Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, theksoi sot se mos hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk ka lidhje me këto dy vende.
Në një intervistë televizive ministri Cakaj tha se vendimi ka lidhje me problemet e brendshme që kanë vendet anëtare për të ardhmen e Europës.
“Negociatat nuk u hapën as për Shqipërinë as për Maqedoninë e Veriut për dy arsye, e para sepse realisht vendimi i Këshillit Europian nuk kishte të bënte me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por me kundërthëniet e brendshme që ekzistojnë brenda vendeve anëtare për të ardhmen e Europës dhe e dyta, sepse të dy vendet kanë plotësuar kushtet dhe si rrjedhojë nuk u mor vendimi për asnjërën”, nënvizoi Cakaj.
Ministri Cakaj sqaroi se “Komisioni Europian bën vlerësimin nëse vende aspirante për anëtarësim kanë bërë progresin e mjaftueshëm në rrugëtimin e tyre europian, për shembull ka një tjetër vlerësim për hapjen e negociatave dhe një tjetër vlerësim për mbylljen e kapitujve 23 dhe 24”.
Sipas tij, për hapjen e negociatave Komisioni Europian ka dhënë dy raporte, të cilat konfirmojnë se të gjitha kushtet teknike janë përmbushur.
“Premisa kryesore për t’u anëtarësuar në BE ka qenë që të përmbushen kushtet e vendosura nga vendet anëtare. Pavarësisht rekomandimeve pozitive, KE nuk e ka parë të arsyeshme të na hapë negociatat”, – tha Cakaj.
Ministri Cakaj theskoi se “9 kushtet e Bundestagut nuk janë kushte për çështjen e hapjes së negociatave, për shkak se qëndrimi i Bundestagut ka qenë që të fillohet me procesin e negociatave, ka qenë një “Po” me kushte, Në rrethanat ku ka qenë Shqipëria më e rëndësishme ka qenë “Po”-ja sesa kushtet për shkak se ajo ka qenë konfirmimi përfundimtar politik se procesi i bisedimeve po fillon”.
Lidhur me minishengenin ballkanik Cakaj u shpreh se “ka filluar një nismë mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, e cila nuk është një nismë e mbyllur trilaterale, është një takim trepalësh me përpjekje për tu zgjeruar në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe është në nivel diskutimesh dhe idesh që duhet të zhvillohen në nivel të projekteve konkrete”.
“Është një takim trepalësh i hapur për përfshirjen e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe përfshirja e vendeve të tjera është vlerë e shtuar në këtë proces, sepse ne nuk kemi nevojë për krijimin e një mini Ballkani superior në Ballkanin Perëndimor, përgjithësisht të brishtë”,- tha Cakaj.
I pyetur për dialogun Kosovë-Serbi, Cakaj tha se “Shqipëria do të qëndrojë në krah të Kosovës, sa i takon dialogut Kosovë – Serbi: e para që Kosova duhet ta përcaktojë platformën e saj politike dhe Shqipëria do ta mbështesë pa kushte. E dyta që Shqipëria konsideron që njohja e Kosovës nga ana e Shqipërisë është e domosdoshme për një marrëveshje të qëndrueshme dhe e treta ne konsiderojmë se një marrëveshje e tillë duhet të bëhet nën bekimin e SHBA-së dhe BE-së. Unë nuk kam ardhur si rrjedhojë e një komploti për ndryshimin e kufijve të Kosovës, as e kam mbështetur, as kam udhëhequr ndonjë fushatë në shërbim të kësaj ideje. Republika e Shqipërisë nuk mund të ketë qëndrim për dialogun Kosovë-Serbi duke anashkaluar Kosovën, apo pavarësisht qëndrimeve të Kosovës”.
Ministri Cakaj tha se “është e rëndësishme që me qeverinë e re të Kosovës të krijojmë po ashtu një platformë të përbashkët lidhur me dialogun karshi Serbisë”./ATSH/