Qeveria ka rinisur betejën… me bindjen për ta fituar më në fund luftën. Këtë herë, jo vetëm për të arkëtuar çdo lek të padeklaruar, por edhe në emër të sigurisë ushqimore.
“Duhet të kuptohet që nëpërmjet faturës ne jemi në gjendje të bëjmë një gjurmueshmëri të produktit nga ferma te tregtari e deri te tryeza e konsumatorëve. Ju bëj thirrje të gjithë tregtarëve me pakicë që të fillojnë dhe të sigurojnë faturat e tyre të blerjeve për çdo mall që ata blejnë”, shprehet Petrit Malaj, ministër i Financave.
Me aksione që shkojnë nga brigjet e plazheve te rrugicat e dyqaneve e tregjeve të lagjeve, Task Forca anti-informalitet ka ndezur radarët për të zbuluar çdo qindarkë që i shpëton shtetit.
“Më së shumti, fokusi do duhej të ishte te siguria ushqimore dhe gjurmimi – pra, nga momenti i prodhimit deri te momenti që vjen në tavolinat tona – më shumë sesa te ana fiskale. Sigurisht që edhe kjo ka rëndësinë e vet, por qëllimi kryesor do duhej të ishte fakti që ai produkt të ketë cilësinë e duhur”, thotë Ergis Sefa, ekspert për çështjet ekonomike.
Qeveria thotë se aksioni kundër informalitetit është më shumë se një fushatë – është përpjekja për të ndalur rrjedhjen e parasë që zhduket pa lënë gjurmë. Por, a do duhej të riniste nga dyqanet e lagjeve kjo “betejë”? A janë ata mëkatarët më të mëdhenj?
“Në mendimin tim, jo! Padyshim që evazorët më të mëdhenj, aty ku do duhet të fokusohet vëmendja, janë grosistët – pra, dora e parë, pika e shumicës. Fillohet me ata dhe më pas zbret te dora e fundit, që janë ata ku ne blejmë. Kam përshtypjen se është nisur pak mbrapsht”, thotë Sefa.
Po cila është rruga që do duhej të ndiqej? “Nuk ka nevojë të shpikim rrotën, sepse vendet e tjera, dhe ato të mëdha, i kanë dhënë recetat. Sekreti i luftës kundër informalitetit, ose edhe i luftës ndaj korrupsionit në përgjithësi, është vazhdimësia. Pra, jo vetëm goditjet aksionare herë pas here, por një punë e përditshme e institucioneve”, shprehet eksperti.
Prej datës 14 korrik, inspektorët e Tatimeve janë duke kryer kontrolle në terren për të evidentuar rastet kur produktet blegtorale tregtohen pa faturë. Sipas të dhënave nga Administrata Tatimore, janë inspektuar 87 subjekte dhe janë bllokuar 20 ton mallra që janë gjetur pa faturë.