Në Angli ekziston një autore e aftë të zhytet në makthet tona më të këqija. Holly Jackson, 33 vjeçe, është idhulli i vajzave adoleshente anembanë botës: saga e saj për të rinj me titull “Si vrasin vajzat e mira” ka shitur 10 milionë kopje. Kapitulli i parë është kthyer në një serial televiziv shumë të dashur, i prodhuar nga BBC dhe tani i disponueshëm edhe në Netflix. Së shpejti do të vijë edhe sezoni i dytë, në të cilin ajo merr pjesë si skenariste.
Pas titujve si “The Return of Rachel Price” (Rikthimi i Rachel Price) dhe “Five Survive” (Pesë mbijetojnë), Jackson kthehet nëpër librari më 17 korrik, me shtëpinë botuese Rizzoli (njëkohësisht në tregun anglez dhe italian, më 22 korrik edhe në SHBA) me thriller-in e saj të parë për të rritur. Një zgjedhje që duket në kontrast të plotë me atë të një tjetër autori të famshëm të zhanrit tronditës, Joël Dicker, i cili këtë vit botoi librin e tij të parë me titull: “For everyone,” A Catastrophic Visit to the Zoo” (La nave di Teseo).
Por kujdes: ashtu si mjeshtrit e saj, përmendim këtu Stephen King dhe William Golding me “Lord of the Flies” (Zoti i Mizave), vajza e keqe e thriller-it na vë menjëherë në dijeni.
“Mendoj se jam në atë hapësirë kufitare, ndonjëherë edhe të sikletshme, mes thriller-ëve për të rinj dhe atyre për të rritur. Shumë thonë se librat e mi për të rinj janë shumë të errët apo të dhunshëm për publikun që u drejtohen, por unë mendoj se ata gabojnë”.– thotë Jackson.
E keqja nuk ka moshë. Dhe të gjithë, duke përfshirë adoleshentët, janë të aftë të përballen me të. Ndoshta edhe më mirë se prindërit e tyre. Kategoritë? Janë punë marketingu, e dashur.

Romani i ri me titull Not Quite Dead Yet (Ende Jo Plotësisht e Vdekur), është një makth i gjatë: Jet, 27 vjeçe, sulmohet në shtëpi natën e Halloween-it. Asaj i kanë mbetur vetëm shtatë ditë jetë, përpara se një aneurizëm cerebral ta vrasë, për të zbuluar kush deshi ta vriste. Një javë në të cilën do të duhet të rishkruajë të gjithë historinë e saj. A mund ta lexojnë, dhe me siguri që fansat e saj do ta bëjnë, edhe të rinjtë?
E vetmja diferencë është mosha e personazheve: janë në fund të të njëzetave, jo dhjetë vjet më të rinj. Pra, po, përtej etiketave, për mua kalimi nga të rinjtë tek të rriturit ishte i lehtë. Historia e Not Quite Dead Yet nuk do të kishte qenë e përshtatshme për lexues shumë të rinj: ka një nënkomplot që ka të bëjë me taksat, për hir të Zotit… por betohem se është një thriller! Dhe, meqë nuk ka rregulla për të miturit, përdor edhe sharjen time të preferuar”.
Jackson përgjigjet nga Londra, ku edhe jeton. Sapo është kthyer nga Bristoli ku po xhirohet sezoni i dytë i serialit “Si vrasin vajzat e mira” dhe po përgatitet për turneun e gjatë promovues për librin e ri. “Nuk ka pushim për të këqijtë”, thotë me të qeshur. Historia që sjell në librari është, si gjithmonë, plot dialogë të ngjeshur. Asgjë nuk është si duket. Ndihma për personazhin e quajtur Jet, në atë që do të shndërrohet në një histori tragjike dashurie, do të jetë një mik i vjetër i fëmijërisë.
Thriller-ët kanë miliona lexues të pasionuar. Përse e kërkojmë të keqen në letërsi? A nuk është vetë bota ku jetojmë mjaftueshëm e tmerrshme?
“Mendoj se thriller-ët kriminalë kanë një audiencë kaq të madhe sepse janë një ambient ‘i sigurt’ ku mund të eksplorojmë anën më të errët të njerëzimit. Por mbi të gjitha, ato kënaqin atë dëshirë shumë njerëzore për të zgjidhur një enigmë: zakonisht kanë një mister, një problem të pamundur dhe i takon lexuesit të ndjekë gjurmët gjatë rrugës.
Në thriller bëhet një marrëveshje: e di që do të ketë një krim të komplikuar, gjurmë dhe mashtrime, dhe në fund do të marrësh një përgjigje, pavarësisht nëse e prisnit apo jo. Kjo sfidë është universale, nuk ka moshë. Lexuesi bëhet pjesë e historisë, protagonist aktiv, në një mënyrë që nuk ndodh në zhanre të tjera”.
Ajo, pjesë e gjeneratës Millennial, pranon se është rritur me videolojëra. A e kanë ndikuar në të shkruar?
“Po, vazhdoj të luaj. Më kanë ndikuar shumë: më pëlqejnë lojërat me bazë narrative. Janë pjesë e formimit tim së bashku me pasionin për skenarin, shumë i dobishëm tani që shkruaj edhe për kinemanë. Është pothuajse e turpshme sa herë e kam riparë The Lord of the Rings dhe Pirates of the Caribbean. Kam shkruar librin tim të parë të plotë kur isha 14-15 vjeç: nga ai moment mendoj se të gjithë e dinin që ky ishte fati im. Jam me shumë fat që gjithçka shkoi mirë, sepse nuk kisha një plan B”.
Çfarë po luan tani?
“Po luaj versionet e remasteruara të Tomb Raider, një pasion që nga mosha shtatë vjeç. Është qejf të dorëzohesh ndaj nostalgjisë”.
Në romanin e saj të ri, Jet përjeton një dramë të tmerrshme. Si e ndërtoi atë javë të protagonistes? Dihet që ka konsultuar një mjek për kërkime.
“Ashtu si për të gjithë librat e mi, kam planifikuar me përpikëri çdo skenë përpara se të shkruaj fjalinë e parë. Do të thotë që para se të filloj, e di çdo gjë që do të ndodhë, fundin, rrugët e personazheve dhe kthesat kryesore. Shkrimi është pjesa më e shpejtë: këtë roman e kam shkruar në gjashtë javë fiks. Më shumë kohë shpenzoj në planifikim dhe ndërtimin e historisë. Për Not Quite Dead Yet m’u deshën shumë kërkime, sidomos për funksionimin e trurit. Kam konsultuar një mjek për të kontrolluar nëse ajo që doja t’i ndodhte Jet-it ishte e mundur. Sepse, që kur më erdhi ideja (dikush që zgjidh vrasjen e vet një javë përpara se të vdesë) isha e vendosur të gjeja një mënyrë shkencore për ta bërë realiste”.
Ajo është një nga mbretëreshat e “BookTok” (komunitetit të librave në Tiktok), megjithatë nuk shkruan romane dashurie apo fantazi. Si arriti të pushtojë gjeneratën Z?
“Nuk kam bërë asgjë, kjo është e vërteta. Dhe po të isha më aktive në TikTok, nuk jam e sigurt nëse do të kishte bërë ndonjë ndryshim. E vetmja gjë që mund të kontrolloj është cilësia e librave të mi dhe të sigurohem që ata të përfshijnë (ose tronditin) lexuesit. Merita u takon vërtet vajzave dhe djemve që i bënë viralë librat e mi në TikTok dhe i përhapën. Kam qenë me fat: Si vrasin vajzat e mira ishte historia e duhur në vendin dhe kohën e duhur”.
Edhe në romanet e mëparshme ajo heton natyrën njerëzore. Dhe rrallëherë ka një fund të lumtur.
“Nuk e kam fshehur kurrë që bëj shumë kërkime mbi raste reale kur ndërtoj tramat e mia. Jam një konsumatore e zjarrtë e zhanrit true crime, podcasteve dhe dokumentarëve. Romanet e mia jetojnë në një zonë shumë gri, por në fund gjithmonë vjen një ‘e vërtetë’.”
Që, megjithatë, nuk të shpëton.
“Por mund të ndihmojë, shpresoj, edhe ata që lexojnë. Historitë e errëta kanë një tërheqje, sepse i flasin instinktit tonë të mbijetesës dhe besoj se kjo na prek sidomos neve, gratë. Është një lloj stërvitjeje: Çfarë do të bëja unë po të përballesha me një situatë të tillë?
Jeta është një aventurë për “vajzat e këqija”.
“Një vajzë e mirë është një vajzë e vdekur”, thotë Jackson (madje i ka vënë këtë titull edhe një libri të saj).