Albania
Andi Bushati: Berisha e vrau opozitën me listat e mbyllura
Vendimi i Sali Berishës për të pranuar variantin e Ramës kundër listave të hapura nuk është vetëm një goditje morale dhe imazhi për opozitën. Me vitet që ka në krye të PD-së dhe me të gjitha ato që ka kaluar mbi shpinë, lideri “non grata” ngjan i pa oksidueshëm përballë skrupujve të tillë.
Pra, akuzat se ai përsëriti një pakt okult me armikun e tij më të madh, ato se bëri një marveshje të ngjashme më atë të 2008, të anatemuar nga të gjithë, apo se tradhëtoi qytetarët shqiptarë, të cilëve u premtoi të vendosin me votën e tyre se kë duan të çojnë në parlament, do të lënë shumë pak njolla në portretin e tij.
Në këtë kuptim, duke pranuar de facto mbylljen e listave, problemi i Berishës nuk është, as hipokrizia, as inkoherenca, që tashmë i merren të mirëqena. Dëmi i madh që ai i ka bërë opozitës është politik. Kjo për disa arsye…
Së pari, duke mbyllur listat i vihet fre zgjerimit të PD-së, afrimit të figurave të reja duke e paraqitur atë, së bashku me Rilindjen, si pjesë të një kaste të mbyllur, tavanin e xhamtë të së cilës askush nuk mund ta thyej dot për t’u ngjitur sipër. Dhe kur dihet që në kushtet e një regjimi, që sa të josh duke të korruptuar, po aq të frikson duke të shantazhuar, shtimi i radhëve të opozitës përbën një sfidë të vështirë, të humbësh mundësinë për të joshur figura të reja, do të thotë as më pak, as më shumë se një krim.
E pse një i ri, një qytetar i angazhuar, apo dikush që i ka ardhur në majë të hundës nga banaliteti dhe grabitja ordinere e Ramës do përballej me trysninë e sistemit të patronazhistëve, kur e di së në kampin përballë, vendet e sigurta i kanë zënë paraprakisht dhe pa garë, Flamuri, Gazi, Luçiano, Albana, Oerdi apo Tritani? C’motivim do të kishin ata për ti’u bashkuar një grupimi që i fton të gjithë në një front kundër të keqes, por që kur trokasin aty i gjejnë dyert të kyçura?
Të japësh këtë mesazh tkurrjeje vetëm disa muaj para zgjedhjeve është vrastare për opozitën.
Së dyti, duke u lënë mundësinë vetëm 10 ose 11 deputetëve (nëse marrim për bazë rezultatin e 2021), që të zgjidhen nga vullneti i lirë i elektoratit, Berisha vret me dorën e tij shpresën për aktivizëm dhe ringjalle të PD, që stimuloi gjatë turit legjendar të foltoreve. Atëhere, në përpjekje për t’i rimarë partinë Bashës, që e kishte përgjumur dhe burokratizuar, ai luajti kartën e kundërt, atë të rigjallërimit të militantëve. Për këtë qëllim ai bëri propozime të forta si ato të primareve dhe të fraksioneve të mendimit ndryshe. Por sot, ato janë shndërruar në një iluzion. C’kuptim kanë këtej e tutje primaret, kur kandidatët për deputetë imponohen nga lart? C’kuptim ka një grupim alternativ, kur ata që do duan të shkojnë në parlament, nuk kanë të drejtën të testohen nga vota e lirë?
Pra përpos hapjes së PD-së, listat e mbyllura vranë edhe rivitalizimin e shpresuar të saj.
Të dyja këto mëkate konvergojnë tek një i tretë, tek mundësia e humbur e opozitës për t’i propozuar shqiptarëve, një model të ndryshëm nga ai i Ramës. Dihet se autokrati rilindas dominon me dorë të hekurt formacionin e tij politik të shndërruar në garnizon. Ai shmang, shkarkon apo burgos kë do vetë, me një të rënë të lapsit. Ai prej kohësh i ka vënë qytetarëve mbi krye ministra anonimë, cilësia e vetme e të cilëve është ti bëjnë gojore shefit. Dhe për këtë e ka qëllimin të qartë. Filozofisë së tij kleptokratike i shkojnë për shtat yesman-ët. Në zgjedhjet e radhës, përpos shumë mesazheve të tjera, opozita ishte e dënuar të përçonte të kundërtën. Vasalit të përunjur, ajo duhet ti kundërvinte figura të dashura për njerëzit; servilëve, modelin e guximtarrit që nuk i trembet gjykimit të zgjedhësve; ministreve velina, shembullin e njeriut që di të bëjë emër brenda komunitetit të tij.
Me listat e mbyllura PD-ja pranoi që aparatçikëve të qeverisë, ti kundërvërë thjeshtë aparatçikët e partisë. Ajo i hoqi mundësinë votuesve për të zgjedhur, duke i dënuar ata me dyzimin mes dy modeleve gati njësoj të këqia.
Rezultati i kësaj farse është se nga ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor, nga 140 deputetë që do të ketë gjithsej në parlamentin e ardhshëm, sipas llogarive, nuk do të jenë më shumë se 30 apo maksimumi 40 të zgjedhur direkt nga populli, duke e bërë opozitën praktikisht bashkëfajtore në mbylljen e listave.
Po pyetja që shtrohet është: a nuk i bën këto llogari një politikan i sporovuar si Sali Berisha? A nuk e ditërka ai se betejat fitohen në publik dhe jo në kulisa?
Natyrisht që i di. Do të qe një gafë në analizë ti’a mvishje atë që ndodhi pafatësisë apo kalkulimit të gabuar të liderit të PD-së. Pa diskutim që ai ka bërë llogaritë e veta dhe ka zgjedhur të shkojë në zgjedhje me kandidatë për deputetë, më tepër besnikë sesa popullorë, me njerëz që i binden atij, më shumë sesa interesit publik. Dhe nga ky këndvështrim kjo është deri diku e kuptueshme. Me aftësinë blerëse dhe korruptuese që ka çdo segment i këtij regjimi, devotshmëria e deputetëve prevalon mbi cilësinë e tyre. Dhe nëse opozita mendon se do të jetë sërish pakicë, kjo mënyrë të menduari ka një bazë logjike.
Por ama, kjo është edhe e keqja e madhe e kësaj zgjedhjejeje. Duke vendosur për të, Sali Berisha i ka çuar direkt të gjithë demokratëve mesazhin se ai po i nis drejt luftës për të humbur. Se ai i ka bërë kalkulimet si kryeopozitar dhe jo si fitimtar dhe kjo me koston e lartë të moshapjes së partisë, të mos ringjlljes së saj dhe të mos rezonuarit në të njëjtat valë me publikun. Ky është në fakt dëmi politik i listave të mbyllura dhe jo “paktet e fshehta”, puthjet me armiqtë, humbja e moralit apo koherencës me të cilat Berisha na ka stërvitur prej kohësh.
©Lapsi.al
Albania
“Që kur mesazhet janë prova?”, Rama: “Shpërdorimi i detyrës” do të rishikohet
Kryeministri Edi Rama, në konferencën e fundvitit me gazetarët, tha se në 3 mandatet e Partisë Socialiste, 37 raste i përkasin hetimeve për korrupsion apo shpërdorim detyre. Këtë të fundit, Rama e cilësoi një “nocion i cili duhet të rishikohet”.
Sipas tij, SPAK “ka dhënë dënime skandaloze”, ndërsa shtoi si një problem të madh publikimin në media të dosjeve hetimore dhe shtoi se “mesazhet nuk përbëjnë prova dhe nuk mund të jenë arsyeja parësore për të nisur gjyqe”.
“Jo çdokush që hetohet dhe akuzohet nga SPAK ka bërë korrupsion. Shpërdorimi i detyrës është një vepër që iu kthye dhe vetë BE-së, sepse është një term që futet një thes i madh. Sidomos kur jeton në një periudhë kur të gjitha llojet e tenxhereve hidhen përpjetë me gjithë kapakë për burg. BE iu rikthye nocionit me kërkesë të Gjermanisë dhe të Italisë. Ka dalë një direktivë e re për ta riparë këtë nocion, për ta specifikuar. Kushtetuta thotë që janë 3 pushtete të pavarura nga njëri-tjetri. Është pavarësia për të marrë vendime. Te vendimet nuk vjen dot një prokuror të thotë pse e vendose kështu dhe e vendose ashtu. Dhe kjo gjë ka ndodhur. Nëse vendimi im është një vendim që ka një prapavijë të qëllimshme për të përfituar në mënyrë të paligjshme apo për të sjellë një dëm, këtu unë nuk jam i pavarur, këtu vjen drejtësia tek unë”, tha Rama.
“Qysh nga fillimi i këtij kapitulli të SPAK, janë 37 raste. E dini ju sa raste nga këto 37 që përfshijnë funksionarë të niveleve të ndryshme, i përkasin viteve të mandatit të parë e të mandatit të dytë? Janë rreth 80%. Ndërkohë që vetëm një pjesë e vogël e tyre janë raste që lidhen me periudhën më vonë. Në rastet që po flasim kemi nga të gjitha, kemi dënim për prerje pylli për një kryetar bashkie. Është një dënim skandaloz, kryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit ka hapur një rrugë për komunitetin ku janë prerë disa pemë. Ka bërë burg për prerje pemësh. Rasti është për turp. Ka dhe raste të tjera qe nuk kanë lidhje me korrupsion që hyjnë tek këto raste. Ka dhe raste të tjera që lidhen me pabarazinë në tendera. Kjo është një vepër tjetër, nuk është korrupsion”, shtoi Rama.
“Çfarë do të thotë mesazhe, që kur mesazhet janë prova? Dhe që kur mesazhet janë ushqim për mediat? Dhe që kur mbi bazë mesazhesh bëhen gjyqe si në kohën e gjuetive të shtrigave? Patjetër që mesazhet dhe çdo gjë tjetër janë pjesë e një procesi, por parafytyroni vetëm kaq: çfarë ndodh dhe sa përgjegjës ka secili nga pjesëmarrësit në këto gjyqet e shtrigave kur dikush të dalë i pafajshëm? Për çfarë i duhet më pafajësia atij njeriu kur i është shkatërruar tërësisht jeta dhe familja? Kush ia kthen atij njeriu pas jetën? Prandaj drejtësia demokratike ka vendosur kufij, nuk lejohen shumë nga këto gjëra që ndodhin këtu. Nuk fajësoj mediat, por ata që i ushqejnë me këtë helm. Deri tani kemi një numër të dënuarish shumë të ulët në raport me rastet. Kemi çështje të zvarritura dhe Strasburgu ka evidentuar gjëra të rënda”, shtoi kryeministri.
Albania
“Kemi raketa Javelin dhe tre anije patrulluese”, Rama: Kemi sot ushtrinë më të mirëpaguar, ia kalojmë edhe Serbisë
Gjatë konferencës vjetore me gazetarët, kryeministri Edi Rama foli edhe për ushtrinë dhe sistemin mbrojtës.
Ai u shpreh se vendi ynë ka raketa Javelin dhe tre anije patrulluese.
Ndër të tjera kreu i qeverisë deklaroi se Shqipëria ka sot ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, duke ia kaluar kështu edhe Serbisë.
“Kemi ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, përfshi edhe Serbinë. Ambicia jonë është që ushtria jonë të arrijë në mesataren e vendeve të NATO-s sa I përket anës financiare. Ky vit na gjen me një sistem raketor Javelin, na gjen me tre anije patrulluese që I kemi dhuratë nga Italia, na gjen me radarë falë bashkëpunimit me Francën. Ajo që mbetet ambicia kryesore është Shqipëria një vend prodhues i industrisë ushtarake.
Do prodhojmë dronët luftarakë dhe sistemet antidron. Në 2026 do të shihni edhe produktet e para. Ne vazhdojmë punën për të bërë kontrata të tjera për industrinë detare dhe ajrore”, u shpreh kryeministri Rama.
Albania
Si u krijua aleanca mes mafies shqiptare dhe karteleve të drogës në Meksikë
Nga Victor Manuel Sanchez Valdes, NORO ESTE
Njoftimi i Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara për vendosjen e sanksioneve ndaj familjes Hysa, e cila është me shtetësi meksikane, por me origjinë shqiptare – për akuzën e pastrimit të parave në favor të fraksionit “Mayiza” të Kartelit të Sinaloas, i shtohet një liste të gjatë lajmesh që lidhin kartelet meksikanë me klane kriminale me origjinë shqiptare dhe ngre pyetjen: pse është bërë kaq e zakonshme lidhja mes organizatave të krimit të organizuar të Meksikës dhe Shqipërisë?
Në Meksikë dihet pak për mafien shqiptare, por ajo është shumë e rëndësishme në nivel ndërkombëtar, pasi, së bashku me ’Ndrangheta-n italiane, përbëjnë dy mafiet që kontrollojnë trafikun e drogës në Evropë dhe, për rrjedhojë, janë ndër aleatët kryesorë ndërkombëtarë të Kartelit të Sinaloas dhe Kartelit Jalisco Nueva Generación (CJNG). Përveç Evropës, ajo ka prani edhe në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Australi, përmes emigrantëve me origjinë shqiptare të vendosur në këto vende.
Në fund të viteve ’80, si mafia shqiptare, ashtu edhe ’Ndrangheta ishin relativisht të vogla krahasuar me organizata të tjera kriminale, por nga vitet ’90 nisën të rriten falë dy faktorëve kryesorë. I pari ishte dobësimi i mafieve me ndikim të madh për shkak të ndjekjes penale nga qeveritë evropiane, si mafia siciliane (Cosa Nostra), Camorra napolitane, mafia ruse, mafia galiciane apo Union Corse. Në të gjitha këto raste, autoritetet gjetën anëtarë të gatshëm të spiunonin bashkëpunëtorët e tyre, gjë që lejoi ndjekjen penale të shumë udhëheqësve dhe i bëri këto grupe partnerë më pak të besueshme për kartelet meksikanë apo kolumbianë.
Ndërsa “spiunët” dobësonin këto mafie, kartelet meksikanë dhe kolumbianë gjetën te mafia shqiptare dhe ’Ndrangheta aleatët e duhur, pasi në të dy rastet bëhet fjalë për grupe kriminale të përbëra vetëm nga persona me lidhje të drejtpërdrejta familjare – prindër, fëmijë, vëllezër, motra, xhaxhallarë e nipër – çka ul ndjeshëm rrezikun e tradhtisë, pasi lidhja e gjakut është vendimtare.
Faktori i dytë është se, në një kohë të shkurtër, falë diasporës së emigrantëve nga Shqipëria dhe Kalabria (rajon në jug të Italisë, prej nga e ka origjinën ’Ndrangheta dhe që karakterizohet nga të ardhura më të ulëta se pjesa tjetër e vendit), ata arritën të vendosin prani pothuajse në të gjitha vendet e Evropës, veçanërisht në porte, qendra të mëdha financiare, kryeqytete me popullsi të madhe dhe zona me rritje të shpejtë ekonomike.
Për shembull, mafia shqiptare ka prani në qytete shumë të rëndësishme si Londra, Berlini, Parisi, Stokholmi, Stambolli, Nju Jorku, Sidnej, Toronto, Madridi apo Roma, si dhe në porte me trafik të lartë tregtar në Evropë, si Hamburgu në Gjermani, Algeciras dhe Valencia në Spanjë, Antverpeni në Belgjikë dhe Roterdami në Holandë.
Duke qenë se portet janë pika kryesore e hyrjes së drogave si kokaina dhe fentanili në Evropë, dhe mafia shqiptare është ajo që është më e infiltruar në këto pika, ajo bëhet një aleate kyçe për organizata si Karteli i Sinaloas apo CJNG.
Por përveç këtyre dy arsyeve, ekziston edhe një e tretë që e dallon mafien shqiptare: përveç rolit kyç në trafikun e drogës, ajo u ofron organizatave meksikane edhe qasje në një rrjet shumë të gjerë pastrimi parash në Evropë dhe në pjesë të tjera të botës, si Kina.
Shqiptarët investojnë në projekte imobiliare luksoze në të gjithë Evropën; janë pronarë kazinosh, hotelesh, qendrash turistike, spa-sh dhe restorantesh, por gjithashtu kanë krijuar aleanca me kinezë dhe turq për interesa në biznese të vogla me produkte të lira dhe pirateri në qytete të ndryshme.
Po ashtu, janë identifikuar operacione të tyre në qendrat kryesore financiare të Evropës, si Cyrihu, Gjeneva, Frankfurti apo Londra, si dhe blerje kriptomonedhash, përdorimi i platformave të lojërave elektronike apo mashtrime masive përmes mjeteve digjitale.
Në përmbledhje, mafia shqiptare është bërë një partnere shumë e vlefshme për kartelet meksikanë sepse është një nga blerëset më të mëdha të drogës, ka një rrjet të gjerë shpërndarjeje në Evropë dhe vende të tjera, ofron shërbime tepër të rëndësishme si pastrimi i parave dhe madje mund të sigurojë edhe armë të rënda.
Kjo bën të mundur që i njëjti klan shqiptar të ketë marrëdhënie biznesi me kartele armike mes tyre, si Karteli i Sinaloas dhe CJNG, sepse kostoja e prishjes së marrëdhënies është më e lartë sesa tolerimi i mungesës së ekskluzivitetit.
Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet se, ndryshe nga Karteli i Sinaloas apo CJNG, mafia shqiptare nuk është një organizatë e vetme, por shumë të pavarura: çdo klan familjar funksionon si një bandë më vete, me portofolin e vet të bizneseve. Ndryshe nga organizatat kriminale meksikane, të cilat shpesh përplasen dhe konkurrojnë dhunshëm, shqiptarët rrallë përfshihen në konflikte të dhunshme dhe shumicën e kohës bashkëpunojnë mes tyre dhe ndajnë fitimet.
Për këtë arsye nuk është aspak çudi që familja Hysa, e vendosur në Meksikë, dhe që qeveria amerikane e lidh me fraksionin Mayiza, të shërbejë si urë lidhëse me klanet e mëdha evropiane dhe që, përveç pastrimit të parave përmes kazinove, të ofrojë qasje në një katalog shumë të gjerë investimesh në Evropë, gjë që është jashtëzakonisht e vështirë për t’u zbuluar nga autoritetet meksikane. Pikërisht për këtë arsye, prej vitesh marrëdhënia mes organizatave shqiptare dhe atyre meksikane është intensifikuar.
-
UK1 day agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania1 day agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania3 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports1 day agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania1 day agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Kosova22 hours agoKëta janë 10 kandidatët më të votuar në Vetëvendosjes
-
Albania2 days agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
