Opozita është shfaqur me qëndrime të ndara pasi ish-kryeministri Sali Berisha u mor si pandehur për korrupsion të dielën nga Prokuroria e Posaçme, ndërsa Partia Socialiste ka zgjedhur të heshtë për këtë çështje, edhe pse hetimi u inicua nga denoncimi i Taulant Ballës, aktualisht ministër i Brendshëm.
Grupi i deputetëve demokratë të udhëhequr nga Berisha, i njohur si grupi i “rithemelimit”, i kanë dalë menjëherë në mbrojtje dhe kanë sulmuar organet e drejtësisë si të përdorur politikisht.
Deputeti Edi Paloka tha se, “SPAK është bërë vegël e politikës së Ramës”. “Ishte një akt në finalizim të gjithë luftës që po bën Rama për eliminimin e opozitës në vend”- shtoi ai në një deklaratë. Të njëjtën linjë mbajti dhe deputeti veteran i PD-së, Tritan Shehu, sipas të cilit masat ndaj Berishës ishin “një mase politike për izolim”.
“E ngjashme kjo me veprimet represive të ndërmara disa herë ndaj liderëve demokratë, në vendet ku sundojnë diktaturat a regjimeve autokrate”- shkruajti ai të hënën në Facebook. Edhe aleati i Berishës, ish-presidenti Ilir Meta, sulmoi organet e drejtësisë se po përdoreshin politikisht nga kryeministri Edi Rama.
“Qëllimi politik i vetëm është shantazhi dhe intimidimi i opozitës, e cila po denoncon me këmbëngulje të vërtetat shumë të hidhura të korrupsionit mafioz të Qeverisë”- shkruajti ai të dielën në faqen e tij në facebook. Sipas tij kufizimi i lirisë me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për Berishën është antikushtetues.
Ndërkohë, kryetari i Grupit Parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, mbajti një pozicion më të moderuar, por edhe ai e cilësoi vendimin e GJKKO-së antikushtetues dhe kërkesën e SPAK, si të nxituar.
“Kufizimi i lirisë së lëvizjes së z. Sali Berishës, pa autorizim të Kuvendit, është një shkelje e rëndë kushtetuese që ngre pikëpyetje të forta mbi arsyet e nxitimit të SPAK”- deklaroi Bardhi në një konferencë për mediat të hënën.
Por, Bardhi theksoi se,- “askush nuk duhet të qëndrojë mbi ligjin”, dhe se ai, – do të votonte pro çdo kërkese që do të vinte në Kuvend për heqjen e imunitetit të deputetëve.
Sipas Bardhit, opozita nuk do të zhvendosë betejën e saj kundër drejtësisë, edhe nëse ky ka qenë “skenari” për të mosdërguar në Kuvend kërkesën për kufizimin e lirisë ndaj Berishës.
Bardhi me një grup deputetësh iu bashkua së fundmi grupimit të Berishës dhe aleatëve, për të kordinuar aksionin opozitar në parlament.
Qëndrimi i tij nuk është përkrahur nga deputetët e tjerë demokratë që drejtohen nga Lulzim Basha. Deputetja e Elbasanit, Flutura Açka, tha se qëndrimi i Bardhit nuk përfaqësonte qëndrimin e PD-së.
“PD mbështet drejtësinë dhe nuk ka ndryshuar qëndrim për marrëdhëniet strategjike me SHBA, BE dhe Britaninë e Madhe. Drejtësia duhet të veprojë ndaj kujtdo që ka shkelur ligjin, ka abuzuar me paratë dhe besimin e shqiptarëve”, u shpreh Açka për mediat të hënën.
Vetë Basha, nuk pati një reagim direkt për ngjarjen, por të dielën në darkë në një status në facebook mbi një takim me qytetarët në Dibër ai shkruajti se, -“sot është jetike t’i jepet fund pandëshkueshmërisë”.
“Të korruptuarit duhet të japin llogari para drejtësisë e paratë që u kanë marrë shqiptarëve t’u kthehen mbrapsht”- thotë Basha.
Prokuroria e Posaçme bëri të ditur të dielën se ka marrë të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha dhe bashkëshortin e vajzës së tij, Jamarbër Malltezi, nën dyshimin se kanë përfituar 5.4 milionë euro në formën e pagesës në shkëmbim të veprimeve qeveritare në favor të kompanive Homeplan dhe Magnet, bashkëpronari i së cilës, Fatmir Bektashi, u mor i pandehur për pastrim parash.
Berisha deklaroi veten i pafajshëm dhe akuzoi Ramën se po kërkon të eliminojë opozitën përmes atë që ai aludoi se është “prokurori politike”.