SPAK po heton një sërë veprash penale në fushën e krimeve kibernetike që dyshohet se janë kryer nga organizata e MEK e strehuar në Shqipëri. Me interes për çështjen janë materialet që do të zbulohen në pajisjet e sekuestruara.
SPAK po heton 6 vepra penale që muxhahedinët dyshohet se kanë kryer gjatë qëndrimit në kampin Ashraf 3 në Manzë. Procedimi 130 i vitit 2023 është regjistruar me dyshimet për “provokim i luftës” “përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”, “ndërhyrje në sistemet kompjuterike” dhe “keqpërdorim i pajisjeve” që parashikohen në nenin 293 e në vazhdim të kodit penal shqiptar.
Të gjitha këto vepra sipas SPAK janë kryer në kuadër të “grupit të strukturuar kriminal” por me interes për hetimin pritet ekspertiza teknike e rreth 150 pajisjeve të sekuestruara, mes tyre kompjuterë, servera dhe USB. Në dosjen e SPAK theksohet se anëtarët e MEK që njihen si opozita e Iranit dyshohet se kanë kryer disa sulme kibernetike në periudha të ndryshme kohore në drejtim të Republikës Islamike të Iranit. Po në dosjen e Prokurorisë se Posaçme ku thuhet se referimi është bërë nga njësia C në Policinë e Shtetit, ngrihen dyshime se pjesëtarë të organizatës së MEK janë të përfshirë edhe në aktivitetin kriminal të terrorizmit dhe financimit të tij.
Pjesë nga dosja hetimore:
Në kushtet ku ka dyshime të arsyeshme se organizata “MEK” nga territori i Republikës së Shqipërisë ka kryer sulme kibernetike ndaj Republikës Islamike të Iranit në disa periudha të ndryshme kohore dhe drejt disa institucioneve të shtetit të Iranit.
Duke qenë se statusi i qëndrimit të organizatës “MEK” në Shqipëri është humanitar Republika Islamike e Iranit në vazhdimësi ka pretenduar duke ngritur këto dyshime si dhe në mënyrë të vazhdueshme kërcënon se do të ndërmarrë sulme ndaj Shqipërisë dhe organizatës “MEK”. Po ashtu, Republika Islamike e Iranit ka kryer sulme kibernetike ndaj Republikës së Shqipërisë përpara disa kohësh, gjë e cila ka cenuar seriozisht sigurinë kibernetike dhe integritetin kibernetik të shtetit shqiptar.
Me qëllim gjetjen e serverave apo pajisjeve të tjera kompjuterike që mund të jenë përdorur për sulmet kibernetike nga territori i Republikës së Shqipërisë është e domosdoshme kryerja e kontrollit në vendqëndrimin e pjesëtarëve të organizatës “MEK”, në Durrës, Shqipëri.
Në rastin konkret nga hetimet e deritanishme dhe të dhënat e referuara nga ana e policisë gjyqësore rezulton se ka dyshime për faktin se pjesëtarë të organizatës “MEK”, me vendqëndrim në Manzë, Durrës, Shqipëri, janë të përfshirë në aktivitet kriminal të terrorizmit dhe financimit të terrorizmit.
Gjithashtu ka rezultuar se gjatë vitit 2022, shteti, institucionet shqiptare janë prekur nga disa sulme kibernetike të cilat për pasojë kanë sjellë çrregullime të veprimtarisë së përditshme të strukturave të Policisë së Shtetit dhe institucioneve të ndryshme kritike. Sipas të dhënave ky sulm kibernetik dyshohet se mund të jetë kryer nga struktura të inteligjencës iraniane për faktin se në Shqipëri strehohen një numër i konsiderueshëm anëtarësh të organizatës së “MEK” që praktikisht janë opozita e regjimit iranian.
Më datë 08.09.2022, Këshilli i Ministrave vendosi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Iranit, si dhe u bë largimi i gjithë stafit diplomatik nga territori i Republikës së Shqipërisë. Nga monitorimi i burimeve të hapura (rrjete sociale) e në vazhdimësi ka rezultuar se gjatë fundit të vitit 2022, u konstatua një rritje e retorikes kërcënuese nga Republika Islamike e Iranit dhe strukturave të Inteligjencës së tyre për të kryer sulme të mundshme, përfshirë edhe sulme me dron ndaj organizatës “MEK” me qëndrim prej disa vitesh në Shqipëri.
Nga hetimi rezulton se më datë 18.05.2023 nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore në njësinë “C”, Hetimi i Krimit Kompjuterik pranë Departamentit të Policisë Kriminale si dhe oficerëve të policisë gjyqësore në Drejtorinë e Antiterrorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, është referuar kallëzimi penal për veprat penale “Provokim i luftës”, “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike”, “Keqpërdorimi i pajisjeve”, te parashikuara nga nenet 221, 293/a, 293/b/c dhe 333/a të Kodit Penal.
Nga ana e tyre, është referuar fakti se dyshohet se nga organizata “MEK” (Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit) nga territori i Republikës së Shqipërisë ka kryer sulme kibernetike ndaj Republikës Islamike të Iranit në disa periudha të ndryshme kohore, si dhe drejt disa institucioneve në shtetin iranian.