Deklaratat e Komisioneres për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos, gjatë vizitës së saj në Podgoricë kanë rikthyer në vëmendje shqetësimet e Brukselit për ecurinë e reformave në Shqipëri dhe ndikimin e tyre në procesin e integrimit.
Në qëndrimet e saj, Kos nënvizon se përparimi drejt Bashkimit Evropian kërkon institucione funksionale, sundim të ligjit dhe një sistem të pavarur gjyqësor, elemente që sipas saj mbeten sfiduese në rajon.
Në këtë kontekst, në një artikull të gazetës austriake “Der Standard” përmendet edhe roli i kryeministrit Rama, i cili së bashku me presidentin serb Aleksandër Vuçiç ka promovuar idenë e një “integrimi gradual”, ku vendet e Ballkanit do të përfshiheshin fillimisht në tregun e përbashkët, pa u bërë anëtare të plota të BE-së.
“Së bashku me bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, kryeministrin shqiptar Edi Rama, ai kohët e fundit promovoi idenë – ndoshta për këtë arsye – në një artikull si mysafir në Frankfurter Allgemeine Zeitung se shtetet e Ballkanit duhet të bashkohen vetëm me tregun e vetëm dhe të heqin dorë nga të drejtat e vetos. Një “integrim gradual” i tillë do të ishte tashmë i mundur. Megjithatë, edhe për tregun e vetëm, një gjyqësor funksional dhe sundimi i ligjit janë thelbësorë.
Nën Vuçiçin, Serbia është më larg arritjes së kësaj nga të gjitha vendet kandidate. Vetëm në shkurt, në Beograd u miratuan ligje që dëmtojnë më tej pavarësinë e gjyqësorit. Artikulli i mysafirit gjithashtu e bëri të qartë se as Vuçiç dhe as Rama nuk duan transparencë, demokraci, ndarje të pushteteve dhe sundim të ligjit”, thotë artikulli.
Një qasje e tillë nuk mund të zëvendësojë standardet thelbësore që kërkohen për anëtarësim, si transparenca, ndarja e pushteteve dhe sundimi i ligjit.
Kritikat bëhen më të forta kur flitet për zhvillimet e fundit në Shqipëri, ku veprime të mazhorancës janë parë si pengesë për luftën kundër korrupsionit, vijon artikulli. Një prej rasteve të përmendura është bllokimi i një mocioni parlamentar për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e konsideruar si një figurë kyçe në qeveri.
Sipas këtyre vlerësimeve, veprime të tilla minojnë besimin te institucionet e drejtësisë, përfshirë edhe SPAK-un, dhe dëmtojnë drejtpërdrejt perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
“Në mesin e marsit, Rama dhe Partia e tij Socialiste madje bllokuan një mocion parlamentar për t’i hequr imunitetin ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e konsideruar si krahu i tij i djathtë, në lidhje me akuzat për korrupsion. Veprimet e Ramës jo vetëm që minuan SPAK-un, agjencinë antikorrupsion që gëzon respekt të lartë publik, por gjithashtu penguan perspektivën e anëtarësimit në BE”, thuhet më tej në artikull.

