Njëzet e pesë vjet më parë, NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, duke shënuar kësisoj fundin e pushtimit të Serbisë.
Në mesin e piloteve që drejtoi aeroplanët luftarakë që bombarduan Serbinë, ishte edhe shqiptaro-amerikania Faruza Kallaba. Ajo thotë se çdo përvjetor që kalon, ajo kujton babain e saj dhe popullin e Kosovës.
“Më bën ta rikujtojë çdo gjë. Më mungon babai, por i kam familjarët e tij dhe të mijtë që kalojmë kohën së bashku”.
Duke kujtuar bombardimet e 25 viteve të mëparshme, ajo thotë se ka pasur misione të rëndësishme.
“Kam pasur shumë net që qëndroja në ajër. Disa nga to kanë qenë shumë të rëndësishme. Ne kemi qëndruar në Francë dhe fluturonim mbi zonë dhe duhej të rimbushnim aeroplanët gjatë fluturimit. Ne bënim çdo gjë që duhej për të ndihmuar Kosovën dhe për mua kjo ishte gjë e mrekullueshme”, tha ajo për RTK-në.
Kalluza thotë se pilotëve kohë pas kohe u jepet mundësia të zgjedhin nëse dëshirojnë të marrin pjesë në misione ushtarake në vende të caktuara dhe ajo tregon se ishte e lumtur që bëhej fjalë për Kosovën.
“Kohë pas kohe na jepet mundësia kush dëshiron të shkojë në misione, pos në rastet kur e gjithë njësia zbarkon. Kësaj radhe sapo doli mundësia unë isha e para që u paraqita sepse kjo ishte shumë special për mua. Në të gjitha vitet e karrierës për mua kjo ishte kulminacioni i karrierës pasi edhe isha afër pensionimit”.
Sot uniforma ushtarake e zonjës Kallaba ndodhet në një muze në Kosovë dhe sipas saj kjo është një emocion i madh për të. Faruza thotë se për herë të fundit me babain ishte në Kosovë në vitin 2004 dhe ishte shumë emocionale për të. Në vitin 2008 babai i saj kishte ikur nga kjo jetë.
Faruza Kallaba u lind në Damask të Sirisë (Arabi) me 3 nëntor 1956 nga babai shqiptar, Haki Kallaba dhe nëna ukrainase, Ana Senkiewicz. Si fëmijë, Faruza bashkë me familjen e saj ishte shpërngulur nga Arabia dhe ishte vendosur në Chicago të SHBA-ve, ku jeton edhe në ditët e sotme.
Në Kosovë 24 marsi vlerësohet si një ditë me rëndësi vendimtare për historinë e vendit.Për 78 ditë sa zgjati fushata ajrore, në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve. Mbi 10 mijë veta u vranë, mbi 800 mijë u ndoqën nga Kosova, ndërsa rreth 5 mijë të tjerë në fund të luftës llogariteshin si të zhdukur.