Prishtine/ Pas reagimeve të shumta për të dhëna të pasakta, hiqet nga sheshi  ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998-1999”

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Pas reagimeve të shumta për të dhëna dhe përmbajtje të pasaktë janë larguar nga sheshi i Prishtinës tabelat e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, me autor Shkëlzen Gashi.

Largimi i këtyre tabelave u bë një ditë pas vendimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për pezullimin e lejes së ekspozimit, për shkak të pasaktësive të evidentuara në përmbajtjen e ekspozitës.

Rama ka publikuar pamje në Facebook nga aksioni i sotëm i ekipeve të kryeqytetit duke bërë largimin e këtyre tabelave.

“Jo në Prishtinë… Kërkojmë përgjegjësi politike dhe institucionale nga Kuvendi i Kosovës për miratimin dhe financimin e një përmbajtjeje të tillë skandaloze që përdhos dinjitetin e qytetarëve dhe fyen kujtesën kolektive të popullit tonë”, shkruan Rama.

Lidhur me përmbajtje të pasaktë të kësaj ekspozite ka reaguar ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti.

Ai e ka cilësuar të papranueshme paraqitjen e pasaktë të krimeve të luftës në Kosovë.

Sipas tij, në kuadër të ekspozitës për luftën 1998/99 janë evidentuar raste ku faktet janë shtrembëruar, duke rrezikuar të relativizojnë krimet dhe të përforcojnë narrativa të rreme.

Hoti ka përmendur veçanërisht Masakrën e Krushës së Madhe, ku sipas tij është paraqitur gabimisht se gratë dhe fëmijët janë lejuar të largohen, ndërkohë që në këtë masakër janë vrarë edhe gra, përfshirë shtatzëna.

Ndërkaq, edhe autori i ekspozitës, Shkëlzen Gashi ka reaguar ndaj kritikave për pasaktësi në ekspozitën për masakrat në Kosovë.

Ai ka thënë se të dhënat janë bazuar në listën e hartuar nga Humanitarian Law Center, e udhëhequr nga Natasha Kandiq.

Sipas tij, kjo është lista e vetme gjithëpërfshirëse që ekziston aktualisht, pasi Kosova ende nuk ka një listë zyrtare të të gjithë të vrarëve gjatë luftës 1998–1999.

Gashi ka theksuar se mospërputhjet në të dhëna, përfshirë rastin e Masakra e Burgut të Dubravës, ku disa viktima figurojnë si të armatosur, janë pjesë e listës së HLC-së dhe nuk janë përcaktuar nga organizatorët e ekspozitës.

Ai përmendi se raste të ngjashme vërehen edhe në Masakra e Mejës dhe Masakra e Reçakut.

Share This Article