Kosova
Ambasada e SHBA-së: Prokuroria duhet të jetë autonome, prokurorët të mbikëqyren
Sistemi i drejtësisë duhet të dëshmojë rezultate konkrete në hetimin e zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion. Për t’u arritur kjo, gjyqtarët, prokurorët dhe Policia, duhet të kenë performancë të njëjtë dhe të lartë, kanë thënë zyrtarët e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.
Dy zyrtaret e Ambasadës amerikane, Lana Owens, punonjëse në Departamentin e Drejtësisë dhe këshilltare rezidente ligjore në Kosovë dhe Alison Storsve, zëvendësdrejtoreshë në seksionin politik dhe ekonomik në Ambasadën amerikane në Kosovë, në një intervistë për “Kohën Ditore” kanë ndarë mendimin e përbashkët se tri hallkat kryesore të sistemit të drejtësisë jo çdoherë janë shfaqur në nivelin e duhur të profesionalizmit.
Ndërsa, duke folur në mënyrë të veçantë për Prokurorinë Speciale, ato kanë thënë se ajo duhet t’i paraqesë mirë rastet në gjykim dhe që publiku ta ketë besimin se ajo e ka kryer punën e vet.
Owens dhe Storsve nuk kanë dashur të komentojnë aktgjykimin në rastin “Pronto”, por kanë insistuar që për proceset hetimore të ketë më shumë mbikëqyrje, për t’u siguruar që aktakuzat dhe hetimet të rishikohen nga disa prokurorë para se të dorëzohen në gjykatë. Kanë treguar se në vendet demokratike, institucionet e drejtësisë janë të pavarura, por puna e individëve brenda tyre mbikëqyret.
“Këtu në Ambasadë dhe në praktikat më të mira amerikane, e ke gjithnjë dikë që e shikon punën tënde”, ka thënë Owens.
KD: Cili është roli dhe mandati i Prokurorisë Speciale në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të krimit të organizuar, korrupsionit të nivelit të lartë dhe shpëlarjes së parave në sistemin prokurorial dhe të drejtësisë?
Owens: Mendoj se ligji në të vërtetë e mandaton se cili duhet të jetë ai rol dhe mendoj se nuk lë hapësirë për interpretim, ligji është shumë i qartë rreth asaj se cilat raste duhet t’i ngarkohen dhe t’i ndjekë penalisht Prokuroria Speciale. Mendoj se një prej mesazheve që jemi munduar t’ua përçojmë Prokurorisë Speciale dhe Zyrës së kryeprokurorit është se posa që një hetim ka mbërritur në një pikë të caktuar, posa që një prokuror është caktuar për rastin, pavarësisht se nga cila zyrë, rasti duhet t’i lihet atij prokurori; kjo është praktika dhe mënyra më efikase për ta udhëhequr një hetim.
Një gjë tjetër të cilën ne e inkurajojmë është që mbase të caktohen më shumë se një prokuror. Për shembull, nëse rasti fillimisht nuk ka përfshirë shpëlarjen e parave, por në vijimësinë e hetimeve shpëlarja e parave është bërë e dukshme, atëherë mbase mund të caktohen dy prokurorë: njëri me përvojë në rastet e shpëlarjes së parave dhe tjetri nga zyra themelore. Mendojmë se ky mund të jetë përmirësim që do të mund të bëhej.
Storsve: Në përgjithësi do të thosha se ne jemi avokues, si Qeveri e SHBA-së, që shtetet të kenë prokurori speciale që do të trajtonte rastet super-delikate. Në Kosovë jemi të kënaqur me zhvillimet e vitit të kaluar, të cilat kanë të bëjnë me degën korresponduese speciale në Gjykatën Themelore të Prishtinës që do të funksionojë krahas Prokurorisë Speciale, në mënyrë që këto raste të mbahen në një kategori të ndarë dhe të trajtohen si nga Prokuroria e Specializuar ashtu edhe Gjykata e Specializuar..
Kosova
Tragjedi në Prizren, humb jetën një fëmijë njëvjeçar si pasojë e zjarrit
Një zjarr i madh ka shpërthyer sot në një shtëpi banimi pranë Shtëpisë së Kulturës në Prizren, ku si pasojë ka humbur jetën një fëmijë njëvjeçar.
Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tre fëmijë të tjerë janë shpëtuar dhe aktualisht po marrin trajtim mjekësor.
“Sot, më 30 dhjetor 2025, rreth orës 10:00, është raportuar një zjarr në një shtëpi banimi në qendër të Prizrenit. Një fëmijë rreth 1 vjeç ka humbur jetën, dyshohet si pasojë e thithjes së tymit. Tre fëmijë të tjerë janë shpëtuar dhe po marrin trajtim në Emergjencë,” tha Bytyqi për Telegrafin.
Ai bëri të ditur se njësitë emergjente kanë reaguar menjëherë dhe zjarri është lokalizuar pothuajse plotësisht. Ekipet përkatëse vazhdojnë të jenë në vendin e ngjarjes.
Bytyqi theksoi se shkaqet e zjarrit janë duke u hetuar nga organet kompetente dhe do të vërtetohen pas përfundimit të procedurave hetimore.
Kosova
“Tageszeitung” e Berlinit: “Shumë njerëz në mbarë Evropën Juglindore dëshirojnë personalitete si Kurti si politikanë në vendet e tyre”
Nuk kanë kaluar as pak muaj që kur Albin Kurti vizitoi Sarajevën, kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës.
Kryeministri i Kosovës mori duartrokitje të stuhishme nga politikanë e publicistë, nga antifashistë e punëtorë ndërtimi, nga gra e burra që ndodheshin rastësisht në atë ndërtesë. Kurti ka karizëm dhe është i besueshëm. Këtë e ndjenë njerëzit në sallë atëherë, dhe këtë e treguan edhe të dielën, kur Kosova e rizgjodhi Kurtin me 50 për qind të votave.
Gjithkush në atë sallë në Sarajevë e dinte se Albin Kurti, që kur ishte student në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës, ishte pjesë e rezistencës me mjete paqësore kundër pushtimit serb; se ai dergjej në burgjet serbe që nga viti 1998 dhe se më në fund, në vitin 2000, pas luftës së Kosovës, mundi të kthehej në atdheun e tij. Serbët, deri para pak kohësh, donin të pengonin çdo kontakt mes shoqërisë boshnjake dhe asaj kosovare. Të dyja shoqëritë pësuan më së shumti gjatë luftërave të Jugosllavisë (1991-2001) nga sulmet e forcave ushtarake serbe; miliona njerëz u dëbuan atëherë dhe dhjetëra mijëra u vranë. Ky fat i bashkon ata.
Njësoj i bashkon edhe vetëdija se shoqëritë e përcaktuara mbi baza etnike çojnë vetëm në konflikte të mëtejshme. Bosnja, para 30 vitesh, u nda në zona etnike me ndihmën e rusëve, SHBA-së dhe gjithashtu Evropës; këtë gjë Kurti dëshiron ta shmangë me çdo kusht në Kosovë. Ai angazhohet për një shoqëri multietnike, duke qëndruar kështu pas kushtetutës së vendosur nga OKB-ja. Të drejtat e pakicave janë të garantuara, siç e dëshmojnë enklava e Graçanicës dhe zona të tjera. Por Serbia kërkon të imponojë ndarjen etnike në Kosovë dhe kështu provokon vazhdimisht konflikte, të cilat pastaj i faturohen Kurtit.
Por njerëzit në Kosovë i besojnë atij dhe qeverisë së tij; Kurti nuk është një „nacionalist i majtë“. Nuk është për t’u habitur që shumë njerëz në mbarë Evropën Juglindore dëshirojnë personalitete si Kurti si politikanë në vendet e tyre. /REL
Kosova
Këta janë 10 kandidatët më të votuar në Vetëvendosjes
Komisioni Qendror Zgjedhor po vazhdon me numërimin e votave për kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Ndërsa, numërimi i votave të kandidatëve për deputetë ka shkuar mbi 10 për qind, kurse rezultatet preliminare për dhjetë kandidatët më të votuar të Vetëvendosjes deri në orën 18:25 janë këto:
Albin Kurti me 37,026 vota,
Glauk Konjufca me 28,972 vota,
Hekuran Murati me 15,143 vota,
Albulena Haxhiu me 14,823 vota,
Donika Gërvalla me 13,016 vota,
Xhelal Sveçla me 11,922 vota,
Hajrulla Çeku me me 10,682 vota,
Avni Dehari me 9,709 vota,
Mimoza Kusari me 9,050 vota
Ejup Maqedonci me 8,493 vota.
Pas procesimit të rezulateve preliminare në platformën e KQZ-së, LVV ka fituar 49.30% të votave.
Në bazë të këtyre rezultateve, LVV siguron 56 mandate(pa votat e diasporës dhe ato me kusht)./REL
-
UK1 day agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania1 day agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania3 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports1 day agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania1 day agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Kosova1 day agoKëta janë 10 kandidatët më të votuar në Vetëvendosjes
-
Albania2 days agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
