Pas inicimit të qeverisë për të legalizuar kanabisin për qëllime mjekësore, ka dalë në dritë edhe projektligji që parashikon procedurën ligjore për ushtrimin e këtij aktiviteti.
Në projektligjin që parashikon legalizimin e kabanisit janë paraqitur kushtet për të marrë licencën, kontrolli dhe sipërfaqja e lejuar për të ushtruar këtë veprimtari në mënyrë që lënda narkotike të përdoret për qëllime mjekësore.
Përveç ngritjes së Agjencisë Kombëtare për kontrollin e kanabisit që do të jetë në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë parashikohen edhe kushtet e dhënies së licencës dhe lejeve për subjektet e interesuara. Në projektligj parashikohet gjithashtu se licenca do të lëshohet për një periudhë 15-vjeçare me të drejtë rinovimi.
“Licenca jepet për një ose disa veprimtari, sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij neni, për një periudhë 15-vjeçare, me të drejtë rinovimi me kërkesë për secilin nga aktivitetet dhe bazuar në procedurën përzgjedhëse të organizuar nga Agjencia.
Formati i licencës për ushtrimin e aktiviteteve të lidhura me prodhimin e cannabis-it për qëllime mjekësore miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë”, thuhet në projektligj.
Në projektligj përcakohet edhe sipërfaqja që lejohet për të ushtruar aktivitetin e kanabisit për qëllime mjekësore.
“Licenca për aktivitetin e kultivimit jepet vetëm në sipërfaqe të hapura, të mbuluara ose sera. Sipërfaqja e njësisë së licencës të aktivitetit për kultivim të cannabis-it për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e vogël se 5 hektarë dhe jo më e mëdhe se 10 hektarë”, shkruhet më tej në projektligj.
Në projektligj parashikohet edhe ngritja e Komisionit të Licencave që do të administrojë dhe verifikojë kërkesat që do të paraqesin subjektet e ndryshme për të ushtruar veprimtarinë e kanabisit për qëllime mjekësore.
Licenca për çdo kompani të interesuar miratohet nga qeveria bazuar mbi disa kritere dhe procedura përzgjedhëse të organizuara nga Agjencia Kombëtare e Kanabisit dhe sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e madhe se 200 hektarë në rang kombëtar.
Për t’u pajisur me licencë parashikohen disa kritere duke nisur së pari që kompania të ketë eksperiencë 3-vjeçare në kultivimin, prodhimin, përpunimin, qarkullimin dhe administrimin e bimës së kanabisit.
“Të ketë eksperiencë 3-vjeçare në të paktën 3 nga aktivitetet kryesore, si prodhimi, kultivimi dhe qarkullimi i bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore; Subjekti ose një aksionar i tij, i cili zotëron 51% të aksioneve të shoqërisë, duhet të jetë ushtrues i veprimtarisë së prodhimit të nënprodukteve të bimës së cannabis-it në një nga vendet e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim për të paktën 5 vite; të jetë zotërues i praktikave të mira të prodhimit, të lëshuar nga Agjencia Evropiane e Barnave ose Agjencia Amerikane për Ushqimin dhe Barnat për të paktën 3 vite; të ketë kapital të shoqërisë jo më të vogël se 100 000 000 (njëqind milionë) lekë”, shpjegohet në projektligj.
Por për t’u pajisur me licencë, subjekti, administratori, anëtarët e organeve drejtuese, ortakët apo aksionarët nuk duhet të jenë në ndjekje penale apo në në gjykim për ndonjë vepër penale.
Në raste shkeljesh do të ketë edhe penalitetet që janë gjobë nga 500 mijë lekë deri në 5 milionë, si dhe ndalimi i përkohshëm i kryerjes së veprimtarisë për një periudhë nga 6 muaj deri në 3 vjet.
Mes kritereve për të aplikuar për licencë është vetëdeklarimi për punësimin për të paktën 10 persona për çdo njësi, 2 prej të cilëve duhet të jenë punonjës të kualifikuar në fushën e farmacisë dhe agroinxhinierisë, me përvojë pune jo më pak se 3 vjet në fushën përkatëse.
Subjektet duhet të bëjnë një vetëdeklarim se pas vitit të tretë do të paguajë një tarifë vjetore të barabartë me 1,5 % të qarkullimit vjetor, por në çdo rast, jo më pak se 10,000,000 lekë.
Gjithashtu Subjektet duhet të paraqesin garanci bankare në masën 10% të vlerës së investimit, si edhe të paraqesin vetëdeklarim se do të plotësojë të gjitha kërkesat për gjurmueshmërinë, sipas përcaktimeve të këtij ligji.
Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë mund të pezullojë licencën nëse subjekti “nuk zbaton legjislacionin në fuqi dhe aktet nënligjore të nxjerra për ushtrimin e aktiviteteve, për të cilat është licencuar; shkel kushtet e licencës; nuk paraqitet brenda afatit të caktuar për ndryshimin e të dhënave të licencës; shkel në mënyrë të përsëritur kushtet e licencës; shkel në mënyrë të përsëritur legjislacionin në fuqi për ushtrimin e aktiviteteve, për të cilat është licencuar; kërkon shfuqizimin e licencës; nuk fillon zhvillimin e aktivitetit brenda një afati prej 12 muajsh nga miratimi i licencës; e ka marrë licencën nëpërmjet mashtrimit; deklarohet i falimentuar dhe nuk është i aftë të kryejë detyrimet, sipas kushteve të kësaj licence; me mbarimin e personit juridik, mbajtës i licencës”.