Një inxhinier avionësh, vetëm 23 vjeç, ka humbur jetën pas një aksidenti të rëndë në Aeroportin Heathrow të Londrës, teksa kryente punime mirëmbajtjeje në një avion Boeing 787 të kompanisë Virgin Atlantic.
Viktima, Georgie Buxton, mbeti i bllokuar dhe u shtyp nga një pajisje e rëndë që, sipas raportimeve, u rrëzua papritur mbi të ndërsa ai punonte brenda rezervuarit të karburantit të avionit. Pas aksidentit ai u dërgua në gjendje kritike në spital, ku qëndroi për katër javë në kujdes intensiv. Fatkeqësisht, ai ndërroi jetë pasi mjekët nuk arritën ta shpëtonin.
Georgie kishte punuar për Virgin Atlantic prej rreth dy vitesh, pasi më parë kishte qenë pjesë e ekipit të mirëmbajtjes së Ryanair. Lajmi për vdekjen e tij ka tronditur kolegët dhe familjarët.
Pas ngjarjes, avioni Boeing 787 është nxjerrë jashtë shërbimit, ndërsa Virgin Atlantic, në bashkëpunim me prodhuesin Boeing dhe autoritetet britanike, ka nisur një hetim për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Gjithashtu pritet të zhvillohet një hetim gjyqësor nga autoritetet përkatëse në Londër.
Në një deklaratë zyrtare, Virgin Atlantic u shpreh se është “thellësisht e pikëlluar” për humbjen e një anëtari të dashur të ekipit të saj të inxhinierisë, duke theksuar se siguria e punonjësve mbetet prioriteti kryesor dhe se kompania do të bashkëpunojë plotësisht me hetimet në vijim.


