kundërshtari i kësaj ideje, pra për shkëmbimin e territoreve”, u shpreh më tej ministri në detyrë Cakaj.
Duke iu referuar akuzave se ka shërbyer kundër interesave të Kosovës dhe kundër interesave kombëtare, Cakaj thotë se përderisa është në detyrë dhe akuzat i janë bërë në, “nuk mund të flas derisa jam në detyrë, sepse kam kufizim në komunikim”.
Thotë se edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në dekretin e tij ku ka kundërshtuar emërimin e tij në postin e ministrit, “ka nxjerrë jashtë kontekstit deklaratat e mia për ndryshimin e kufijve”.
“Unë kam bërë analizë, por s’kam marrë qëndrim. Përderisa për këmbim të kufijve është folur për dhënien e veriut të Kosovës e marrjen e Preshevës, kam thënë se ai term, përveç që është relativizim gjuhësor, tani më nuk po e konceptojnë sikur ndryshim të madh të territoreve midis Kosovës e Serbisë, por ekziston një prirje për ta paraqitur si një proces të natyrshëm të ndryshimit të kufijve. Nëse një fjali e tillë ka bazë për të më paraqitur mua si shërbëtor për ndarjen e Kosovës, në rastin më të mirë është padituri e në rastin më të keq dashakeqësi, por mund të jenë edhe të dyja. Kushdo që ka pasur dëshirë, qoftë për shkak të xhelozive a inateve personale, që ka synuar të më vendos mua në shërbim të kësaj agjende – ose ka qenë dashakeq ose i paditur”, potencoi Cakaj.
Të palogjikshme dhe me kundërthënie e ka cilësuar Gent Cakaj, ministër në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, deklaratën e kryeministrit në largim të Kosovës, Ramush Haradinaj, që tha se Cakaj ka punuar kundër Kosovës dhe ka punuar në mënyrë aktive për shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë.
Cakaj ka thënë se s’ka punuar kurrë për një gjë të tillë dhe është i gatshëm të japë përgjegjësi nëse publikohet diçka që tregon se ai ka punuar për ndarjen e Kosovës.
“Deklarata e kryeministrit, nëse unë e kam lexuar me saktësi, nëse ishte e raportuar saktësisht, thuhet se Cakaj ka tetë muaj që nuk e mbështet më këtë ide, por se në fillim ishte entuziast. Unë që tetë muaj kam marrë detyrën në tërësi. Që nënkupton është deklaratë me pakoherencë logjike e kundërthënie të brendshme. Deklaratë që për 30 sekonda ka pakoherencë logjike s’ia vlen të komentohet. E palogjikshme dhe e pavërtetë. Për shkak të edukatës s’po lëshohem në deklarata tjera”, ka thënë ai në Rubikon të KTV-së.
“Sa i përket ndarjes, që nga dita e parë e punës e deri sot as s’e kam mbështetur këtë ide e as s’ka një diplomat në minutat e takimit ku mund të gjendet mbështetje e kësaj ideje, nëse ka le të zbulohet dhe do të jap përgjegjësi. S’e kam mbështetur këtë ide, as aktivisht as pasivisht. S’ka diplomat ndërkombëtar që ka hyrë në zyrën time për të kërkuar mbështetje për një gjë të tillë, për ndarje apo dëmtim territorial të Kosovës. Asnjëherë. Është spekuluar shumë dhe kam heshtur qëllimisht sepse kam konsideruar se është jodinjitoze të merrem me fantazitë më të shfrenuara të njerëzve”, ka thënë ai duke shtuar se nëse Shqipëria do të donte diçka të tillë “s’do të zgjidhte një 28-vjeçar si unë pa ndikim në dialog e pa kontroll në struktura”.
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, ka thënë se Shqipëria do të largohet nga iniciativa e mini-Schengenit ballkanik në rast se Serbia bën probleme në raport me Kosovën.
Cakaj, në një intervistë në Rubikon të KTV-së, ka thënë se termi Mini-Schengen duhet të ndryshojë, ndërsa ka theksuar se takimi i parë trelateral mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrit në largim të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në Novi Sad të Vojvodinës së Serbisë, u ka bërë thirrje edhe liderëve të tri shteteve tjera të Ballkanit që t’i bashkohen kësaj iniciative.
“Ka qenë takim trelateral në vazhdën e takimeve të mëhershme. Shumë shpejt pritet të kemi një taksim trelateral me Malin e Zi e Kroacinë, me Kroacinë e Kosovën, e kështu me radhë. Nuk do të jetë ndërmarrje trelaterale. Kryeministri Rama e ka pasur kusht thelbësor të panegociueshëm, që nëse Kosova përjashtohet nga ky bashkëpunim, Shqipëria tërhiqet menjëherë. Aty u është bërë ftesë tri shteteve tjera, Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës, që t’i bashkohen kësaj iniciative”, ka thënë Cakaj, raporton Koha.net.
Ai tha se edhe kreu i LVV-së, Albin Kurti, partia e të cilit fitoi zgjedhjet e 6 tetorit dhe që është pretendenti kryesor për të marrë postin e Kryeministrit, ka thënë se është i interesuar të marrë më shumë informacione për këtë iniciative.
“Shqipëria s’bëhet pjesë e asnjë iniciative ku përjashtohet Kosova. Kjo iniciativë nuk është finalizuar ende sepse pritet kontributi i shteteve tjera të Ballkanit. Përfshirja e Kosovës është kusht që Shqipëria të vazhdojë të jetë pjesë e kësaj iniciative”, deklaroi ministri në detyrë i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj.