“Fatkeqësi natyrore” kuptohen tërmetet, përmbytjet, thatësira atmosferike të tejzgjatura, rrëshqitjet arkitektonike, ortekët, erërat e forta, zjarret në pyje dhe në mjediset e banuara, sëmundjet infektive masive, pasojat e të cilave prekin popullatën, gjënë e gjallë, pronën, mjedisin, si dhe ngjarje të tjera të shkaktuara nga dukuri natyrore.
Qëllimi
Planëzimi dhe përballimi i emergjencave civile janë detyra të shtetit shqiptar që synon:
a) parandalimin, pakësimin dhe riaftësimin nga çdo dëmtim që prek popullatën, gjënë e gjallë, pronën, trashëgiminë kulturore dhe mjedisin nga emergjencat civile;
b) sigurimin e kushteve për institucionet shtetërore, publike e private, për veprimtaritë ekonomike dhe për popullatën, për kalimin nga gjendja normale e jetesës dhe e punës në një situatë emergjente, me humbje sa më të vogla për ruajtjen e rendit, për jetën e njerëzve, për gjënë e gjallë, për pronën, për trashëgiminë kulturore dhe për mjedisin kundër efekteve të një emergjence civile;
c) garantimin e përdorimit të të gjitha burimeve të mundshme të shtetit, me qëllim sigurimin publik, ruajtjen e vazhdueshme të ekonomisë kombëtare, lokalizimin e zonës së emergjencës dhe lehtësimin e pasojave.
Parime të përgjithshme
1. Organet shtetërore, të përcaktuara në këtë ligj, janë përgjegjëse për parandalimin, përballimin dhe për riaftësimin e gjendjes së shkaktuar nga fatkeqësia.
2. Organet shtetërore kanë të drejtë të përdorin çdo mjet publik ose privat, si dhe të bashkëpunojnë me organizata vullnetare që kanë rol të përcaktuar në situatat emergjente, për të shmangur ose për të reduktuar pasojat që shkaktohen nga fatkeqësitë, në përputhje me rregullat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi, për aq kohë sa vepron rrethana që i ka shkaktuar ato pasoja.
3. Strukturat e ngritura për planëzimin dhe për përballimin e emergjencave civile funksionojnë si të tilla edhe në rastet kur me ligj shpallet gjendja e jashtëzakonshme, gjendja e luftës ose gjendja e fatkeqësisë natyrore, duke pasur si qëllim kryesor marrjen e masave për parandalimin dhe riaftësimin e gjendjes së shkaktuar nga gjendja e jashtëzakonshme, gjendja e luftës ose gjendja e fatkeqësisë natyrore.
4. Çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë, në përputhje me mundësitë e tij reale, ka për detyrë të ndihmojë në parandalimin dhe zvogëlimin e pasojave që shkaktohen nga fatkeqësitë, në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë ligj.
5. Asnjë organ, i përcaktuar në këtë ligj, nuk mund të ushtrojë përgjegjësi që nuk janë në sferën e veprimtarisë së tij.
6. Organet që, sipas këtij ligji, ngrihen për situata emergjente, janë fuqiplote, brenda përgjegjësive dhe hierarkisë së tyre dhe veprojnë edhe pas kapërcimit të situatave emergjente, siç përcaktohet në pikat 1 dhe 2 të nenit 174 të Kushtetutës.
7. Organet, që sipas këtij ligji kanë natyrë operative, funksionojnë në mënyrë të përhershme dhe kryejnë detyrat e përcaktuara në këtë ligj për parashikimin, parandalimin, operacionet e ndërhyrjes dhe për riaftësimin e pasojave nga fatkeqësitë.
8. Aktet e organeve më të larta janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga organet më të ulëta dhe nga çdo person fizik ose juridik. Ato marrin fuqi juridike në çastin e nxjerrjes së tyre. Organet që i nxjerrin këto akte detyrohen t’i vënë ato menjëherë në dispozicion të zbatuesve.