Kevin Berling nga Kentucky mori 450 mijë dollarë, pasi paditi punëdhënësin që organizoi një festë me rastin e ditëlindjes së tij.
Në fakt, Berling punonte në një laborator medicinal të quajtur Gravity Diagnostics. E punëdhënësit dhe kolegëve u kishte thënë se nuk dëshiron ndonjë befasi për ditëlindje, pasi vuan nga sulmet e panikut. Megjithatë, kërkesën e tij nuk e respektuan.
Ata organizuan festë, kurse Berling siç edhe pritej, ka pësuar sulme paniku dhe u detyrua të shkojë në makinë për të ngrënë drekën.
Sikur kjo të mos mjaftonte, shefi të nesërmen i kishte thënë se është sjellë ‘si një vajzë e vogël’ dhe se ia ‘ka prishur qejfin kolegëve të tij’. Madje shpejt edhe u shkarkua.
Por rasti përfundoi në gjykatë, pasi Berling konsideron se ishte diskriminuar për shkak të gjendjes së tij psikike dhe se nuk i është mundësuar kryerja e punës në një ambient të sigurt, shkruan BBC.
Kështu gjykata mori vendim që atij t’i ndahen 150 mijë dollarë për ‘humbjen e pagave’ dhe 300 mijë tjera për ‘dhimbjen e shkaktuar, poshtërimin dhe humbjen e vetëbesimit’.