Në ditën kur autoritetet britanike nisën të zhvendosin emigrantët e parë nga qendra e azilkërkuesve dhe hotelet në një anije të stacionuar në Portland, u zbulua edhe ideja më e fundit e qeverisë së Rishi Sunak për ti dërguar jo më në Ruanda, por në një ishull në mes të Atlantikut.
Lajmi i mirë shkruan media italiane Corriere della Serra është se për shkak të grushtit të shtetit, ideja e zhvendosjes së emigrantëve në Niger është zbehur përfundimisht.
Lajmi i keq është se të gjithë opsionet e tjera qëndrojnë në tavolinë dhe janë të vlefshme për azilkërkuesit që zbarkojnë në ishull.
Mbërritjet rekord të emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar e kanë vendosur në provë qeverinë Sunak, edhe për shkak se një nga avantazhet e supozuara të Brexit do të ishte pikërisht ai i “rimarrjes së kontrollit të kufijve”, duke hequr ato nga “duart” e burokratëve të urryer të Brukselit.
Kështu hipoteza e fundit e qeverisë në Londër është që të dërgojë mijëra njerëz, të cilët janë në pritje të verdiktit të Home Office për kërkesën e tyre të azilit, në një ishull të largët midis bregut afrikan (1600 km) dhe bregdetit të Amerikës së Jugut (2300 km).
Ishulli Ascension ndodhet nën administratën Napoleonike të Sant. ‘Elena dhe Charles Darwin, i cili e vizitoi atë i pari në 1836 gjatë udhëtimit të tij me anijen me vela Beagle, e cilësoi si “të tmerrshëm”.
Largimi i emigrantëve nuk është as problemi më urgjent i Sunak, i cili, për më tepër, është me pushime në Shtetet e Bashkuara me familjen e tij, duke kaluar kohë në një resort në Santa Monica.
Në fakt, transferimi i disa dhjetëra emigrantëve në anijen “Bibby Stockholm”, të ankoruar në portin e Portlandit duket të jetë thjeshtë hapja e portës për një proces të mirëmenduar më parë.
Emigrantët që u transferuan aty, mes të cilëve edhe shqiptarë kishin qëndruar në hotele në Oksford, Bristol, Torbay dhe Bournemouth, me qeverinë britanike që ka paguar 6 milionë paund në ditë për kujdesin e tyre.
Ideja e anijes më pas u bë e nevojshme për të kursyer para, ndërkohë që listat e pritjes për aplikimet për azil po zgjaten në mënyrë të frikshme.
Por ajo që është e sigurt është se “plani B” është një prioritet i qeverisë Sunak dhe kjo nënkupton idenë e transferimit të emigrantëve jashtë kufijve kombëtarë derisa të përcaktohet rezultati i kërkesave të tyre për azil.
Por, zhvendosja e tyre 6000 kilometra larg, në territorin e jashtëm britanik në Atlantikun e Jugut, duke shpërfillur të gjitha konsideratat e tjera politike dhe humanitare, do të shkaktonte një sërë problemesh komplekse organizative, duke pasur parasysh se ishulli 88 kilometra katror ka vetëm 800 banorë dhe nuk është padyshim i pajisur për t’u bërë kamp refugjatësh.
Edhe Daily Mail, një gazetë aspak pro hapjes së kufijve për emigrantët, dje e cilësoi “planin B” të Sunak si “një gur vullkanik në mes të askundit”.