Albania
Analiza/ Sa vota nevojiten për një deputet në zgjedhjet e 11 majit
BIRN, Gjergj Erebara/ Teorikisht, 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë përfaqësojnë trupën politike, e cila, në zgjedhjet e 11 majit përbëhet nga 3.7 milionë votues. Kjo është vetëm teorikisht, sepse një pjesë e konsiderueshme është në emigrim, shumë prej dekadash dhe rrjedhimisht janë pjesë e trupës politike vetëm nominalisht.
Në zgjedhjet e vitit 2021, kur numri i votuesve në regjistrin civil ishte 3.59 milionë vetë, pjesëmarrja ishte 46% dhe, mesatarisht, afërisht 12 mijë votues nxorrën një deputet. Duke marrë parasysh se një pjesë e votave ishin të pavlefshme, dhe një pjesë shkuan te partitë e vogla dhe kandidatët e pavarur, të cilët nuk prodhuan mandate, të katër partitë që morën mandate morën mesatarisht 11 mijë vota për mandat.
Formula D-Hondt e mesatareve më të larta njihet se favorizon partinë më të madhe. Rrjedhimisht, në rang kombëtar, Partia Socialiste fitoi secilin nga 74 mandatet e saj për çdo 10,400 vota. Partia Demokratike mori secilin nga të 59 mandatet për afërsisht 10.600 vota ndërsa Partia Socialdemokrate mori tre mandate me mesatarisht me 11,800 vota. Lëvizja Socialiste për Integrim, sot Partia e Lirisë, mori vetëm katër mandate edhe pse grumbulloi në rang kombëtar 108 mijë vota, me një mesatare prej 27 mijë votash për mandat.
Numri i votave të nevojshme për mandat në secilin qark në zgjedhjet e 11 majit do të varet nga pjesëmarrja, e cila është diçka e paparashikueshme. Shqipëria pëson ndryshime të forta demografike çdo vit dhe Censi i vitit 2023 gjeti në Shqipëri afërsisht gjysmë milioni njerëz më pak se sa Censusi i vitit 2011, gjë që sugjeron rënie vjetore të popullsisë banuese me rreth 40 mijë vetë dhe rënie vjetore të popullsisë votuese me rreth 30 mijë vetë.
Kjo do të thotë se mes zgjedhjeve të vitit 2021 dhe atyre të vitit 2025, rreth 120 mijë votues mund të jenë larguar. Por kjo është e pamundur të dihet me saktësi sepse, ndonëse është e sigurt se mes Censit dhe Censusit, ka pasur rënie popullsie, ne nuk mund ta dimë nëse kjo rënie popullsie ka ndodhur në mënyrë të njëtrajtshme përgjatë të gjithë periudhës apo ka pasur vite kur rënia ka qenë më e fortë e vite të tjera kur ka qenë më e paktë.
Në këto zgjedhje, pjesëmarrja pritet të ndikohet edhe nga rreth 246 mijë shqiptarë, të cilët janë regjistruar për të votuar me postë. Në rast se këta të gjithë do të votojnë, pjesëmarrja ka gjasa do të jetë më e lartë se sa më 2021 dhe rrjedhimisht, numri i votave të nevojshme për të kapur mandatin e fundit do të jetë më i lartë.
Formula D-Hond pjesëton numrin e votave që ka marrë secila parti, fillimisht me 1, pastaj me 2 e me radhë, deri sa të mbarojnë mandatet për t’u ndarë. Partisë që i del herësi më i lartë nga pjesëtimi, merr mandatin. Rrjedhimisht, ajo që diskutohet, dhe që është përcaktuese për rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve, është i ashtuquajturi mandat i fundit. Ky është edhe mandati që praktikisht synohet nga të gjitha partitë e vogla, veçanërisht në Tiranë.

Mandati i fundit është ndarë në secilin qark në varësi të pjesëmarrjes. Në zgjedhjet e vitit 2021, pjesëmarrja në Tiranë ishte veçanërisht e lartë, 53% në krahasim me mesataren kombëtare që ishte 46%. Kjo do të thotë që mandati i fundit në Tiranë u fitua me 12 mijë vota ndërsa, në Dibër, mandati i fundit u fitua me 7255 vota. Qarqet e tjera janë mes këtyre dy shifrave si në grafik. Në Shkodër, Partia Socialdemokrate arriti të rrëmbejë dy mandate me pak më shumë se sa 16 mijë vota.
Votat e djegura ndihmojnë të mëdhenjtë
Të dhënat e zgjedhjeve të vitit 2021 sugjerojnë se shumë mandate kyçe për maxhorancën u fituan falë “votave të djegura”, pra votave të fituara nga partitë e vogla, kryesisht LSI. Në qarqet Durrës e Berat, LSI humbi mandat për vetëm disa dhjetëra vota. Rrjedhimisht, ndarja e opozitës kryesore në katër koalicione konkurrente, Berisha-Meta, Shehi-Alibeaj, Partia Mundësia e Shehajt dhe Euroatlantikët e Bashës, sugjeron se në shumë qarqe do të ketë shumë vota të cilat nuk do të arrijnë të prodhojnë mandat. Mandatet e humbura nga këto parti do të bien në prehërin e forcës politike që merr shumicën e thjeshtë në secilin qark.
Albania
Veliaj dhe Meta urojnë Vitin e Ri 2026 nga qelia, me mesazhe shprese dhe bashkimi
Dy figura të politikës shqiptare, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, kanë përcjellë urimet e tyre për Vitin e Ri 2026, edhe pse ndodhen në paraburgim.
Erion Veliaj iu drejtua qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë me një mesazh të gjatë e emocional, ku uroi shëndet, lumturi, arritje dhe shpresë për vitin e ri. Në fjalën e tij, ai vuri theks të veçantë te solidariteti dhe mbështetja për shtresat më në nevojë të shoqërisë.
“Një urim zemre për të pamundurit, për të sëmurët, për ata që ndihen të braktisur, për familjet në vështirësi, për emigrantët që punojnë me djersë larg shtëpisë – ju uroj forcë dhe ngrohtësi këtë vit të ri.”, shkruan Veliaj.

Ndërkohë, edhe ish-presidenti Ilir Meta përcolli një mesazh urimi për qytetarët shqiptarë, duke u dëshiruar shëndet, paqe, gëzim dhe mbarësi. Meta e përshkroi vitin 2026 si “vitin e bashkimit, të guximit qytetar dhe të ringjalljes së shpresës”, duke nënvizuar nevojën për përballje të vendosur me sfidat dhe angazhim për një Shqipëri më të drejtë, më sociale dhe më njerëzore. Ai theksoi rëndësinë e barazisë para ligjit, respektimit të lirive dhe dinjitetit njerëzor, si dhe krijimit të mundësive që çdo qytetar të jetojë me siguri dhe mirëqenie në vendin e tij.

Albania
Bebet e para të 2026! Dy vajza lindin në maternitetet e Tiranës
Dy vajza janë bebet e para të lindura në Shqipëri në vitin 2026. Njëra erdhi në jetë në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, ndërsa tjetra në maternitetin “Koço Gliozheni”.
Albania
Kisha Ortodokse nesër shërbesë për Vitin e Ri, përkon me 70-vjetorin e kryepeshkopit Joan
Të enjten më 1 janar 2026 në kishat ortodokse të Shqipërisë do zhvillohet Liturgjia e Shenjtë për kremtimin e Shën Vasilit. 1 janari përkon edhe me fillimin e vitit të ri kalendarik, teksa do të zhvillohet edhe Dhoksologjinë e Fillimit të Vitit të Ri, një lutje specifike e kishës ortodokse.
Në Tiranë, ceremonia do zhvillohet në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” dhe do fillojë në orën 08:00 të mëngjesit.
Gjithashtu, 1 janari përkon edhe me ditëlindjen e 70-të të Kryepeshkopit Joan, me Kryebariun e kishës që do drejtojë Shërbesën e Shenjtë në Tiranë. Pas Liturgjisë Hyjnore do ketë dhe pritje te Qendra Sinodike.
“Të dashur besimtarë, ju njoftojmë që ditën e enjte më 1 JANAR 2026, ora 8:00, do të zhvillohet Liturgji Hyjnore në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit në Tiranë. Këtë ditë kremtojmë Rrethprerjen në mish të Zotit tonë Jisu Krisht, Shën Vasilin e Madh dhe Dhoksologjinë e Fillimit të Vitit të Ri”, njofton Kisha Ortodokse.
-
Albania18 hours ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
UK3 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania3 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania5 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK5 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports3 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK17 hours agoVizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim
-
UK2 days agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
