Albania
Basha marrëveshje me shoqatën e fasonëve
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka firmosur marrëveshjen me shoqatën e bashkuar të fasonëve.
Në fjalën e tij me të pranishmit, Basha tha fasoneria edhe pse është një nga sektorët më të rëndësishëm sa i përket punësimit, nuk është ndihmuar për 8 vite.
Kreu i opozitës, këtë marrëveshje e ka konsideruar si njё garanci shtesë e zotimeve të qeverisë së ardhshme për të shëruar, për ta rritur dhe transformuar fasonerinё nё njё sektor tё fuqishëm zhvillimi me investime kapitale.
Basha theksoi se me takën e sheshtë 9%, kontributet 18, heqja e taksës Rama 240 lekë mbi karburantin, janë pjesë e paketës që do të prekë gjithë ekonominë shqiptare e në veçanti sektorin e fasonerive.
Lulzim Basha: Por këto 8 vite për fat të keq na kanë bashkuar kryesisht për problemet e njëpasnjëshme, të cilat i janë shkaktuar fasonerisë shqiptare dhe pastaj janë përcjell edhe tek qytetarët, tek punonjësit tuaj dhe tek familjet e tyre. Mbaj mend takimin e parë kur u mor vendimi për rritjen e çmimit të energjisë, pasuan rritja e çmimit të naftës, padiskutim ndryshimi i tatim fitimit duke shkuar nga taksa e sheshtë atëherë 10%, në taksën 15%.
U zgjata pak ndoshta tek e kaluara por tani do tё flasim pёr tё nesërmen. Këtu jemi mbledhur pёr tё nesërmen. Këtu jemi mbledhur pёr tё formalizuar marrëveshjen me shoqatën kombëtare, tashmë tё bashkuar, tё fasonerisё dhe Partinё Demokratike dhe Aleancën pёr Ndryshim me qeverisjen e ardhshme pas 25 prillit dhe pёr tё marrё angazhimet e planit tonё ekonomik qё kanё tё bёjnё me tё gjithё sipërmarrjen dhe pёr t’i kthyer ato nё angazhime konkrete, nё njё kontratë tё nënshkruar nga tё dyja palët. Si njё garanci shtesë por edhe si njё tregues se këtu vijmë pas njё pune disa vjeçare, pasi i kemi bёrё diagnozën e vërtet tё problemit, kemi parё potencialin pёr ta shёruar jo vetёm kaq por pёr ta rritur dhe transformuar fasonerinё nё njё sektor tё fuqishëm zhvillimi me investime kapitale tё cilat do tё bёjnё tё mundur rritjen dhe modernizimin e linjave tuaja tё prodhimit tё cilat do tё bёjnё tё mundur qё ju tё jeni tё pa konkurueshёm nё rajon. Tё cilat do tё bёjnё tё mundur tё krijoni brendin tuaj dhe ciklin e mbyllur me tё cilin ne tё krenohemi nё Europë.
Tё cilat tё bёjnё tё mundur mos tё quheni mё fason por ato qё jeni prodhues, manifakturë. Manifaktura shqiptare. Njësoj si qëllimi politik ёshtё t’i japim fund tranzicionit, pёr ju fundi i tranzicionit ёshtё qё tё mos flasim mё pёr fasonerinё shqiptare por pёr manifakturën shqiptare. Deri mё sot ja keni dal jo vetёm pa ndihmën e qeverisё por me qeverinë kundër. Ndryshimi nё 25 prill ёshtё qё do tё keni njё qeveri me tё cilin ndajmë tё njëjtin interes, sigurisht nga pozita tё ndryshme. Interesi juaj ёshtё tё rimëkëmbeni nga këto 8 vite dështime, premtime tё pambajtura nga rritja e çmimit tё energjisë, rritja e çmimit tё karburanteve, rritja e taksave, rritja e abuzimit, e arrogancës qeveritare nё mënyrë qё jo vetёm mos tё falimentoni e tё mbyllni dyert siç fatkeqësisht ka ndodhur me dhjetëra prej kolegëve tuaj dhe kjo ka sjellë dërgimin në shtëpi të qindra nënave, grave, kryefamiljarëve por, pra jo vetë të rimëkëmbeni por të zgjeroheni, të dyfishohen si kontribut për ekonominë kombëtare duke bërë të mundur kthimin në një manifakturë dinjitoze rritjen e eksportit, brandimin e eksportit “Made in Albania”.
Pa diskutim siç jua kam thënë haptas, në çdo mbledhje të shoqatave, tani jeni mbledhur në një shoqatë dhe mirë që jeni bashkuar në një. Siç jua kam thënë haptas edhe kur kam zhvilluar takime me ju, interesi i qeverisë është edhe rritja e numrit të të punësuarve, por shtimi i vendeve të punës dhe rritja e pagave. Dua të ndalem edhe një çast këtu, rritja e pagave pa dyshim që është një nga objektivat tona kryesore dhe ju e dini që ne prej dy vjetësh kemi shpallur që në vitin e parë paga minimale do të jetë 300 euro dhe në vitin e katërt të qeverisje tonë 400 euro.
Pa rritur pagat ne nuk mund të avancojmë për të luftuar krizën ekonomike, për të rritur konsumin nuk mund të avancojmë është një nga elementët bazë të konvergjencës për të shkuar drejt Bashkimit Evropian ndërkohë që vetë procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian do të na japi mundësinë t’ju ndihmojmë edhe ju me skema grantesh, me lehtësime për eksportet tuaja pra janë dy procese që ecin ngushtësisht dhe të ndërthurur me njëri tjetrin por rritja e pagave unë jam shumë i vetëdijshëm se nuk mund të bëhet thjesht me një VKM. Dhe ju e dini fare mirë se rritja e pagave me VKM e janarit nuk është gjë tjetër veç se një kopje e keqe e një pjese të programit tonë që qeveria e tetë viteve të dështimeve as nuk e kupton. Sepse nuk mund të rriten pagat me urdhër, pagat i rrit ekonomia që rritet. Nuk mund t’i kërkosh biznesit ti rrisësh taksat, t’ja çosh nga 10 në 15, ti rrisësh karburantin më të shtrenjtin në botë bashkë më Suedinë dhe me Singaporin, ti rrisësh çmimin e energjisë dhe pastaj mos t’i kthesh asnjë cent mbrapsht. As investime, shumë prej jush janë tek autostrada, as kanalizimet e ujërave të zeza nuk i kanë bërë, as si shërbime dhe në kohë pandemi mos të kujtohesh fare për ta. Kontribuoni sipas bisedave të mëparshme që kemi bërë me ju prej 30 vitesh afro 30 milionë euro në muaj me taksa në buxhetin e shtetit dhe njëherë që ju desh ta mbyllnit apo ta zvogëlonit aktivitetin ekonomik për shkak të pandemisë nuk u kujtua shteti për ju. Kjo merr fund, kjo ndryshon me datë 25. Ndryshimi kryesor do të jetë pikërisht ky. Nga një cikël negativiteti ku shteti ju rriti taksat, ju rriti çmimet, ju goditi, ju detyroj të zvogëlonit aktivitetin dhe kjo solli mbylljen e vendeve të punës, largimin e të punësuarve dhe nganjëherë mbylljen e bizneseve tuaja, do të kalojmë në një cikël ndryshimi pozitiv.
Taksa e sheshtë 9%, kontributet 18, heqja e taksës Rama 240 lekë mbi karburantin, janë pjesë e paketës që do të prekë gjithë ekonominë shqiptare e në veçanti ju, por nuk do të mjaftohemi me këtë, marrëveshja përcakton qartë instrumentet që bashkë i kemi negociuar dhe që do të targetojnë, do të shenjtërojnë ndryshimin për këtë industri dhe për punonjësit tuaj. Në këtë mënyrë ne do të arrijmë jo thjeshtë tu rimëkëmbim, jo thjeshtë tu nxjerrim nga situata e borxheve, apo e gjendjes aktuale ku shumë prej jush po paguajnë nga xhepi punëtorët për mos i larguar ato, qoftë si një gjest xheneroziteti që në fakt nuk ju takon ju, por i takon qeverisë ta bëj me taksat që ju merr ju, qoftë edhe për faktin se ata janë trajnuar gjatë kësaj kohe dhe trajnimi në vetvete është një proces që ju ka kushtuar mund, djersë, para, por ne do të bëjmë të mundur përmes këtyre masave, që ju me shtetin në krahë të fuqizoni sipërmarrjen, të rrisni numrin e të punësuarve dhe në këtë mënyrë së bashku të arrijmë edhe interesin tonë madhorë që është paga minimale prej 360 mijë lekë në muaj, e cila pastaj do të ketë një pagesë të sigurimeve shoqërore prej 18%. Kursimet që do të vijnë nga këto, garancitë që do të sjellin edhe përmes fondeve të garancisë edhe përmes mbështetjes së eksportit, vëmendja që do t’ju kushtojmë, investimet që do të paguhen me taksat tuaja për të ndihmuar infrastrukturën dhe logjistikën tuaj, do të sjellin në radhë të parë rritjen e fitimeve, të përfitimeve të industrisë dhe pastaj ndarjen e tyre në mënyrë që ky trekëndësh të funksionojë siç duhet, ju të punoni të çliruar nga ankthi, nga makthi i përditshëm dhe nga barra shtesë e taksave dhe çmimeve të rritura, ne t’ju ndihmojmë në të gjitha aspektet, ju të përfitoni, punonjësit tuaj. Bëhet fjalë pra për një angazhim që mund të sjellë dyfishimin e kontributit tuaj në ekonomi, mund të sjellë pa frikë edhe e mundësive për punësim në sektorin tuaj. Ju konsiderojmë një prioritet strategjikë të ekonomisë tonë, ndryshimi është plotësisht i mundshëm. Unë e di që njësoj si sipërmarrësit e tjerë ju mezi po e prisni ndryshimin, ndaj duke nënshkruar këtë marrëveshje, duke marrë përsipër të zezë mbi të bardhë angazhimet specifike për sektorin tuaj, në shtesë të angazhimeve që po marrim për sipërmarrjen në tërësi po lidhim bashkë një partneritet transparent për ti shërbyer të njëjtit qëllim nga pozita të ndryshme, punësimit, rritjes së pagave, rritjes së mirëqenies për Shqipërinë e një cikli të ri ekonomik, një zgjimi të ri ekonomik kombëtarë për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Albania
Si u krijua aleanca mes mafies shqiptare dhe karteleve të drogës në Meksikë
Nga Victor Manuel Sanchez Valdes, NORO ESTE
Njoftimi i Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara për vendosjen e sanksioneve ndaj familjes Hysa, e cila është me shtetësi meksikane, por me origjinë shqiptare – për akuzën e pastrimit të parave në favor të fraksionit “Mayiza” të Kartelit të Sinaloas, i shtohet një liste të gjatë lajmesh që lidhin kartelet meksikanë me klane kriminale me origjinë shqiptare dhe ngre pyetjen: pse është bërë kaq e zakonshme lidhja mes organizatave të krimit të organizuar të Meksikës dhe Shqipërisë?
Në Meksikë dihet pak për mafien shqiptare, por ajo është shumë e rëndësishme në nivel ndërkombëtar, pasi, së bashku me ’Ndrangheta-n italiane, përbëjnë dy mafiet që kontrollojnë trafikun e drogës në Evropë dhe, për rrjedhojë, janë ndër aleatët kryesorë ndërkombëtarë të Kartelit të Sinaloas dhe Kartelit Jalisco Nueva Generación (CJNG). Përveç Evropës, ajo ka prani edhe në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Australi, përmes emigrantëve me origjinë shqiptare të vendosur në këto vende.
Në fund të viteve ’80, si mafia shqiptare, ashtu edhe ’Ndrangheta ishin relativisht të vogla krahasuar me organizata të tjera kriminale, por nga vitet ’90 nisën të rriten falë dy faktorëve kryesorë. I pari ishte dobësimi i mafieve me ndikim të madh për shkak të ndjekjes penale nga qeveritë evropiane, si mafia siciliane (Cosa Nostra), Camorra napolitane, mafia ruse, mafia galiciane apo Union Corse. Në të gjitha këto raste, autoritetet gjetën anëtarë të gatshëm të spiunonin bashkëpunëtorët e tyre, gjë që lejoi ndjekjen penale të shumë udhëheqësve dhe i bëri këto grupe partnerë më pak të besueshme për kartelet meksikanë apo kolumbianë.
Ndërsa “spiunët” dobësonin këto mafie, kartelet meksikanë dhe kolumbianë gjetën te mafia shqiptare dhe ’Ndrangheta aleatët e duhur, pasi në të dy rastet bëhet fjalë për grupe kriminale të përbëra vetëm nga persona me lidhje të drejtpërdrejta familjare – prindër, fëmijë, vëllezër, motra, xhaxhallarë e nipër – çka ul ndjeshëm rrezikun e tradhtisë, pasi lidhja e gjakut është vendimtare.
Faktori i dytë është se, në një kohë të shkurtër, falë diasporës së emigrantëve nga Shqipëria dhe Kalabria (rajon në jug të Italisë, prej nga e ka origjinën ’Ndrangheta dhe që karakterizohet nga të ardhura më të ulëta se pjesa tjetër e vendit), ata arritën të vendosin prani pothuajse në të gjitha vendet e Evropës, veçanërisht në porte, qendra të mëdha financiare, kryeqytete me popullsi të madhe dhe zona me rritje të shpejtë ekonomike.
Për shembull, mafia shqiptare ka prani në qytete shumë të rëndësishme si Londra, Berlini, Parisi, Stokholmi, Stambolli, Nju Jorku, Sidnej, Toronto, Madridi apo Roma, si dhe në porte me trafik të lartë tregtar në Evropë, si Hamburgu në Gjermani, Algeciras dhe Valencia në Spanjë, Antverpeni në Belgjikë dhe Roterdami në Holandë.
Duke qenë se portet janë pika kryesore e hyrjes së drogave si kokaina dhe fentanili në Evropë, dhe mafia shqiptare është ajo që është më e infiltruar në këto pika, ajo bëhet një aleate kyçe për organizata si Karteli i Sinaloas apo CJNG.
Por përveç këtyre dy arsyeve, ekziston edhe një e tretë që e dallon mafien shqiptare: përveç rolit kyç në trafikun e drogës, ajo u ofron organizatave meksikane edhe qasje në një rrjet shumë të gjerë pastrimi parash në Evropë dhe në pjesë të tjera të botës, si Kina.
Shqiptarët investojnë në projekte imobiliare luksoze në të gjithë Evropën; janë pronarë kazinosh, hotelesh, qendrash turistike, spa-sh dhe restorantesh, por gjithashtu kanë krijuar aleanca me kinezë dhe turq për interesa në biznese të vogla me produkte të lira dhe pirateri në qytete të ndryshme.
Po ashtu, janë identifikuar operacione të tyre në qendrat kryesore financiare të Evropës, si Cyrihu, Gjeneva, Frankfurti apo Londra, si dhe blerje kriptomonedhash, përdorimi i platformave të lojërave elektronike apo mashtrime masive përmes mjeteve digjitale.
Në përmbledhje, mafia shqiptare është bërë një partnere shumë e vlefshme për kartelet meksikanë sepse është një nga blerëset më të mëdha të drogës, ka një rrjet të gjerë shpërndarjeje në Evropë dhe vende të tjera, ofron shërbime tepër të rëndësishme si pastrimi i parave dhe madje mund të sigurojë edhe armë të rënda.
Kjo bën të mundur që i njëjti klan shqiptar të ketë marrëdhënie biznesi me kartele armike mes tyre, si Karteli i Sinaloas dhe CJNG, sepse kostoja e prishjes së marrëdhënies është më e lartë sesa tolerimi i mungesës së ekskluzivitetit.
Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet se, ndryshe nga Karteli i Sinaloas apo CJNG, mafia shqiptare nuk është një organizatë e vetme, por shumë të pavarura: çdo klan familjar funksionon si një bandë më vete, me portofolin e vet të bizneseve. Ndryshe nga organizatat kriminale meksikane, të cilat shpesh përplasen dhe konkurrojnë dhunshëm, shqiptarët rrallë përfshihen në konflikte të dhunshme dhe shumicën e kohës bashkëpunojnë mes tyre dhe ndajnë fitimet.
Për këtë arsye nuk është aspak çudi që familja Hysa, e vendosur në Meksikë, dhe që qeveria amerikane e lidh me fraksionin Mayiza, të shërbejë si urë lidhëse me klanet e mëdha evropiane dhe që, përveç pastrimit të parave përmes kazinove, të ofrojë qasje në një katalog shumë të gjerë investimesh në Evropë, gjë që është jashtëzakonisht e vështirë për t’u zbuluar nga autoritetet meksikane. Pikërisht për këtë arsye, prej vitesh marrëdhënia mes organizatave shqiptare dhe atyre meksikane është intensifikuar.
Albania
“E-Albania” plotësisht jashtë funksionit!
Prej më shumë se një jave portali qeveritar e-Albania vijon të ketë probleme në ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.
Këto probleme vijojnë të shfaqen ku sërish vështirësitë hasen si për qytetarët për të aksesuar platformën, por edhe për bizneset.
Në një njoftim që shfaqet në faqen zyrtare të e-Albania vijon të shfaqet njoftimi: Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile gjatë ditës së sotme do të realizojë një operacion mirëmbajtjeje dhe përmirësimi të sistemit elektronik të saj. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile do të realizojë operacione mirëmbajtjeje dhe përmirësimi të sistemit elektronik të saj. Ju informojmë se gjatë këtyre proçeseve mund të ketë ndërprerje të përkohshme apo ngadalësime në marrjen e të dhënave përmes ndërveprimit me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj për çdo vështirësi të mundshme që mund të haset në përdorimin e shërbimeve publike online.
Pesë ditë më parë më parë Aleanca për Profesionistët e lirë e ka ngritur në tej si problem pasi bizneset nuk arrijnë të marrin shërbime apo kryejnë pagesa.
Ndërsa ka renditur problemet e hasura, Aleanca kërkon sqarime të mëtejshme.
“Këto platforma janë sot infrastruktura bazë për regjistrime, deklarime, aplikime, pagesa dhe përmbushje detyrimesh ligjore. Ndërprerja e tyre, qoftë edhe e përkohshme, krijon pasiguri juridike, vonesa procedurale, rrezik penalitetesh dhe kosto shtesë për bizneset dhe profesionistët e lirë, të cilët varen pothuajse tërësisht nga shërbimet digjitale.”
Fenomeni ngre pikëpyetje jo vetëm mbi qëndrueshmërinë teknike të sistemeve, por edhe mbi menaxhimin e riskut, kapacitetet e back-up-it, komunikimin institucional dhe mekanizmat alternativë që duhet të aktivizohen në raste të tilla.
Në këtë kontekst, vlerësojmë të domosdoshme: transparencë më të madhe mbi shkaqet e ndërprerjeve dhe kohëzgjatjen e tyre; forcimin e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe redundancës së sistemeve digjitale; parashikimin e procedurave alternative dhe shtyrjen automatike të afateve ligjore në raste mosfunksionimi të platformave; komunikim të qartë dhe në kohë me përdoruesit, për të shmangur pasigurinë dhe keqinterpretimet”, thuhet në ankesën e tyre”.
Jo vetëm me bizneset por portali ka shfaqur vështirësi edhe për individët, si regjistrimi i fëmijëve të porsalindur në sistem si dhe aplikimet për pajisjen me mjetin e identifikimit apo rinovimet e pasaportave.
Kjo çështje kthehet në një problem këtë periudhë fundviti teksa rikthimi i emigrantëve në atdhe është i lartë dhe i shfrytëzojnë ditët e pushimit edhe për tu marrë me dokumentacione.
Albania
Sulmet digjitale në 2025/ Më të sofistikuara dhe më të organizuara
Sulmet digjitale në Shqipëri kanë ardhur duke u sofistikuar përgjatë 12 muajve të fundit. Shpeshherë ato ndodhin në forma të fshehta, por pasojat në integritetin e të dhënave apo sigurinë e qytetarëve janë të dukshme dhe problematike.
Një monitorim i BIRN për hapësirën digjitale në Shqipëri për periudhën kohore shtator 2024-gusht 2025 identifikoi 115 shkelje në total, ku kryesojnë përmbajtjet e dëmshme dhe sjelljet kërcënuese, të ndjekura nga shkeljet e të drejtave ekonomike dhe aseteve digjitale.
Më të prekurit nga këto shkelje janë qytetarët dhe grupet e aktivistëve, ndërkohë që autorët e këtyre sulmeve janë një pjesë të paidentifikuar.
Transferimi i pothuajse të gjitha shërbimeve publike në platformën digjitale qeveritare “e-Albania” përgjatë viteve të fundit është shoqëruar jo vetëm me avantazhe për qytetarët, por edhe me rrisqe përsa i përket mbrojtjes së të dhënave të tyre personale.
Sipas ekspertëve, shkeljet digjitale më të rrezikshme janë përqendruar në sulmet ndaj infrastrukturave kritike të vendit, dezinformimin dhe manipulimin zgjedhor, mashtrimet financiare digjitale, si edhe sulmet online ndaj aktivistëve dhe gazetarëve.
Orkidea Xhaferaj, hulumtuese dhe drejtuese e Departamentit të Politikave Digjitale dhe Inovacionit pranë SCiDEV, i tha BIRN se prej vitesh ka një trend rritës të sulmeve kibernetike në Shqipëri, gjë që reflekton trendin global apo tranformimin digjital që po ndodh në vend.
“Sulmet ndaj infrastrukturave kritike janë më të rrezikshmet, pasi impaktojnë shërbimet publike, dhe së dyti sigurojnë akses të keqbërësve në të dhënat personale dhe sensitive të qytetarëve në masë,” i tha BIRN Orkidea Xhaferaj, duke përmendur si shembull sulmin ndaj Bashkisë Tiranë në qershor 2025, që la pa shërbim mijëra qytetarë.
Daniel Prroni, hulumtues pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) shtoi më tej se një tjetër trend shkeljesh digjitale në 2025 konsiston pikërisht në përhapjen e dezinformimit gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.
“Një tjetër rrezik gjatë këtij viti ka qenë përhapja e dezinformimit dhe manipulimit të informacionit, veçanërisht gjatë fushatës zgjedhore përmes përmbajtjeve të gjeneruara me AI, pa etiketime apo transparencë, dhe përdorimin të bot-eve për të amplifikuar mesazhe politike”, i tha BIRN Daniel Prroni.
Fushata zgjedhore e zgjedhjeve parlamentare të Majit 2025 u karakterizua nga një sërë shkeljesh etike në hapësirën online.
Edhe pse partitë kryesore të vendit nënshkruan Kodin e Etikës për Fushatën Digjitale, shumica e tyre përdorën dhe shpërndanë video të gjeneruara me Inteligjencë Artificiale që patën si efekt bullizëm kibernetik dhe dezinformim ndaj kundërshtarëve politikë. Gjithashtu më shumë se 50 faqe të ndryshme anonime online u përdorën për propagandë politike.
Ekspertët pranojnë gjithashtu se gjatë vitit 2025 të dhënat personale dhe financiare të qytetarëve janë ndikuar ndjeshëm prej një serie sulmesh “phishing” që kanë shënjestruar financat e tyre, sulme të sofistikuara të cilat kamuflohen sikur vijnë prej institucione reale të vendit.
“Mashtrimet digjitale dhe sulmet ‘phishing’ janë bërë gjithnjë e më të vështira për t’u dalluar nga komunikimet legjitime të institucioneve apo operatorëve ekonomik legjitim përmes imitimit të domain-eve të institucioneve shtetërore dhe kompanive private”, i tha BIRN hulumtuesi i IDM, Daniel Prroni.
Të njëjtën gjë konfirmon edhe ekspertja Xhaferaj, sipas të cilës skemat e mashtrimit financiar kanë impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.
“Shitja apo rrjedhja e të dhënave personale nga sulmet phishing ndaj qytetarëve rrit vulnerabilitetet për sulme të tjera ndaj tyre”, i tha BIRN Orkidea Xhaferaj.
Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike (AKSK) ka paralajmëruar disa herë qytetarët të tregohen të kujdesshëm ndaj këtyre tentativave të mashtrimit që targetojnë të dhënat dhe financat e tyre.
Një kategori tjetër që janë prekur nga shkeljet në sferën digjitale janë aktivistët e të drejtave të njeriut, gazetarët, apo anëtarët e komuniteteve vulnerabël, që vijojnë të jenë shënjestër e sulmeve të cilat jo pak herë konsistojnë edhe në kërcënime me jetë apo fushata linçimi që ndikojnë ndjeshëm në mirëqënien e këtyre personave.
Sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit, Shqipëria renditet e 80 nga 180 vende, duke u theksuar se gazetarët janë viktima të akteve të indimidimit nga politikanët dhe krimi i organizuar.
Prroni i tha BIRN se këto sulme ndaj aktivistëve apo gazetarëve vijojnë të mbeten një shqetësim për lirinë e shprehjes.
“Kërcënimet dhe bullizmi kibernetik gjithashtu kanë përbërë një volum të lartë të shkeljeve. Qytetarët e angazhuar në publik dhe grupet e margjinalizuara janë sulmuar vazhdimisht online, shpesh nga njerëz të paidentifikuar”, tha Prroni për BIRN.
“Në thelb, këto sulme kanë synuar të krijojnë një klimë frike dhe presioni që nxit vetëcensurën e gazetarëve dhe shkurajon pjesëmarrjen e qytetarëve në jetë publike”, shtoi ai.
Ekspertët janë të mendimit se ndërgjegjësimi i qytetarëve ndaj këtyre sulmeve është hapi kyç në adresimin e kësaj situate.
“Ndërgjegjësimi dhe rritja e kapaciteteve të qytetarëve për phishing dhe mashtrimet online mbetet kyç për adresimin e situatës”, i tha BIRN Xhaferaj.
Ajo shtoi se edhe forcimi i kapaciteteve të mbrojtjes kibernetike vendore duhet të jetë prioritet për mbrojtjen e infrastrukturave lokale dhe të dhënave të qytetarëve.
Edhe hulumtuesi Prroni nga IDM theksoi rëndësinë e përmirësimit të legjislacionit me mekanizma më efektive hetimi kundër mashtrimeve digjitale apo harmonizimin me rregulloret e BE-së përsa i përket përdorimin të platformave digjitale.
“Nevojiten përmirësime thelbësore të legjislacionit kundër mashtrimeve digjitale dhe mekanizma më efektivë hetimi”, i tha BIRN Prroni.
“Gjithashtu duhet punuar për harmonizimin e akteve të BE-së që rregullojnë mjedisin digjital, posaçërisht DSA-së në lidhje me sjelljen e platformave digjitale dhe Aktin e Inteligjencës Artificiale në lidhje me përdorimin dhe përhapjen e materialeve të gjeneruara nga AI”, përfundoi ai.
Reporter.al
-
Albania22 hours agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK21 hours agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania3 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports21 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania23 hours agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania2 days agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
UK2 days agoPrinci William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim
