Rreziqet e çrregullimit rus
Nga Tatiana Stanovaya Foreign Affairs/
Pasi presidenti rus Vladimir Putin nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022, elitat ruse vepruan sikur lufta të mos kishte ndryshuar asgjë në frontin e brendshëm. Kur filluan sanksionet ndaj ekonomisë ruse, ata që kishin pushtet në Moskë dukej se çdo gjë ishte krejt e zakonshme.
Megjithatë, që nga vjeshta e kaluar, gjërat janë bërë më të komplikuara. Kundërsulmi ukrainas në rajonin e Kharkiv në shtator të 2022-it ekspozoi cenueshmërinë e pozicioneve ushtarake ruse.
Ndërkaq, Kremlini nisi mobilizimin ushtarak që shkaktoi ankth të jashtëzakonshëm social, edhe pse vetëm për një periudhë të shkurtër.
Më pas, në tetor, një sulm ukrainas në urën e ngushticës së Kerçit hodhi në erë lidhjen kryesore midis Krimesë dhe Rusisë kontinentale.
Muajt në vijim vetëm sa e kanë rritur presionin. Fronti ukrainas ka dhënë pak lajme të mira për Kremlinin, me përjashtim të kapjes së qytetit ukrainas të Bakhmut në maj.
Lufta ka ndryshuar Rusinë
Ndërkohë, në Moskë është hapur një front i ri; autorë ende të paidentifikuar kanë goditur kryeqytetin rus me dronë. Forcat e Yevgeny Prigozhinit, udhëheqësi i kompanisë private ushtarake të Vagnerit kryen një rebelim të hapur në qershor, duke pushtuar pjesën më të madhe të qytetit të Rostov mbi Don duke dërguar një kolonë trupash drejt Moskës.
Kryengritja e Prigozhinit tërhoqi vëmendjen botërore dhe shqetësoi elitën e Moskës.
Pavarësisht zgjidhjes së shpejtë të saj (në një marrëveshje të ndërmjetësuar pjesërisht nga presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko), shumë njerëz në Moskë u përpoqën të kuptojnë krizën e Vladimir Putinit.
Nga njëra anë, presidenti rus e dënoi publikisht Prigozhinin si “tradhtar”, por nga ana tjetër, ai e lejoi liderin mercenar të lëvizë lirshëm brenda vendit dhe madje e ka pritur në Kremlin për negociata.
Këto ngjarje ishin të paprecedenta në Rusinë bashkëkohore. Megjithatë, ato nuk duket se e kanë cenuar status quo-në; njerëzit vazhdojnë jetën e tyre sikur të mos ketë ndodhur asgjë.
Por situata e përgjithshme në ushtri mbetet e qëndrueshme. Deri më sot qeveria dhe ushtria ruse nuk kanë riorganizuar apo arrestuar asnjë personel të ushtrisë.
Kjo qëndrueshmëri e dukshme ndaj lajmeve të këqija dhe indiferenca në dukje ndaj ngjarjeve në vazhdim janë mashtruese. Lufta ka filluar të ndryshojë Rusinë dhe ka të ngjarë të ndodhin ndryshime të thella në regjimin e Putinit si dhe në perceptimin e elitave për Putinin por edhe në qëndrimin e publikut ndaj luftës.
Në të vërtetë, militarizimi i jetës ruse po fuqizon ekstremistët ultranacionalistë në elitën ruse, duke eklipsuar gardën e vjetër të ideologëve që publiku rus ka filluar t’i shohë si gjithnjë e më të paprekshëm.
Dobësimi i perceptimit ndaj Putinit ka zbuluar më tej të metat e thella të regjimit: prirjen e zakonshme të autoriteteve për të nënvlerësuar rreziqet e brendshme politike, për të injoruar zhvillimet afatgjata në favor të adresimit të sfidave të menjëhershme dhe për të refuzuar përgjegjësinë për numrin në rritje të incidenteve në territorin rus.
Rendi i Putinit dhe rreziku nga radikalizimi
Rebelimi i Prigozhinit e ka shtyrë situatën në një ekstrem dhe mund të hapë rrugën për shfaqjen e një shteti më të radikalizuar, më të ashpër dhe të pamëshirshëm.
Kërcënimet ndaj Kremlinit, si rebelimi i Vagnerit dhe dalja në pah e dobësive të qeverisë rusenuk do ta bëjnë domosdoshmërisht publikun të kthehet kundër Putinit dhe të rrëzojë regjimin.
Në vend të kësaj, këto zhvillime po e transformojnë Rusinë në një entitet shumë më pak koheziv, të mbushur me kontradikta dhe konflikte të brendshme, më të paqëndrueshme dhe të paparashikueshme.
Në Moskë, rendi që ndërtoi Putini do të bëhet më i çrregullt. Bota do të duhet të përballet me një Putin më të rrezikshëm dhe Rusia mbetet e paparashikueshme.
Në fillim të majit, vetëm disa ditë përpara paradës vjetore të Ditës së Fitores në “Sheshin e Kuq”, Moska dhe Kremlini u sulmuan me dronë. Më pas, në fund të majit dhe në qershor, grupet paraushtarake të lidhura me Ukrainën kaluan në rajonin rus të Belgorodit.
Ata shkaktuan kaos dhe për një kohë të shkurtër pushtuan vendbanime të ndryshme. Përgjigja e Kremlinit ndaj këtyre ngjarjeve ka qenë krejt pasive; duke heshtur. Lajmet dhe emisionet televizive janë fokusuar në efikasitetin e supozuar të mbrojtjes ajrore.
Me përjashtime të rralla, Putini është treguar i rezervuar për të komentuar sulmet në tokën ruse, duke preferuar t’ia delegojë këtë përgjegjësi Ministrisë së Mbrojtjes.
Prirja e Kremlinit për të minimizuar ngjarjet në dukje tronditëse është në përputhje me mënyrën se si Putini e sheh luftën. Ai ka një besim të thellë se rusët e zakonshëm janë mbushur plot me patriotizëm, se elitat mbeten të kontrollueshme dhe besnike ndaj shtetit, se rruga drejt fitores në Ukrainë është ende e mundur dhe se ekonomia e Rusisë është mjaft e qëndrueshme për të duruar sanksionet.
Pakënaqësia në rritje e Prigozhinit që i parapriu rebelimit nuk arriti ta alarmojë Kremlinin. Edhe më 23 qershor, kur Prigozhini kishte nisur rebelimin e tij, shumë burime pranë Kremlinit vazhduan të besonin se asgjë shqetësuese nuk po ndodhte dhe se Prigozhini ishte ende i dobishëm për arritjen e objektivave të caktuara politike, siç është kanalizimi i zhgënjimit të ultranacionalistëve.
Përveç kësaj, shumë zyrtarë ishin të bindur se njerëzit e afërt të Putinit në Kremlin po mbikëqyrnin Prigozhinin dhe se Vagner nuk do të përpiqej të sfidonte shtetin rus.
Më pas, u bë e qartë se forcat e Vagnerit kishin kapur qendrën e komandës ushtarake për operacionet ruse në Ukrainë në qytetin e Rostov mbi Don, se një kolonë ushtarësh të Vagnerit po përparonte drejt Moskës dhe se forcat e Vagnerit kishin rrëzuar helikopterët rusë.
Këto ngjarje erdhi si një “rrufe në qiell të hapur”: Putini e kishte gjykuar gabim Prigozhinin dhe rebelimin e tij duke nënvlerësuar rrezikun që vinte prej komandantit mercenar.
Rebelimi ishte në pjesën më të madhe, produkt i mosveprimit të Putinit. Shefi i Kremlinit ngurroi të ndërhyhjë në konfliktin e përshkallëzuar midis Prigozhinit dhe dy zyrtarëve më të lartë ushtarakë rusë – Sergey Shoigu, ministri Mbrojtjes dhe Valery Gerasimov, shefi i Shtabit të Përgjithshëm nxitën revoltën. Rebelimi ekspozoi jo vetëm dështimet e Putinit, neglizhencën që nxiti Prigozhinin, por edhe se si shteti rus u gjend i papërgatitur.
Kaosi i Putinit
Në fund të fundit, Vagneri është rritur si forcë luftarake me dhjetëra mijëra ushtarë vetëm falë miliarda dollarëve në financimin e shtetit, aksesit në burimet e shtetit dhe lidhjeve të tij me zyrtarë të profilit të lartë që kanë mbështetur aktivitetet e grupit mercenar.
Në vazhdën e rebelimit, është bërë shumë më e vështirë për Kremlinin të projektojë një atmosferë kontrolli dhe kompetencë politike.
Vetëm një javë pas rebelimit, Putini bëri një dalje publike të paplanifikuar në Dagestan. Stafi i tij ishte i papërgatitur për këtë ngjarje dhe sjellja e tij, duke përfshirë përqafimin me turmën, befasoi shumë njerëz në Kremlin dhe u pa si dëshmi se ai po vepronte emocionalisht dhe spontanisht, duke kërkuar afirmim.
Para kamerave ka mbajtur në krahë foshnjat, ka shtrënguar duart dhe ka bërë selfie me publikun e adhuruar.
Skena ishte e habitshme duke pasur parasysh se Putini rrallë i ka lejuar vetes ndërveprime të tilla.
Edhe pse Putini mund të ketë dashur të demonstrojë afërsinë e tij me rusët e zakonshëm në vazhdën e rebelimit të Prigozhinit, shumë analistë e interpretuan spektaklin si një shenjë e nevojës akute të presidentit për të përjetuar admirimin e qytetarëve rusë.
Lufta, e shoqëruar nga rebelimi që pasoi nga Prigozhini e ka bërë qeverinë të duket e papërgjegjshme dhe shtetin rus më të dobët.
Edhe sulmet me dron kanë krijuar hutim edhe sistemet ruse të mbrojtjes nuk mund t’i pengonin ato. Kjo ngjalli një perceptim tek rusët e zakonshëm si dhe tek ata që mbështesin luftën në Ukrainë, për dobësinë e shtetit dhe paaftësinë e tij për të garantuar sigurinë e kryeqytetit.
Rusët, Kremlini dhe Perëndimi
Shumë analistë janë mësuar ta shohin regjimin e Putinit si produkt të një kontrate sociale në të cilën shteti garanton stabilitet në këmbim të njerëzve që i japin Kremlinit liri të konsiderueshme për të menaxhuar jetën politike.
Megjithatë, që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, stabiliteti i brendshëm është eklipsuar gradualisht nga një nevojë më e thellë për siguri gjeopolitike – domethënë mbrojtje nga “Perëndimi armiqësor” – e shoqëruar me rritjen e ndjenjave nacionaliste.
Pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, rusët janë të uritur për siguri gjeopolitike. Populli i ka deleguar Putinit të drejtën për t’u marrë me Perëndimin – që shumë rusë besojnë se kërcënon vetë ekzistencën e vendit të tyre – edhe nëse kjo shkakton trazira të brendshme për shkak të sanksioneve të rrepta dhe goditjeve ndaj liberalëve.
Sondazhet tregojnë se që nga fillimi i luftës, përqindja e rusëve që e admirojnë hapur Putinin është rritur nga 8 në 19 për qind dhe 68 për qind e rusëve tani thonë se duan që ai të rizgjidhet; një rritje e konsiderueshme kjo, nga 48 për qind e rusëve para luftës.
Gjithashtu, lufta ka rritur mbështetjen për të gjitha institucionet zyrtare: kabinetin, guvernatorët rajonalë, parlamentin, madje edhe partinë në pushtet, Rusinë e Bashkuar.
Por pasiviteti i Putinit përballë kërcënimeve të brendshme ushtarake dhe qëndrimi i tij i përmbajtur mund të bëhet një problem madhor për regjimin në të ardhmen e afërt.
Ka shenja se rusët, me gjithë mbështetjen e shtuar për institucionet shtetërore, po bëhen shumë më ambivalentë ndaj autoriteteve.
Ata kanë filluar të dyshojnë në aftësinë e klasës politike për të përmbushur përgjegjësitë e saj. Në fund të majit, një sulm me dron kishte në shënjestër Rublyovkan, një periferi e famshme luksoze e Moskës ku jetojnë shumë rusë të pasur dhe me ndikim.
Disa prej komentuesve në mediat sociale nuk u erdhi aspak keq për sulmin dhe sugjeruan se të pasurit dhe të fuqishmit po merrnin atë që meritonin.
Rublyovka ka qenë prej kohësh simbol i elitës së pasur dhe parazitare, e lidhur me epokën e Jelcinit dhe regjimin aktual.
Shumë blogerë pro-Kremlinit dhe rusë të zakonshëm shpresonin se sulmi do të shërbente si një thirrje zgjimi për këtë elitë, duke i detyruar ata të përfshiheshin më shumë për të ndihmuar në luftën me Ukrainën dhe për t’iu përgjigjur më me vendosmëri sulmeve në territorin rus.
Ndjenjat antielitare nxitën gjithashtu ngritjen e Prigozhinit. Ai kishte fituar dukshëm popullaritet muajt e fundit ndërsa forcat e tij operonin në Ukrainë.
Çfarë tregojnë sondazhet
Sipas Levada Center, një firmë e pavarur ruse e sondazheve, rusët e panë kapjen e Bakhmutit nga luftëtarët e Vagnerit në maj si ngjarjen më të rëndësishme të atij muaji.
Një studim nga një grup tjetër sondazhi, Romir, zbuloi se triumfi i Vagnerit në Bakhmut e kishte ngritur Prigozhinin për herë të parë në rangun e pesë politikanëve më të besuar në Rusi, pas Putinit, ministrit të Jashtëm Sergej Lavrov, Shoigut dhe kryeministrit Mikhail Mishustin.
Ngjitja e tij ishte stratosferike: në fillim të vitit, Prigozhini ishte renditur i 158-ti në mesin e figurave politike ruse më të besuara.
Rusët e zakonshëm u befasuan nga konfrontimi i Prigozhinit me Ministrinë e Mbrojtjes dhe ankesat e tij se trupave u mungonte municioni.
Publiku e perceptoi atë si një kryqtar kundër korrupsionit dhe si dikush që guxoi të sfidonte elitat e llastuara.
Një dëshmitar okular lokal i pushtimit të Rostov mbi Don nga Vagneri e përshkroi Prigozhinin në një postim në Facebook si “një burrë i thjeshtë dhe i zakonshëm që do të përballet me macet e majme të çdo brezi dhe ngjyre”, një ndjenjë që shpjegon mirëpritjen e ngrohtë të banorëve të Rostovit.
Kjo pakënaqësi me fuqitë që janë “macet e majme” shpjegon në një farë mase lehtësinë me të cilën Prigozhini mori kontrollin e qytetit.
I njëjti dëshmitar okular raportoi me mosbesim se shteti mungonte tërësisht.
“Ndërtesat e administratës, të qytetit dhe të qeverisë ishin krejtësisht të shkreta,” vuri në dukje ai.
“Sa hap e mbyll sytë, ushtarakët, me të cilët ishte mbushur qyteti i vijës së parë, u zhdukën. FSB [Shërbimet Federale të Sigurisë] u barrikadua brenda ndërtesës.”
Po bëhet më e vështirë për Kremlinin që të fshehë lajmet e këqija. Shumë analistë perëndimorë kanë sugjeruar se problemet me të cilat po përballet Kremlini do t’i shtyjnë elitat dhe shoqërinë ruse të kërkojnë paqen.