Miliona banorë në Angli janë paralajmëruar të përgatiten për një valë të fortë të nxehti, pasi Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar (UKHSA) ka lëshuar alarm portokalli (amber) për rajone të mëdha të vendit. Paralajmërimi mbulon Londrën, juglindjen, jugperëndimin dhe lindjen e Anglisë dhe do të mbetet në fuqi deri të martën në mbrëmje.
Sipas parashikimeve të Met Office, temperaturat do të arrijnë rreth 30°C të premten, ndërsa gjatë fundjavës dhe në fillim të javës së ardhshme mund të ngjiten deri në 34°C në disa zona të Anglisë jugore. Meteorologët paralajmërojnë se kjo valë të nxehti mund të jetë më intensive se ajo e regjistruar në muajin maj.
Autoritetet shëndetësore theksojnë se alarmi portokalli nënkupton rrezik jo vetëm për grupet më të ndjeshme, si të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore, por edhe për popullsinë e gjerë dhe shërbimet shëndetësore.
Met Office ka bërë të ditur se shumë zona të Anglisë jugore mund të përmbushin kriteret zyrtare të një vale të nxehti deri në fundjavë. Ndërkohë, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të hidratuar, të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe të kujdesen për personat më vulnerabël.
Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se temperaturat e larta dhe lagështia mund ta bëjnë motin të ndihet edhe më i rëndë, ndërsa në disa zona nuk përjashtohet mundësia e stuhive dhe reshjeve të forta lokale.


