Të martën, Kuvendi i Shqipërisë do të vendosë për lirinë e Arben Ahmetajt. Me urdhër të kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, Këshilli i Mandateve do të shqyrtojë kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e deputetit socialist.
Për mbledhjen me dyer të mbyllura është njoftuar edhe ish-numri dy i qeverisë për të marrë pjesë në këtë proces parlamentar. Pasi socialistët dhe demokratët të njihen me dosjen hetimore të vënë në dispozicion nga Prokuroria e Posaçme, ata do të marrin vendimin për fatin e Arben Ahmetaj. Këshilli i Mandateve, sipas rregullores së Kuvendit, brenda dy javëve duhet të hartojë një raport për t’ia përcjellë seancës plenare, e cila merr vendimin përfundimtar.
Arben Ahmetaj nuk është rasti i parë brenda radhëve të socialistëve i cili do të përballet me dilemat politike dhe verdiktin e drejtësisë. Këtë rrugë parlamentare dhe gjyqësore e ka kaluar ish-ministri i Brendshëm, njeriu i besuar i Ramës, Saimir Tahiri, i cili pretendonte se kishte mbështetjen e kolegëve të selisë rozë. Besim që iu thye kur Tahiri u prangos për të vuajtur dënimin. Pasi kryeministri vendosi precedentin që përgjegjësia është personale, ish-ministri Lefter Koka, i gjendur përballë akuzave për incineratorët, hoqi dorë nga marrja e mandatit të deputetit.
Të njëjtin skenar ndoqi edhe Alqi Bllako, që pas shumë negociatash, pak minuta para se të mblidhej Këshilli, dorëzoi mandatin në Kuvend.
Arben Ahmetaj ka qenë njeriu i besuar i Edi Ramës, duke i shërbyer në kabinetin qeveritar si ministër i Zhvillimit Ekonomik, më pas i Financave dhe në fund si njeriu që drejtoi procesin e Rindërtimit. Përveç administrimit të buxhetit të shtetit, ai mbajti edhe postin e zv/kryeministrit, duke firmosur çdo vendim apo projektligj të ekzekutivit në mungesë të Kryeministrit.
Në korrik 2022, Edi Rama e shkarkoi nga numri dy i qverisë, duke e zhveshur edhe nga postet partiake, pasi nuk e la më as si drejtues politik për Vlorën. Përplasjet mes tyre u evidentuan publikisht, pasi në një emision televiziv Ahmetaj i kërkoi shefit të tij që të mos bënte gjykatësin, por punën e Kryeministrit. Edi Rama iu përgjigj nga oborri i Partisë Socialiste: “Nëse unë do të kisha bërë rolin e gjykatësit, gjërat do të kishin qenë shumë më keq”.
Pa komentuar kërkesën për arrestimin, Kryeministri u shfaq në publik i pashqetësuar, teksa ende mbeten pikëpyetjet mbi reagimin e ish-bashkëpunëtorit të tij.
I njohur me pseudonimin “Tigri”, ndonëse jo për arsye politike, Arben Ahmetaj rrezikon të shtojë problemet për socialistët, nëse vendos të “kafshojë” për t’u mbrojtur. Për të minimizuar këto rreziqe, duket se u mblodhën disa prej njerëzve më të afërt të Kryeministrit, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të PS. Me ta u bashkua edhe Ministri i ri i Brendshëm si dhe ai i Drejtësisë.