Çifti Ivanka Trump dhe Jared Kushner kanë mohuar se qëndrojnë pas investimit të resortit luksoz në Zvërnec. Konkretisht, kompania e Jared Kushner, Affinity Partners ka deklaruar se nuk është e përfshirë në këtë projekt që ka shkaktuar protesta masive në Shqipëri.
Pas një kërkese për koment nga CNBC, kompania i referoi gazetarët te një agjenci e marrëdhënieve me publikun (PR) dhe sipas agjencisë projekti po zhvillohet nga Sazan Real Estate Development LLC dhe jo nga kompania Affinity Partners. Kompania thekson gjithashtu se çdo partner amerikan i përfshirë në nismë po vepron në kapacitetin e tij personal dhe jo si përfaqësues i Affinity Partners.
Në një deklaratë zyrtare, kryetari i Sazan Real Estate Development LLC, Asher Abehsera, tha se synimi i projektit është të promovojë bukuritë e zonës duke respektuar trashëgiminë natyrore të Shqipërisë.
“Qëllimi ynë është i thjeshtë: të festojmë bukurinë natyrore të Shqipërisë, të krijojmë vende pune dhe të ndërtojmë diçka për të cilën brezat e ardhshëm mund të jenë krenarë. E ardhmja e saj në fund të fundit do të përcaktohet nga Shqipëria dhe populli shqiptar”, tha në një deklaratë Asher Abehsera, kryetar i Sazan Real Estate Development LLC.
Mijëra njerëz kanë dalë në protestë në Tiranë kundër projektit luksoz që thuhet se lidhet me Jared Kushner, dhëndrin e Presidentit amerikan Donald Trump. Qytetarët kanë marshuar drejt Kryeministrisë me pankarta “Shqipëria nuk është në shitje” dhe kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Qytetarët e kundërshtojnë projektin, duke thënë se nuk ka pasur transparencë të mjaftueshme dhe se pasuritë e vendit po jepen për interesa private. Një tjetër shqetësim i protestuesve është dëmi që mund t’i shkaktohet natyrës dhe mjedisit në bregdetin jugor.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama e ka mbështet këtë projekt, duke thënë se do të sjellë investime dhe vende të reja pune. Rama ka deklaruar ndër të tjera se kundërshtimet po lidhen më shumë me emrin e Kushnerit sesa me ndikimin e projektit në mjedis./Dosja.al


