Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale një artikull të publikuar nga BBC, kushtuar agroturizmit dhe kulinarisë shqiptare.
Kreu i qeverisë shkruan se recetat tradicionale të gjysheve shqiptare janë tashmë një pikë e fortë e sipërmarrjeve të reja të agroturizmit në vend.
“Rrjeti i njohur mediatik BBC i ka kushtuar një artikull agroturizmit dhe kulinarisë shqiptare, përmes seksionit BBC Travel, duke veçuar recetat tradicionale të gjysheve shqiptare që po trashëgohen brez pas brezi dhe që janë një pikë e fortë e sipërmarrjeve të reja të agroturizmit të hapura në vendin tonë”, shkruan Rama.
Në artikullin e publikuar, BBC shkruan se janë pikërisht gjyshet shqiptare ato që shpëtuan kuzhinën tradicionale, teksa vendi kaloi periudha të vështira tranzicioni.
BBC sjell në vëmendje mungesën e ushqimeve gjatë regjimit komunist, zhdukjen e recetave në atë kohë, si dhe ndikimin e eksodit të shqiptarëve pas viteve ’90.
“Shqipëria po i rikthehet traditës së saj kulinare me ndihmën e gjysheve, të cilat po u mësojnë brezave të rinj gatimin e recetave të hershme. Ky fenomen vjen pas dy periudhave të ‘amnezisë kulinare’ që vendi ka përjetuar gjatë 80 viteve të fundit.
“Nga viti 1946 deri në vitin 1991, Shqipëria u qeveris nga regjimi komunist, i cili e izoloi vendin nga bota e jashtme. Në atë kohë, librat e gatimit u dogjën, importet u ndaluan, udhëtimet jashtë vendit u ndaluan, ushqimi u kolektivizua dhe mungesat ishin të përhapura.
Pas rënies së komunizmit në vitet ’90, rreth 710 mijë qytetarë – afërsisht 20% e popullsisë – u larguan nga Shqipëria në kërkim të punës jashtë vendit. Me kalimin e kohës, shumë prej emigrantëve harruan recetat e traditës shqiptare, teksa u përshtatën me kulturat e vendeve ku jetuan.
Mes mungesave të ushqimit gjatë komunizmit dhe emigracionit masiv pas tij, deri në fillim të shekullit XXI, një pjesë e madhe e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit kishin harruar si të përgatisnin kuzhinën tradicionale – përveç grave të një brezi të caktuar, të cilat ruajtën recetat e hershme”, shkruan BBC. (A2 Televizion)




