Këshilli Kombëtar i thirrur në një mbledhje online nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, ka vendosur të pranojë dorëheqjen e ish- kryetarit të PD-së, Lulzim Basha dhe të nënkryetarit, Enkeljd Alibeaj.
Por Këshilli nga ana tjetër, ka vendosur të shtyje për një mbledhje tjetër vendimin për të pranuar ose jo dorëheqjen e dy nënkryetarëve të PD-së, Jorida Tabaku dhe Agron Gjekamarkaj, pasi, sipas Këshillit, dorëheqja e tyre nuk është e parevokueshme.
Tre anëtarët e Komisionit të Drejtimit të Mbledhjes, Dhurata Çupi, Bledion Nallbati dhe Lefter Gështenja, që në fillim të mbledhjes janë shprehur se email i nisur në emër të një organi statutor të PD –së, siç është Komisioni i Apelimit, Etikës dhe Integritet, përbën një shkelje statutore për shkak se ky organ nuk është miratuar nga Këshilli Kombëtar, nuk është formalizuar jurdikisht sipas statutit dhe për pasojë nuk ekziston.
“Këshilli Kombëtar vërejti se të gjitha vendimet dhe qëndrimet e Kryesisë së Partisë duke filluar nga data 6 Qershor 2023, janë antistatutore, të marra pa kourum, dhe nuk kanë mbajtur në konsideratë pasojat që mund të sjellin në përçarjen dhe dobësimin e mëtejshme të partisë. Aktet e Kryesisë së Partisë kanë arritur deri më aty sa kanë përdorur, falsifikuar dhe prodhuar në mënyrë të paautorizuar vulën e PD, përmes një vendimi nul dhe antistatutor. Të gjitha këto vendime janë anulluar dhe Këshilli Kombëtar ka vendosur të pezullojë veprimtarinë statutore të Kryesisë së PDSH, deri në verifikimin e rregullshmërisë statutore të përbërjes së saj”, thuhet në vendimin e Këshillit në përfundim të mbledhjes.
Një ditë më parë, Komisioni i Apelimit Integritetit dhe Etikës, shfuqizon vendimin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi, për thirrjen e mbledhjes së Këshillit Kombëtar të demokratëve.
“Komisioni pasi shqyrtoi kërkesën e paraqitur nga Kryesia e Partisë Demokratike e përfaqësuar nga përfaqësuesi Indrit Sefa, vlerëson se: – Sekretari i Përgjithshëm nuk ka tagrin të përcaktojë një rend dite, në rastin e thirrjes së mbledhjes së Këshillit Kombëtar sipas pikës 4 të nenit 46, të ndryshëm nga “Komandimi i Nënkryetarit në detyrën e Kryetarit të Partisë”. Rendi i ditës i mbledhjes së Këshillit Kombëtar, të thirrur nga Sekretari i Përgjithshëm, sipas pikës 4 të nenit 46 nuk mund të ketë asnjë pikë të ndryshme dhe më shumë se Komandimi i Nënkryetarit në detyrën e Kryetarit të Partisë.“- thuhej në vendim.
Vendimet e Këshilli Kombëtar:
- Konstatimin se në datën 20 Qershor 2023 nuk ka patur asnjë mbledhje të rregullt dhe statutore të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, dhe asnjë vendim të vlefshëm statutor e ligjor të këtij organi. Të gjitha të ashtuquajtura vendime/qendrime, përfshirë ngritjen e Komisionit Zgjedhor apo Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës, janë nul dhe akte absolutisht të pavlefshme.
- Shfuqizimin e vendimit të datës 6 Qershor 2023 të Kryesisë së Partisë “Për organizimin e procesit zgjedhor për Kryetar të Partisë Demokratike”, si dhe të gjitha vendimet/udhëzimet apo urdhrat që kanë pasuar këtë vendim deri në datën e këtij vendimi të Këshillit Kombëtar. Anullimin e procesit për zgjedhjet e Kryetarit të PDSH që ishte njoftuar për në datën 29 Korrik 2023.
- Pezullimin e veprimtarisë statutore të Kryesisë së PDSH, deri në verifikimin e rregullshmërisë statutore të përbërjes së saj.
- Pranimin e dorëheqjes datë 21 mars 2022 të Kryetarit të Partisë Demokratike z. Lulzim Basha dhe pranimin e dorëheqjes datë 17 Maj 2023 si Nënkryetar i Partisë Demokratike të z. Enkelejd Alibeaj.
- Mbështetjen e plotë të të gjithë veprimtarisë së Grupit Parlamentare për mbrojtjen e interesit të Partisë Demokratike dhe vlerave të saj si opozita dhe altenativa e vetme për largimin e regjimit të Edi Ramës dhe rikthimin e demokratëve si forcë qeverisëse.
- Grupi i deputetëve nismëtar i përbërë nga Lefter Gështenja, Bledion Nallbati, Ramadan Likaj, Saimir Korreshi, Xhelal Mziu, Dashnor Sula dhe Helidon Bushati, ngarkohen që të gjithë sëbashku, ose përmes një përfaqësuesi ligjor të caktuar në mënyrë të përbashkët, të ndjekin të gjitha hapat ligjor dhe statutor për zbatimin e këtij vendimi, si dhe për përfaqësimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, në emër të organeve statutore të partisë, në rrugë ligjore për të kundërshtuar cdo akt që bie ndesh me pikat 1 dhe 2 të këtij vendimi. Gjithashtu, Këshilli Kombëtar i PDSH, si organi më i lart drejtues i Partisë, i autorizon që në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë ti drejtohen (si palë: paditës, i paditur, kërkues, person i tretë, ankues, etj.), gjykatave të të gjitha niveleve, për të kundërshtuar cdo akt të njëanshëm që bie ndesh me pikat 1 dhe 2 të këtij vendimi, si dhe për të kërkuar çregjistrimin e ish-Kryetarit të dorëhequr të PDSH, sipas deklaratës publike të datës 21 Mars 2022, në regjistrin e partive politike.