Eurodeputetët e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian kanë votuar sot një raport për ecurinë e Shqipërisë në proceset euro-integruese.
Sipas një njoftimi të publikuar nga PE, raporti u miratua ditën e sotme me 52 vota pro, 5 kundër dhe 10 abstenime, teksa shtohet se eurodeputetët “përshëndesin angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për integrimin në BE”
Siç bëhet e ditur, eurodeputetët u bëjnë thirrje vendimmarrësve të punojnë së bashku drejt përmbushjes së kritereve të anëtarësimit në Union, jo më vonë se 2030.
Ndërsa, çështje në të cilat duhet të punojnë aktorët politikë në vend janë bashkëpunimi mazhorancë-opozitë, liria e medias, reduktimin e retorikës përçarëse, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Më konkretisht, raporti thekson se qeveria duhet të avancojë më tej agjendën e reformave të BE-së në bashkëpunim me opozitën dhe të gjitha segmentet e shoqërisë.
-Dënohet konfrontimi i qëndrueshëm politik, veprimet përçarëse dhe retorika nxitëse nga politikanët dhe zyrtarët e nivelit të lartë.
-Theksohet rëndësia e ndërtimit të një kulture parlamentare konstruktive duke nxitur konsensusin midis të gjithë aktorëve politikë.
-Eurodeputetët shprehin keqardhjen që partitë kryesore politike nuk arritën një marrëveshje për reformën zgjedhore.
-U bëhet thirrje autoriteteve shqiptare që të zbatojnë urgjentisht ndryshimet e pazgjidhura në kuadrin e financimit të zgjedhjeve dhe partive, shumë përpara zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës.
-Eurodeputetët theksojnë se nevojiten përpjekje më të strukturuara dhe të qëndrueshme për të luftuar korrupsionin, përfshirë në nivele të larta.
-Bëhet thirrje për rezultate shtesë në luftën kundër krimit kibernetik, trafikimit të qenieve njerëzore dhe pastrimit të parave.
-Raporti shpreh keqardhje për mungesën e progresit në arritjen e transparencës institucionale dhe përkeqësimin e situatës së lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias dhe u bën thirrje autoriteteve të miratojnë një kornizë ligjore që mbron gazetarët, mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe palët e tjera të interesuara nga paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike.
-Së fundi, eurodeputetët vënë në dukje se Shqipëria është shënjestruar shumë nga dezinformimi rus dhe sulme të tjera hibride dhe duhet të forcojë mbrojtjen e infrastrukturës së saj kritike, sigurinë kibernetike, kundër-dezinformimin dhe masat e tranzicionit energjetik.Njoftim i Parlamentit Europian
Raporti pritet të dorëzohet për votim në Parlamentin Evropian në një seancë plenare që do të mbahet në qershor.