Policia e Shtetit forcon masat për kalimin e shtetasve shqiptarë të mitur në kufi. Me urdhër të ministit të Brendshëm Taulant Balla, shtetasi shqiptar i mitur që kalon në kufi, i nënshtrohet të njëjtit regjim verifikimi dhe kontrolli në hyrje dhe dalje të territorit shqiptar.
I mitur lejohet të udhëtojë jashtë territorit shqiptar i shoqëruar nga një person madhor, vetëm nëse shoqëruesi është i pajisur me deklaratë noteriale nga dy prindërit, nga prindi i shpallur i vetëm sipas certifikatës së lëshuar nga organi kompetent i gjendjes civile apo gjykata, ose nga kujdestari ligjor i shpallur si i tillë nëpërmjet vendimit gjyqësor për të gjitha rastet e parashikuara në legjislacionin shqiptar mbi përgjegjësinë, zotësinë, kujdestarinë prindërore apo kur njëri prind ka ndërruar jetë, shkruan rtsh.al.
Shtetasi shqiptar i mitur deri në moshën 16 vjeç, lejohet të udhëtojë jashtë territorit shqiptar i shoqëruar nga njëri prind, i cili autorizohet nga prindi tjetër nëpërmjet deklaratës noteriale ose me vendim gjyqësor, që e lejon të udhëtojë të miturin me njërin nga prindërit, për të gjitha rastet e parashikuara në legjislacionin shqiptar mbi përgjegjësinë, zotësinë, kujdestarinë prindërore apo kur njëri prind ka ndërruar jetë.
I mituri deri në moshën 16 vjeç deri në 18 vjeç, lejohet të udhëtojë jashtë territorit shqiptar i pashoqëruar, si vizitor tek i afërmi i tij, vetëm nëse është i pajisur me deklaratë noteriale nga prindërit, prindi i shpallur i vetëm sipas certifikatës së lëshuar nga organi kompetent i gjendjes civile, gjykata apo kujdestari ligjor i shpallur si i tillë nëpërmjet vendimit gjyqësor për të gjitha rastet e parashikuara në legjislacionin shqiptar mbi përgjegjësinë, zotësinë, kujdestarinë prindërore apo kur njëri prind ka ndërruar jetë.
Udhëtimi i të miturve në grup
Shtetasi shqiptar i mitur deri në moshën 16 vjeç, lejohet të udhëtojë jashtë territorit shqiptar vetëm ose i organizuar në grupe, për pjesëmarrje në aktivitete sportive, kulturore, turistike, i shoqëruar nga një përfaqësues i autorizuar nga organizatori i aktivitetit, i cili paraqet pranë strukturës kompetente të kalimit kufitar, deklaratën noteriale, listën emërore të pjesëmarrësve me gjeneralitetet e plota të secilit, si dhe adresën e saktë të institucionit, organizatës, klubit, federatës, shoqatës pritëse.
Udhëtimi i pashoqëruar
Nga ana tjetër, shtetasi shqiptar i mitur në moshën 16 vjeç deri në 18 vjeç, lejohet të udhëtojë jashtë territorit shqiptar i pashoqëruar, me qëllim pjesëmarrje në aktivitete sportive, kulturore, vetëm nëse është i pajisur me deklaratë noteriale.
Në këtë rast, organizatori i aktivitetit, dërgon njoftim zyrtar pranë Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, jo më vonë se 5 ditë para udhëtimit, ku të informojë mbi objektin e aktivitetit, listën e pjesëmarrësve të mitur me të gjitha gjeneralitetet, numrin e dokumentit të udhëtimit, mbërritjen në destinacion dhe datën e kthimit, shkruan rtsh.al.
Nëse shtetasi shqiptar i mitur në moshën 16 vjeç deri në 18 vjeç udhëton i shoqëruar nga një person i autorizuar nga organizatori i aktivitetit, shoqëruesi paraqet listën emërore të pjesëmarrësve me gjeneralitetet e plota të secilit, si dhe adresën dhe destinacionin e saktë të institucionit, organizatës, klubit, federatës, shoqatës pritëse.
Rastet me prindër të divorcuar
Shtetasi shqiptar i mitur deri në moshën 16 vjeç, me prindër të divorcuar, lejohet të udhëtojë jashtë territorit shqiptar në shoqërinë e njërit prind apo personi madhor, vetëm nëse prindi apo shoqëruesi është i pajisur me deklaratë noteriale nga të dy prindërit, nga njëri prind, të cilit me vendim gjykate i është lënë i mituri për rritje dhe edukim, nga kujdestari ligjor i shpallur si i tillë nëpërmjet vendimit gjyqësor për të gjitha rastet e parashikuara në legjislacionin shqiptar mbi përgjegjësinë, zotësinë, kujdestarinë prindërore apo kur njëri prind ka ndërruar jetë.
Regjistrimi në dalje në sistem i të miturit kryhet duke pasqyruar në rubrikën “shënime” numrin dhe datën e vendimit të formës së prerë, si dhe gjykatën që ka dhënë vendimin. Një kopje origjinale ose kopje e njësuar me origjinalin e vendimit administrohet në pikën e kalimit kufitar
Rastet kur të miturit nuk lejon të dalin jashtë Shqipërisë
I mituri nuk lejohet të udhëtojë jashtë territorit shqiptar, nëse ndaj tij ekziston një vendim gjyqësor i formës së prerë, që e ndalon të udhëtojë dhe me të cilin janë njohur strukturat përgjegjëse të kalimit kufitar.
Në të gjitha rastet, deklarata noteriale për të miturit përmban elementet e mëposhtme: a) deklarimin e prindërve, prindit, kujdestarit ligjor që autorizon udhëtimin e të miturit, me kusht për të mos e braktisur të miturin në vendet e destinacionit; b) gjeneralitetet e të miturit dhe numrin e dokumentit të udhëtimit; c) gjeneralitetet e shoqëruesit, pritësit, numri i dokumentit të udhëtimit dhe adresën e saktë të banimit; d) destinacionin e udhëtimit (shtetit apo shteteve) për ku autorizohet udhëtimi; e) deklarimin për përgjegjësinë penale të shoqëruesit të të miturit në udhëtim, në rastet e braktisjes së të miturit; f) deklarimin sipas legjislacionit shqiptar mbi përgjegjësinë, zotësinë, kujdestarinë prindërore apo kur njëri prind ka ndërruar jetë; g) përcaktimin e periudhës me ose pa afat të vlefshmërisë së deklaratës noteriale, në vlerësim të deklaruesit, deklaruesve sipas legjislacionit në fuqi.
Për të gjitha rastet, regjistrimi në sistem i të miturit kryhet duke pasqyruar në rubrikën “shënime” numrin rendor dhe datën e deklaratës noteriale, gjeneralitetet e personit shoqërues, gjeneralitetet e noterit që ka nënshkruar deklaratën noteriale, kohën e qëndrimit dhe destinacionin, destinacionet e udhëtimit apo çdo dokument që i shërben këtij verifikimi, shkruan rtsh.al.
Një kopje e deklaratës noteriale, e cila duhet të jetë e përpiluar në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, kur kjo deklaratë është nënshkruar jashtë territorit shqiptar administrohet për efekte kontrolli dhe verifikimi, nga strukturat përgjegjëse të pikës së kalimit kufitar.
Në të gjitha rastet, kur i mituri lejohet të udhëtojë jashtë territorit shqiptar sipas këtij udhëzimi, apo nëse dyshohet se i mituri mund të jetë shkëputur në mënyrë të paligjshme nga kujdestaria e personit që gëzon përgjegjësinë prindërore apo kujdestarinë, struktura përgjegjëse e kalimit kufitar kryen të gjitha verifikimet e nevojshme, duke aksesuar në platformat qeveritare, sistemet e certifikuara, si dhe në çdo sistem që Policia e Shtetit ka në përdorim.
Për çdo rast regjistrimi në sistem të të miturit që del jashtë territorit shqiptar pasqyrohen informacionet e marra nga sistemet e sipërpërmendura, çdo dokument tjetër që vërteton dhe provon situatën ligjore të të miturit.
Shënimi bëhet vetëm një herë, në datën e parë të daljes dhe është i vlefshëm në të gjitha rastet, kur i mituri udhëton jashtë vendit.
Dokumentet verifikuese origjinale ose të njësuara me origjinalin, apo të nxjerra nga sistemet që vetë Policia e Shtetit administron dhe përdor, administrohen në pikën e kalimit kufitar.
Shtetasi shqiptar i mitur deri në moshën 16 vjeç, rezident i një shteti tjetër, i lejohet të udhëtojë në shtetin rezident, sipas përcaktimeve në legjislacionin ndërkombëtar të lejimit të udhëtimit, nën shoqërinë e një personi madhor ose nën kujdesin e shoqërisë së transportit të udhëtarëve, të pajisur me autorizimin, deklaratën nga personi përgjegjës për të miturin.
Regjistrimi daljes
Regjistrimi në dalje në sistem i të miturit kryhet duke pasqyruar në rubrikën “shënime”, numrin e lejes së qëndrimit, shtetin rezident, numrin dhe datën e deklaratës, si dhe institucionin para të cilit është bërë kjo deklaratë.
Një kopje e lejes së qëndrimit, të dokumentit të udhëtimit dhe një kopje origjinale ose e njësuar me origjinalin e deklaratës, administrohet në pikën e kalimit kufitar. Shënimi bëhet vetëm një herë, në datën e parë të daljes dhe është i vlefshëm në të gjitha rastet kur i mituri udhëton në vendin ku është rezident.
Shtetasi shqiptar i mitur deri në moshën 16 vjeç, i cili është rezident në një shtet tjetër, lejohet të udhëtojë jashtë territorit shqiptar, në një shtet të ndryshëm nga shteti ku është rezident, nëse plotëson kriteret e përcaktuara në pikën 3 të këtij udhëzimi. Regjimi i regjistrimit në sistem i të miturit që lejohet të udhëtojë, në një shtet tjetër të ndryshëm nga shteti ku është rezident.
Përjashtohen nga kushtet e mësipërme, të gjithë të miturit që: a) kanë dy shtetësi dhe udhëtojnë me dokument udhëtimi të lëshuar nga vendi i dytë i shtetësisë; b) frekuentojnë institucione arsimore jashtë shtetit. Për qëllim regjistrimi, roja kufitare verifikon lejen e qëndrimit, motivin e lejes së qëndrimit apo dokumente që provojnë një gjë të tillë.
Verifikimi në kufi
Pas verifikimit roja kufitare bën shënimet përkatëse në rubrikën “shënime” në sistem, rreth lejes së qëndrimit (numrin e lejes së qëndrimit, shtetin që e ka lëshuar dhe afatin e vlefshmërisë); c) shtetasi shqiptar i mitur, i cili është rezident në një shtet tjetër, që udhëton për në shtetin ku është rezident, në shoqërinë e njërit prind apo kujdestarit ligjor.
Kur ka arsye serioze për të dyshuar se i mituri mund të jetë shkëputur në mënyrë të paligjshme nga kujdestaria e personit që ushtron ligjërisht përgjegjësinë prindërore apo nga kujdestari i tij, roja kufitare kryen edhe verifikime të mëtejshme, duke vlerësuar e zbuluar mospërputhjet apo kontradiktat në informacionin e dhënë.
Në rast dyshimi, roja kufitare i bën një intervistë të shkurtër shoqëruesit, kryen verifikime të imtësishme të dokumenteve të udhëtimit dhe dokumenteve mbështetëse për t’u siguruar që i mituri nuk po largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë kundër dëshirës së personave që ushtrojnë kujdesin prindëror ndaj tij, në mënyrë që të parandalojë rrëmbimin ose trafikimin e të miturit.
Në rastet e konstatimit të braktisjes së të miturve apo moskthimit në afat të tyre, strukturat e kufirit në bashkëpunim me strukturat e tjera policore njoftojnë autoritet kompetente ligjzbatuese në vend për veprën penale të braktisjes së fëmijëve të mitur, të pretenduar të kryer nga shoqëruesi i të miturit.
Për parandalimin dhe goditjen e rasteve të braktisjes së fëmijëve të mitur dhe të abuzimit me të miturit nga trafikantë apo persona të tjerë përfitues bashkëpunohet ngushtësisht edhe me institucionet homologe ligjzbatuese të vendeve fqinje dhe ato ndërkombëtare, sipas legjislacionit ndërkombëtar.
Të gjitha dokumentet që administrohen në pikat e kalimit të kufitar në zbatim të këtij udhëzimi, ruhen për një afat 1-vjeçar (njëvjeçar) dhe në përfundim të këtij afati asgjësohen.
Në të gjitha rastet kur nuk plotësohen kushtet e përcaktuara në këtë udhëzim, roja kufitare ndalon daljen e të miturit nga kufiri shtetëror dhe pajis shtetasin me dokumentin përkatës.