Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar ka reaguar zyrtarisht ndaj një artikulli të publikuar nga BBC, duke kundërshtuar titullin fillestar, i cili sipas saj stigmatizonte shqiptarët duke përgjithësuar veprimet e disa individëve.
Titulli i parë i artikullit ishte “Albanians used false papers for settlement scheme” (“Shqiptarët përdorën dokumente false për skemën e qëndrimit”), duke krijuar përshtypjen se përgjegjësia i atribuohej një komuniteti të tërë.
Pas reagimit të Ambasadës shqiptare, BBC e ndryshoi titullin në “Trio used false papers for settlement scheme” (“Tre persona përdorën dokumente false për skemën e qëndrimit”), duke hequr referencën ndaj kombësisë dhe duke e fokusuar lajmin te personat e përfshirë në çështje.
Në reagimin e saj, Ambasada theksoi se përdorimi i përkatësisë kombëtare në titull ishte denigrues dhe binte ndesh me standardet e raportimit të paanshëm, pasi veprimet e disa individëve nuk mund t’i atribuohen një kombi të tërë.
Ndryshimi i titullit nga BBC u konsiderua nga Ambasada si një reflektim i standardeve editoriale dhe një korrigjim i rëndësishëm për të shmangur stigmatizimin e komunitetit shqiptar.


