Kina propozon një qeverisje globale të drejtë e të arsyeshme të AI-së

Share

Presidenti Xi Jinping shtjelloi të premten mendimet e Kinës mbi zhvillimin dhe qeverisjen e inteligjencës artificiale (AI), ndërsa mbajti një fjalim në ceremoninë e hapjes së Konferencës Botërore të AI-së dhe Takimit të Nivelit të Lartë mbi Qeverisjen Globale të AI-së 2026, që po zhvillohen në Shangai.

Në fjalimin tematik “Të ndërtojmë së bashku një sistem të qeverisjes globale të AI-së të drejtë dhe të arsyeshëm”, kreu i shtetit i Kinës vuri në dukje që, aktualisht, bota po kalon ndryshime të thella, me zhvillimin e një revolucioni të ri teknologjik dhe përshpejtimin e transformimit industrial. Inovacioni teknologjik i inteligjencës artificiale po paraqet si mundësi të mëdha, ashtu edhe sfida qeverisjeje. Kina është e bindur se të gjitha vendet duhet të mbështesin parimin e vënies së njeriut në qendër dhe të përdorimit të teknologjisë për të mirën e njeriut, duke e bërë AI-në një forcë lëvizëse të rëndësishme për promovimin e lulëzimit dhe sigurisë së përbashkët, duke punuar së bashku për të krijuar një sistem të qeverisjes globale të AI-së të drejtë e të arsyeshëm.

Lidhur me këtë, ai paraqiti katër propozime, që janë përkatësisht:

Së pari, përmbajtja ndaj parimit të hapjes dhe bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta, ndërkohë që nxitet zhvillimi i drejtuar nga inovacioni.

Së dyti, forcimi i ndërgjegjësimit për rrezikun dhe garantimi që AI të jetë e sigurt dhe e kontrollueshme.

Së treti, inkurajimi i përfshirjes dhe promovimi i të mësuarit të ndërsjellë midis qytetërimeve.

Së katërti, mbështetja e solidaritetit dhe përmirësimi i qeverisjes globale të AI-së, me praktikimin e multilateralizimit të vërtetë dhe rolin e rëndësishëm të OKB-së.

Të enjten, 29 vende nënshkruan si anëtarë themeltarë Marrëveshjen mbi Organizatën Botërore të Bashkëpunimit për Inteligjencën Artificiale, organizata e parë ndërqeveritare e këtij tipi në botë, me nismën e Kinës.

Lidhur me këtë, presidenti i Kinës Xi Jinping theksoi se krijimi i kësaj organizate bëhet në reagim të thirrjeve të vendeve të Jugut Global dhe është një masë e rëndësishme për nxitjen e zhvillimit dhe të qeverisjes së AI-së. Kina do t’u ofrojë vendeve në zhvillim një kuotë prej 5 000 vetash për trajnime e seminare të posaçme për teknologjinë e inteligjencës artificiale gjatë pesë vjetëve të ardhshëm dhe do të ndërtojë qendra ndërkombëtare bashkëpunimi për aplikimet e AI-së me ASEAN-in, Lidhjen e Shteteve Arabe, Bashkimin Afrikan, Komunitetin e Shteteve të Amerikës Latine dhe Karaibeve, Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait dhe BRICS-in. Kina gjithashtu do të ndihmojë 30 vende të përdorin sistemin e paralajmërimit të hershëm meteorologjik MAZU, të mundësuar me teknologjinë e AI-së, për të mbrojtur jetën dhe pronën e njerëzve në të gjithë botën, shtoi Xi.

Në ceremoninë e hapjes së konferencës mbajtën fjalime presidenti i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev, kryeministri i Kamboxhias Hun Manet, kryeministri i Tajlandës Anutin Charnvirakul dhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, të cilët shprehën u se teknologjia e AI-së duhet të ndahet bashkërisht e të qeveriset nga vende të ndryshme, për t’u shërbyer interesave të të gjitha palëve, zhvillimit të vazhdueshëm të njerëzimit, mbushjes së hendekut digjital dhe zhvillimit midis Jugut e Veriut Global.

Lexo më shumë

Lajmet e Fundit