Ryanair po hetohet nga rregullatori britanik i konkurrencës, Competition and Markets Authority (CMA), për mënyrën si u ngarkon prindërve tarifa shtesë për t’u ulur pranë fëmijëve në avion.
Sipas CMA, kompania mund të jetë duke kërkuar rreth £8 për çdo drejtim për të garantuar vendet familjare, një praktikë që po shqyrtohet nëse është “e padrejtë” sipas ligjit të konsumatorit dhe nëse lidhet me detyrimet e sigurisë së fëmijëve në fluturime.
Ryanair e ka quajtur hetimin “të pabazë” dhe ka deklaruar se politika e saj e uljes familjare është në përputhje të plotë me ligjet në fuqi. Sipas kompanisë, prindërit paguajnë vetëm një vend të rezervuar, ndërsa deri në katër fëmijë mund të ulen pranë tyre pa pagesë shtesë për ato vende.
CMA po shqyrton gjithashtu nëse tarifat shfaqen qartë gjatë rezervimit, apo shtohen gradualisht në çmimin final (“drip pricing”), duke rritur koston për familjet.
Hetimi është në fazë të hershme dhe autoriteti britanik thekson se ende nuk është arritur ndonjë përfundim për shkelje të ligjit. Nëse konstatohen shkelje, kompanitë mund të gjobiten deri në 10% të xhiros globale.


