Bota
“Ari i bardhë” i shekullit XXI, çmimi i të cilit ka shpërthyer në tregun botëror, e keni në shtëpi, por ndoshta nuk e dini
Kosta Rika, një vend ku minierat e hapura janë të ndaluara, është bërë lider në nxjerrjen e metaleve të rënda si litiumi – jo nga Toka, por nga bateritë e vjetra.
Fabrika e riciklimit “Fortech”, e cila u hap gati tri dekada më parë në Cartago, rreth 27 kilometra larg kryeqytetit San Jose, cilësohet si një “minierë urbane”.
Gjatë gjashtë vjetëve të fundit, ajo është fokusuar në nxjerrjen e litiumit prej baterive të rikarikueshme të përdorura nga telefonat celularë, laptopët, veturat elektrike dhe panelet diellore.
Dhe siç shkruan raporton France24, bëhet fjalë për miliona bateri që hidhen çdo vit si mbeturina.
Edhe pse kutia e baterisë degradon gjatë një periudhe prej 100 vjetësh, metalet toksike brenda saj nuk degradojnë kurrë.

Fortech ka gjetur një “minierë ari” përmes nxjerrjes së metaleve nga bateritë, duke i siguruar në të njëjtën kohë planetit tonë një “litar shpëtimi”.
“Tani e dimë se nuk është diçka që duhet hedhur. Ne e dimë se është një burim që mund të ripërdoret”, ka thënë Guillermo Pereira, CEO i Fortech, transmeton Telegrafi.
“Është e rëndësishme të thyhen paradigmat”, shtoi 54-vjeçari Pereira, i cili me djalin e tij, Francisco (25) shpiku një metodë të re për nxjerrjen e metaleve nga bateritë e harxhuara.
“Bota ka nevojë për një ekonomi që riciklon materialet e çmuara në vend që të prodhojë materiale të reja”, tha ai.
Ari i bardhë
Mihja e litiumit shpesh kryhet në kushte që janë të dëmshme për mjedisin, punëtorët dhe banorët vendas.
Por në Fortech, i gjithë litiumi vjen nga 1500 ton bateri të harxhuara që hidhen çdo vit në Kosta Rika, shpjegoi menaxheri i projektit, Francisco Pereira.
Bateritë e përdorura mblidhen në qendrat tregtare, dyqanet e elektronikës ose shitësit e veturave elektrike.
Litiumi është quajtur “ari i bardhë” ose “nafta e shekullit XXI” dhe vitet e fundit çmimi i tij ka shpërthyer në tregun botëror.

Në nëntor të vitit 2020, vlera e litiumit ishte 5,700 dollarë për ton ndërsa në shtator të vitit 2022, vlera e tij u rrit në 60,500 dollarë për ton për shkak të rritjes të prodhimit të veturave elektrike.
Megjithatë, impiantet e prodhimit të litiumit konsumojnë miliona litra ujë dhe mund të jenë të dëmshme për mjedisin.
Por kur litiumi nxirret nga bateritë e ricikluara, vetëm një e katërta e dioksidit të karbonit që ngroh planetin lirohet në krahasim me minierat e litiumit, pohon Henry Prado, kimist në Fortech.
Riciklimi e shpëton planetin nga ndotja mjedisore e shkaktuar nga “metoda e zakonshme e asgjësimit” të baterive të litiumit, të cilat zakonisht thjesht hidhen, shtoi Prado.
Sipas Shoqatës Amerikane Kimike, në botë riciklohen vetëm 5 për qind e të gjitha baterive litium-jon.
Pionierët

Në Fortech, bateritë e përdorura vendosen në një “rrip transportues” që i dërgon në grirëse.
Në këtë mënyrë, mbetjet shndërrohen në një përzierje kobalti, nikeli, mangani dhe litiumi, e njohur si “masa e zezë”.
Këto metale përbëjnë rreth 57 për qind të çdo baterie, ndërsa pjesa tjetër është bakër, alumin, plastikë dhe hekur, të cilat gjithashtu janë të riciklueshme.
Fortech nuk e posedon teknologjinë, që ndan metalet nga “masa e zezë” kështu që ata ua shesin këto produkte të pa ripërpunuara fabrikave në Evropë për të përfunduar më tutje procesin dhe të prodhojnë bateri.
Pavarësisht kësaj, Agjencia Gjermane e Zhvillimit (GIZ) pretendon se Fortech e ka kthyer Kosta Rikën në një “pionier të Amerikës Latine për vlerësimin e baterive të përdorura të litiumit”.
Bota
Monedha vendase prek nivelin më të ulët, ‘shpërthejnë’ protestat në Iran
Protestat dhe grevat në Iran për shkak të inflacionit dhe zhvlerësimit të monedhës janë përhapur nga kryeqyteti, Teherani, në disa qytete të tjera në ditën e tretë të trazirave.
Sipas mediave të huaja, protestat filluan të dielën pasi dyqanxhinjtë në Pazarin e Madh të Teheranit organizuan një grevë kur riali iranian arriti nivelin më të ulët rekord kundrejt dollarit amerikan në tregun e hapur.
Që atëherë, videot e verifikuara nga BBC Persian kanë treguar demonstrata në qytetet Karaj, Hamedan, Qeshm, Malard, Isfahan, Kermanshah, Shiraz dhe Yazd. Policia u pa gjithashtu duke përdorur gaz lotsjellës në një përpjekje për të shpërndarë demonstruesit.
Qeveria iraniane tha se “i njeh protestat” dhe do t’i dëgjojë “me durim, edhe nëse përballet me zëra të ashpër’.
Presidenti Masoud Pezeshkian shkroi në platformën ‘X’ vonë të hënën se kishte udhëzuar ministrin e brendshëm të zhvillonte bisedime me ata që ai i përshkroi si “përfaqësues” të protestuesve, në mënyrë që të merreshin masa “për të zgjidhur problemet dhe për të vepruar me përgjegjësi”.
Ai gjithashtu pranoi dorëheqjen e guvernatorit të Bankës Qëndrore të Iranit, Mohammadreza Farzin, dhe emëroi ish-ministrin e Ekonomisë dhe Financave Abdolnasser Hemmati për ta zëvendësuar atë.
Bota
Rusia: Kemi vendosur raketat Oreshnik në Bjellorusi
Rusia ka publikuar një video duke deklaruar se raketat e saj Oreshnik, me kapacitet bërthamor, janë futur në shërbim aktiv në Bjellorusi, aleatin e saj fqinj, i cili gjithashtu ndan kufi me vendet e NATO-s: Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë.
Putin ka pretenduar se këto armë janë të pamundura për t’u interceptuar, sepse shpejtësia e raketave supozohet të jetë më shumë se 10 herë shpejtësia e zërit.
Ky veprim mund të lejojë që raketat bërthamore ruse të arrijnë objektivat në Europë më shpejt, nëse ruhen në një bazë në Bjellorusi. Raketat e mesme kanë një rreze prej rreth 5,500 km (3,415 milje), që do të thotë se mund të godasin kudo në Europë ose në bregun perëndimor të SHBA-së nga Rusia.
Videoja e publikuar nga ministritë e mbrojtjes së Rusisë dhe Bjellorusisë të martën nuk specifikoi vendndodhjen e sistemeve të raketave në Bjellorusi, por tregonte transportimin e tyre nëpër pyje dhe kamuflimin me rrjeta.
“Divizioni i raketave Oreshnik ka filluar të kryejë detyrat e shërbimit luftarak në zonat e caktuara të vendit,” tha ministria e mbrojtjes e Bjellorusisë.
Bota
Zelensky mohon sulmin me dron ndaj rezidencës së Putinit
Presidenti Volodymyr Zelensky ka mohuar akuzat e Rusisë se Ukraina ka kryer një sulm me dron ndaj njërës prej rezidencave të presidentit Vladimir Putin dhe ka akuzuar Moskën se po përpiqet të prishë bisedimet e paqes.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, pretendoi se Kievi kishte nisur një sulm gjatë natës duke përdorur 91 mjete ajrore pa pilot me rreze të gjatë veprimi (UAV) në rezidencën shtetërore të Putinit në rajonin veriperëndimor të Novgorodit të Rusisë.
Rusia tha se tani do të rishikojë qëndrimin e saj në negociatat e paqes. Ende nuk është e qartë se ku ndodhej Putini në kohën e sulmit të supozuar.
Zelensky e hodhi poshtë pretendimin si “gënjeshtra tipike ruse”, që synonin t’i jepnin Kremlinit një justifikim për të vazhduar sulmet ndaj Ukrainës.
Ai tha se Rusia më parë kishte shënjestruar ndërtesat qeveritare në Kiev.
“Është thelbësore që bota të mos heshtë tani. Nuk mund ta lejojmë Rusinë të minojë punën për arritjen e një paqeje të qëndrueshme” tha Zelensky në X.
Në një deklaratë të ndarë në Telegram të hënën, Lavrov tha se të 91 dronët që ai pretendoi se u nisën në rezidencën e Putinit u interceptuan dhe u shkatërruan nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore.
Ai shtoi se nuk ka raportime për viktima apo dëme materiale si pasojë e sulmit.
“Duke pasur parasysh degjenerimin përfundimtar të regjimit kriminal të Kievit, i cili ka kaluar në një politikë terrorizmi shtetëror, pozicioni negociues i Rusisë do të rishikohet”, tha ai, teksa shtoi se Rusia nuk kishte ndërmend të dilte nga procesi i negociatave me SHBA-në
Pretendimi nga Moska vjen pas bisedimeve midis SHBA-së dhe Ukrainës në Florida të dielën, ku presidentët Trump dhe Zelensky diskutuan një plan të rishikuar paqeje për t’i dhënë fund luftës.
-
UK1 day agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania2 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania3 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports1 day agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania2 days agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Kosova1 day agoKëta janë 10 kandidatët më të votuar në Vetëvendosjes
-
Albania5 hours agoIronia e një dosje sekrete në Harvard: Amerikanë mbroni Trashëgiminë Ilire, Shqiptarët pas ’90-s e shkatërruan …
